Ndërlidhjet

Rama: Këshilli i Evropës duhet të kërkojë falje për raportin e Martyt  


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë të martën se Këshilli i Evropës duhet të kërkojë falje për raportin e senatorit zviceran, Dick Marty, që ka të bëjë me krimet që pretendohet t’i kenë kryer pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Gjatë një konference për media në Bruksel, Rama tha se Gjykata Speciale për krime lufte në Hagë është ngritur mbi pretendimet e këtij raporti.

Marty ka qenë autor i raportit për Këshillin e Evropës, në vitin 2010, në të cilin ai ka dënuar krimet e supozuara të UÇK-së, përfshirë “trafikimin e organeve njerëzore”.

Raporti është vërtetuar praktikisht me një raport të ri nga prokurori amerikan, Clint Williamson, në vitin 2014. Vitin pasues, më 2015, është formuar pastaj Gjykata Speciale në Hagë për krime lufte në Kosovë.

Por, kryeministri shqiptar ka thënë se nuk ka dëshmi për trafikim organesh dhe ka folur për pretendimet se Rusia është mbrapa raportit.

“Nuk kam thënë asnjëherë që sistemi ka qenë i manipuluar nga Rusia. Nuk do ta thosha, sepse sot nuk e di nëse ishte apo jo Rusia pjesë e kësaj loje. Por, unë e di që një histori, fatkeqësisht jo e mirë, e trafikimit të organeve, u nis nga Rusia dhe jo nga dikush tjetër... prandaj çfarë thashë dhe çfarë mund të them sërish është se duke parë aktakuzën, nuk ka asnjë, fakte zero, apo qoftë edhe dyshime mbi trafikimin e organeve”, ka thënë Rama.

Çka është Gjykata Speciale e Kosovës?
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:24 0:00

Partia Socialiste (PS) në Shqipëri, të cilën e drejton Rama, ka dërguar së fundi në Kuvendin e Shqipërisë një projekt-rezolutë kundër raportit të Martyt.

Në projekt-rezolutën e PS-së është thënë se pas fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara për çështjen e trafikimit të organeve, Asambleja e Këshillit të Evropës duhet të përpilojë një raport ku do të bëhet rivlerësimi i rezolutës së vitit 2011 për pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve në Shqipëri dhe Kosovë.

Rama ka paralajmëruar se në shtator do t’i drejtohet personalisht Këshillit të Evropës për raportin e Martyt.

“Kjo Gjykatë e Hagës është krijuar vetëm në bazë të këtij raporti, sepse ka qenë ky raport përplot me gjepura që ka sjellë pikërisht në jetë këtë lloj Gjykate Speciale. Në një farë mënyre, hetime pas hetimesh janë bërë në Kosovë dhe Shqipëri të pavarura nga çdo lloj ndikimi dhe nuk sollën asgjë, zero për trafikimin e organeve njerëzore”, ka thënë Rama në Bruksel.

Sipas tij, Shqipëria dëshiron që t’i tregojë botës se nuk ka asnjë provë për trafikim organesh dhe se i gjithë ky proces ka qenë një “maskaradë”.

“Janë fakte dhe nuk ka një provë, pas kushedi sesa hetimeve që janë kryer për trafikim organesh të organizuar nga udhëheqja e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, që në fakt ka qenë viktimë e një sulmi të organizuar”, tha ai.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë veçse ka nisur procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Megjithatë Rama ka thënë se kundërshtimet e Shqipërisë ndaj raportit të Martyt, nuk kanë të bëjnë me proceset që aktualisht po zhvillohen në Hagë.

“Askush nuk duhet të tentojë ta pështjellojë në një mënyrë tjetër. Nuk ka të bëjë fare me procesin që po ndodh apo me akuzat, provat apo çfarëdo që mund të kenë në Hagë. Kjo ka të bëjë me një faqe turpi të Këshillit të Evropës dhe Këshilli i Evropës duhet të gjejë kurajë, të dalë përballë dhe të thotë: ‘Na falni’, sepse nuk munden, veçmas me institucione kaq demokratike, nuk mund të bëjnë diçka të tillë në një vend ku gjëra të tmerrshme kanë ndodhur, dhe që ne i kemi përjetuar nën diktatin sovjetik apo në periudhën e ndikimit kulturor kinez, që të mund të ndodhin sërish” ka thënë mes tjerash ai.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG