Ndërlidhjet

Rama takon në Tiranë liderët e partive shqiptare të Maqedonisë së Veriut


Kryeministri shqiptar, Edi Rama, me liderët e partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut. 10 janar 2022.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, me liderët e partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut. 10 janar 2022.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka takuar të martën në Tiranë liderët e partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut.

Qëllimi i këtij takimi, që ka nxitur reagime të shumta në Shkup, nuk është bërë i ditur nga kreu u Qeverisë shqiptare.

Ai postoi një fotografi në rrjetin social, Facebook, ku shkroi "Qoftë një vit i mbarë për të gjithë shqiptarët kudo që janë".

Por, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, tha se të gjitha temat janë “fitimprurëse” ndërsa takimin e quajti “vëllazëror’’.

“Takimi është miqësor, vëllazëror. Do t'i shohim temat. Të gjitha temat që janë fitimprurëse, më intereson veçanërisht ndërtimi dhe forcimi i strategjisë së përbashkët për afrimin e rrugës drejt Bashkimit Evropian. Ky është një mision jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë. Forcimi i paqes, stabilitetit dhe progresit të ekonomisë”, ka deklaruar ai.

Në takim morën pjesë edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari; kryetari i Alternativës, Afrim Gashi dhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Ftesa është refuzuar nga kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, pasi nuk ka dashur të ulet në një tryezë me Ali Ahmetin, të cilin ai e akuzon për krim të organizuar, korrupsionin, largimin e shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut dhe dështime tjera.

Në një prononcim për mediat në Tiranë, Kasami ka thënë se takimi është në “shërbim” të BDI-së dhe jo të çështjeve të tjera.

“E refuzuam që të jemi pjesë e këtij takimi sepse vlerësojmë se ky takim nuk iu shërben shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, por më shumë i shërben lidershipit të Bashkimit Demokratik për Integrim, parti e shqiptarëve në qeveri për më shumë se 20 vite".

"Ne vlerësojmë se takimi është thirrur shkaku i turbulencave të fuqishme brenda këtij subjekti politik, ku funksionarë të lartë të saj ... kanë dalë hapur kundër lidershipit të partisë. Një situatë e palakmueshme për BDI-në dhe për të de-fokusuar opinionin në Maqedoninë e Veriut, vlerësojmë se zhvillohet ky takim në Tiranë”, tha ai.

Lidhur me takimin e Ramës me liderët shqiptar kanë reaguar edhe partitë politike maqedonase.

Për Lidhjen Social-Demokrate në pushtet (LSDM) “Edi Rama është mik i dëshmuar i Maqedonisë (së Veriut) dhe i popullit maqedonas, ndërsa me Shqipërinë nuk kemi çështje të hapura. Andaj, çdo takim, formal apo joformal, që është në interes të të dyja vendeve dhe të dy popujve është për ne në drejtim të ndërtimit të një rajoni evropian”.

VMRO DPMNE-ja që është në opozitë, vlerëson se takimi në Tiranë bëhet me kërkesë të LSDM-së, e cila sipas nënkryetarit të VMRO-së, Aleksandër Nikollovski, “është në panik për rrëzimin e Qeverisë dhe dështimin e ndryshimeve në Kushtetutë.

“LSDM-ja dhe Dimitar Kovaçevski po kërkojnë ndihmë për të shpëtuar, andaj edhe jashtë të gatshëm të pranojnë gjithçka në dëm të popullit maqedonas përmes agjendave të ndryshme vetëm që ta shpëtojnë veten e tyre”, deklaroi Nikollovski.

Liderët e partive politike shqiptare një takim të tillë me Ramën e kishin realizuar më 7 janar të vitit 2017, ku përmes një deklarate të përbashkët thanë së “angazhoheshin për ngritjen e statusit të shqiptarëve në Maqedoni në popull shtet-formues, me gjuhë zyrtare, e cila do të kishte statusin e barabartë me gjuhën maqedonase dhe zgjidhjen e shumë çështjeve tjera etnike”.

Por kjo deklaratë nga opinioni maqedonas ishte quajtur si “Platforma e Tiranës”, që sipas tyre kishte për synim rrënimin e shtetësisë maqedonase.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG