Ndërlidhjet

Rafuna: Kosova në rrezik nga recesioni ekonomik


Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se ka shumë mundësi që vendet e Bashkimit Evropian të futen në recesion, apo rënie të përgjithshme të aktivitetit ekonomik, në vitin 2023.

Në atë rast, recesioni do të reflektohej edhe në Kosovë, thotë Rafuna në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Rafuna, po ashtu, thotë se parashikimet për rritje ekonomike në Kosovë këtë vit, “nuk do të jenë të mjaftueshme” për zhvillim dhe punësim.

Prodhimi dhe tërheqja e investimeve të huaja janë pikat kryesore ku duhet të fokusohet Kosova, thotë mes tjerash ai.

Radio Evropa e Lirë: Rritja ekonomike në Kosovë këtë vit, sipas Bankës Botërore, nuk mund të jetë më shumë se 3.01 për qind, ndërsa një vit më parë ishte mbi 10 për qind. Çfarë e ndikoi këtë ngecje?

Lulzim Rafuna: Janë disa elemente që e kanë nxitur këtë frenim. Lufta Ukrainë- Rusi ishte ajo, e cila na çoi në ngritje të inflacionit, ishte pastaj çmimi i lartë i energjisë elektrike dhe çmimet e larta të derivateve. Këta janë faktorët që ndikuan në ngadalësimin e rritjes ekonomike jo vetëm në vendin tonë, por edhe në rajon dhe Evropë.

Radio Evropa e Lirë: Sa është e mjaftueshme kjo rritje për t’i adresuar problemet ekonomike të Kosovës?

Lulzim Rafuna: Kjo nuk është e mjaftueshme. Rritja ekonomike njëshifrore nuk krijon punësim. Ne, ndër vite, kemi shkuar në rritje ekonomike deri në 5 për qind dhe e kemi parë që për të pasur zhvillim dhe punësim, na nevojitet rritje ekonomike dyshifrore - që ne nuk e kemi arritur këtë vit.

Radio Evropa e Lirë: Qeveria aktuale e Kosovës ka përmbledhur një varg të të arriturave në ekonomi për vitin 2022, si: rritja e eksportit, rritja e punësimit... Sa janë reale këto?

Lulzim Rafuna: Sa i përket punësimit, duhet të futemi brenda strukturës se ku ka ndodhur punësimi, në cilët sektorë. Si shifër totale, ka pasur punësim, por nëse shihen të dhënat e biznesit, shumica janë formalizim i vendeve të punës, sidomos te sektori i gastronomisë. Kjo është një pjesë e punësimit.

Pjesë tjetër është largimi i të rinjve. Disa vende të punës janë liruar nga një pjesë e të rinjve që kanë gjetur vende pune jashtë Kosovës dhe ato vende janë zëvendësuar me punësim të personave tjerë, dhe kjo na figuron si punësim i ri.

Një pjesë tjetër e punësimit është bërë nga zhvillimi i bizneseve, që e kanë bërë me kapitalin e tyre dhe kanë hapur mundësi për punësime të reja.

Sa i përket rritjes së eksporteve, shumica absolute e eksporteve është bërë falë investimeve private të kompanive, të cilat kanë marrë kredi të ndryshme për t’u zhvilluar. Rritjen e eksporteve të Kosovës e kanë bërë vetë bizneset pa ndonjë subvencionim nga shteti.

Do të ishte mirë që Qeveria t’i mbështesë prodhuesit. Në të kaluarën, nga qeveritë ka pasur subvencionime të mëdha. Tani është një masë që ka ndërmarrë Qeveria aktuale, siç është subvencionimi i interesit të kredisë për eksport, por duhet shkuar tutje, nuk mjafton vetëm kjo.

Mungesa e energjisë elektrike po dëmton bizneset

Radio Evropa e Lirë: Furnizimi jo i qëndrueshëm me energji elektrike vazhdon të mbetet problem në Kosovë. Është paralajmëruar për një dimër të vështirë në sektorin e energjisë. Si do të ndikojë kjo te bizneset?

Lulzim Rafuna: Ne kemi pasur takime me komunitetin tonë. Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, ka paralajmëruar qysh në gusht se do të ketë dimër të vështirë dhe rritje të çmimit të energjisë. Kjo ka shkaktuar pasiguri te bizneset.

Nëse ndodh rritja e çmimit të energjisë elektrike, atëherë ajo do të reflektojë në rritjen e çmimit të produktit, për arsye se biznesi e kalkulon në produkt dhe ai produkt i del qytetarit më shtrenjtë.

E dyta, nëse ka reduktime të rrymës, prodhuesit tanë do të kenë probleme. Janë pajisje të teknologjisë së fundit dhe janë të ndjeshme. Gjithë lënda e parë që është në proces të prodhimit në momentin që ndalet rryma... derisa të aktivizohet gjeneratori, komplet ajo pjesë e lëndës së parë ose gjysmë produkti shkon dëm. Kjo është kosto shtesë për produktin tonë. Bizneset më kanë thënë se disa pajisje nuk e njohin gjeneratorin dhe nuk mund të aktivizohen me gjenerator, që është një problem i madh.

Nëse rritet çmimi i energjisë elektrike, duhet të shihet mundësia nga shteti që pjesën e ngritur të çmimit, t’ua subvencionojë bizneseve, në mënyrë që të mos e kalkulojnë në produkt - që më pas e paguan qytetari.


Radio Evropa e Lirë: Bizneset, gjatë këtij viti, kanë raportuar për vështirësi në plotësimin e vendeve të lira të punës. Sa ka ndikuar kjo në zhvillimin e tyre?

Lulzim Rafuna: Bizneset nuk mund ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre pa fuqi punëtore. Bizneset kanë lëvizur me rritjen e pagave për punëtorët, me qëllim të kushteve më të mira për punëtorë. Punëtorët që i kam takuar në këto biznese private, nuk kanë shfaqur ankesa me çështjen e pagave apo kushteve të punës. Por, ikja e punëtorëve po vazhdon.

Trendi i ikjes së punëtorëve është një trend jo vetëm në Kosovë, por në gjithë Evropën. Ne duhet të ndërmarrim masa për ta ndaluar ikjen e të rinjve. Aktualisht, ka shumë të rinj që diplomojnë në fakultete dhe nuk mund të gjejnë punë në Kosovë dhe po ikin jashtë vendit.

Arsimi është një problem në Kosovë. Arsimi duhet të jetë në raport me kërkesat e tregut. Nuk mund të shkollosh kuadro në profesione që nuk i kërkon tregu. Në arsimin në Kosovë kjo ndodh.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë mund të bëhet nga bizneset, por edhe autoritetet që të ndalet ikja e fuqisë punëtore?

Lulzim Rafuna: Tërheqja e investimeve të huaja. P.sh. në Serbi, kompanitë gjermane po investojnë në këtë shtet dhe jo vetëm që po punësojnë punëtorë aty ku po vendosen, por edhe i motivojnë serbët në Gjermani që të kthehen në Serbi. Pra, ky duhet të jetë [synim] për Qeverinë tonë - tërheqja e investime të huaja.

Është shumë e rëndësishme që Qeveria të ketë një strategji se si t’i kthejë të rinjtë që kanë emigruar. Pra, t’i kthejë si investitorë, dhe atyre investitorëve nga diaspora t’iu subvencionojë prodhimin, pajisjet dhe kapitalin themeltar.

Punëtorët nga jashtë nuk ofrojnë siguri për bizneset

Radio Evropa e Lirë: Për shkak të vështirësive të bizneseve për plotësimin e vendeve të punës, a ka interesim të tyre që të marrin punëtorë prej jashtë Kosovës?

Lulzim Rafuna: Ka interesim, por është një sfidë, për arsye se shumica absolute që paraqitet për të ardhur në Kosovë për të punuar, nuk ka tendencë të rrijë në Kosovë. Kosovën duan ta shfrytëzojnë si transit për të shkuar në Evropë, kështu që prapë bizneset tona nuk mund të llogarisin në atë fuqi punëtore, sidomos nga vendet aziatike. Është pasiguria te bizneset.

Kohëve të fundit, ka ardhje të punëtorëve nga Turqia. Ata janë më stabilë, po vinë si punëtorë dhe më pas po krijojnë biznese të veta në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Investimet e huaja në Kosovë vazhdojnë të jenë të ulëta. Ku qëndron problemi? Pse nuk kemi investime të huaja?

Lulzim Rafuna: Sundimi i ligjit - kemi ngecje të mëdha. Tre deri në katër vjet zgjat një kontest administrativ për t’u zgjidhur vetëm në shkallën e parë, mos të flasim nëse lënda shkon në Gjykatën e Apelit - aty do të duhen shtatë vjet për t’u zgjidhur. Por, nëse kemi ndonjë mosmarrëveshje biznesi që kap shifra prej milionash apo miliardash... sa do të zgjaste? Këto janë elemente ku shteti duhet të intervenojë.

Radio Evropa e Lirë: Krijimi tashmë i Gjykatës Komerciale... a është një mundësi e mirë për t’i zgjidhur më shpejt këto konteste ekonomike mes bizneseve?

Lulzim Rafuna: Është një mundësi dhe kanë filluar mirë, por është në fillimet e saj. Lutemi që mos t’ia bartin lëndët e vjetra Gjykatës Komerciale. Megjithatë, kjo është vetëm një hallkë, është vetëm një Gjykatë Komerciale... Ku është divizioni fiskal që i trajton lëndët e Doganës, Administratës Tatimore të Kosovës, ku është Gjykata e Punës... ka shumë të tjera që duhet të jenë efikase.

Ndonjëherë, për biznesin, nuk është me rëndësi shumë a i aprovohet kërkesa apo ankesa, sa është e rëndësishme ta marrë në kohë përgjigjen e duhur.

Radio Evropa e Lirë: Problemet e hapura politike që Kosova vazhdon t’i ketë me Serbinë dhe tensionet e vazhdueshme në veri të Kosovës... A kanë ndikuar këto në ekonominë e vendit?

Lulzim Rafuna: Nuk e kanë ndikuar shumë derisa janë vendosur barrikadat në veri, javë më parë. Biznesi nuk është marrë me politikën. Barrikadat e vendosura nuk janë pasqyrë e mirë, për arsye se në të gjitha televizionet e huaja raportohet për këto barrikada dhe tensione në veri. Kjo për investitorin e huaj krijon pasiguri për investime në Kosovë. Pra, është një sinjal për investitorin se nuk duhet ngutur ta investojë kapitalin e tij në Kosovë.

Ne, si institucione, duhet të promovojmë siguri, duhet ta promovojmë Kosovën si shtet të sigurt për investime. Kosova ka nevojë për investime të huaja që e rimëkëmbin ekonominë.

Fokusi te prodhimi

Radio Evropa e Lirë: Në cilët sektorë duhet investuar për një rimëkëmbje më të shpejtë ekonomike?

Lulzim Rafuna: Prodhimi është sektori ku edhe shteti, me gjithë fuqinë e vet, duhet të angazhohet t’i orientojë investimet - edhe të huaja, edhe të brendshme.

Prodhimi është ai që na sjell zhvillim ekonomik, prodhimi është ai që ul nivelin e papunësisë dhe prodhimi është ai që ngrit mirëqenien sociale të qytetarëve të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë e pret ekonominë e Kosovës në vitin 2023?

Lulzim Rafuna: Vitin 2023 po e ndaj në dy pjesë. Deri në qershor-korrik e shoh si një sfidë shumë të madhe. Siç janë duke shkuar trendët dhe sipas disa raporteve që kam arritur t’i lexoj, parashihet mundësia shumë e madhe që disa shtete të Bashkimit Evropian të hyjnë në recesion. Nëse tregu evropian hyn në recesion, ai automatikisht reflekton edhe në Kosovë. Tregu evropian nuk ka pasur recesion nga viti 2008.

Nëse i shpëtojmë kësaj, atëherë pjesa e dytë e vitit është më optimiste. Më bën optimist se çmimet e derivateve kanë filluar të bien. Vendet e Bashkimit Evropian kanë siguruar burime alternative të energjisë dhe nuk janë të varura nga gazi rus. Po ashtu, në tregun evropian, çmimi i gazit nuk ka pësuar ngritje dhe ka filluar të bjerë. Shpenzimet e transportit ndërkombëtar kanë filluar të bien. Këto janë indikacionet që më çojnë në pjesën e dytë... Nëse nuk hyn tregu evropian në recesion, pjesa e dytë do të jetë më optimiste.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë nëse kemi recesion?

Lulzim Rafuna: Mbetet të shihet në vitin 2023.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG