Radio Evropa e Lirë (REL) është duke vazhduar procedurat ligjore kundër Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Media Globale (USAGM) për t'i siguruar fondet që i janë miratuar nga Kongresi deri në fund të vitit fiskal, në fund të shtatorit.
USAGM mbikëqyr Radion Evropa e Lirë, Zërin e Amerikës (VOA) dhe media tjera amerikane ndërkombëtare.
USAGM pati vendosur që të ndërpresë grantin për Radion Evropa e Lirë më 15 mars, disa orë pas një urdhri ekzekutiv të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka bërë thirrje për shkurtime në shtatë agjenci – përfshirë USAGM-in – në “shkallë maksimale, në përputhje me ligjet”.
Më 26 mars, USAGM i ka shkruar Radios Evropa e Lirë për t’i treguar se është duke u tërhequr nga njoftimi për ndërprerje granti, por “pa paragjykuar autoritetin e USAGM-it për të ndërprerë grantin”.
Në padinë e Radios Evropa e Lirë vlerësohet që USAGM nuk ka autoritet, meqë granti i është ndarë me vendim të Kongresit.
Në komunikatën e lëshuar nga Radio Evropa e Lirë më 27 mars është thënë se “REL-i është në pritje të një konfirmimi zyrtar prej USAGM-it për lëshim të grantit”.
Në komunikatën e 28 marsit, kompania e ka bërë të qartë se diçka e tillë nuk ka ndodhur, që granti nuk është lëshuar.
“Ne jemi në pritje të fondeve që Kongresi i ka ndarë për ne përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Media Globale. Deri atëherë, ne do t’i shfrytëzojmë të gjithë hapat ligjorë për t’u siguruar që respektohet vendimi i Kongresit”, është thënë në komunikatë.
Në komunikatë është thënë edhe se “përkushtimi i Radios Evropa e Lirë për audiencat tona dhe mandatin e dhënë nga Kongresi, mbetet i palëkundur”.
Më 25 mars, një gjykatë në SHBA e ka miratuar kërkesën e REL-it për një urdhër të përkohshëm ndalimi ndaj vendimit të USAGM-it, duke thënë se kjo e fundit ka vepruar “në mënyrë arbitrare dhe kapriçioze” kur e ka shkëputur grantin për REL-in.
Gjyqtari Royce Lamberth ka shkruar në një vendim prej 10 faqesh se, urdhri i përkohshëm i ndalimit është vendim i nevojshëm për të parandaluar mbylljen e kompanisë, meqë duket se ka gjasa të ftojë rastin në seancë gjyqësore, dhe që nëse do të lejoheshin hapat tjerë të USAGM-it derisa të merret një vendim përfundimtar për fondet e REL-it, transmetuesit do t’i shkaktohej “një dëm i pariparueshëm”.
Vendimi është arsyetuar dhe për faktin se është në të mirë të interesit publik.
Ndërprerja e grantit për REL-in është komunikuar përmes një letre të nënshkruar nga Kari Lake, e cila e ka përshkruar veten si “Këshilltare e Lartë e ushtruesit të detyrës së udhëheqësit të USAGM-it, me autoritet të deleguar nga ushtruesi i detyrës së udhëheqësit të USAGM-it”.
Edhe pas dërgimit të letrës drejt REL-it më 26 mars, Lake ka vazhduar t’i kritikojë entitetet e USAGM-it.
“Pyetja për popullin amerikan është nëse dëshironi që taksat e dollarëve tuaj të fituar me shumë vështirësi të shkojnë në këtë lloj propagande? Jam duke luftuar në USAGM dhe do të jetë betejë”, ka thënë ajo për rrjetin televiziv Newsmax.
Në një intervistë dhënë për kanalin televiziv amerikan, One America News, Lake ka thënë se ajo nuk ka pasur kohë që të analizojë gazetarinë e entiteteve të USAGM-it.
“As që e kam shikuar përmbajtjen e tyre”, ka thënë ajo.
Më 28 mars, një gjykatës federal në Nju Jork e kritikoi udhëheqësinë e USAGM-it, përfshirë Lake, për ndalimin “thuajse brenda natës” të VOA-s dhe organizatave të tjera të lajmeve të drejtuara nga USAGM, “pa asnjë konsideratë për pasojat”.
Komentet e gjykatësit James Paul Oetken u bënë në një urdhër për bllokimin e përpjekjeve të administratës Trump për ta mbyllur VOA-n, duke e quajtur këtë veprim si “rast klasik të vendimmarrjes arbitrare dhe të paarsyeshme”.
Oetken kritikoi administratën Trump për “shkatërrimin e një agjencie që është e autorizuar ligjërisht dhe e financuar nga Kongresi”.
Në një fitore për VOA-n, gjykatësi lëshoi një urdhër të përkohshëm që ndalon agjencinë nga “çdo përpjekje e mëtejshme për të pushuar nga puna, shkurtuar stafin, dërguar në pushim me pagesë ose pa pagesë” punonjësit apo kontraktorët, si dhe nga mbyllja e ndonjë zyre ose detyrimi i punonjësve jashtë vendit për t'u kthyer në Shtetet e Bashkuara.
“Kjo është një fitore vendimtare për lirinë e shtypit dhe Amendamentin e Parë, si dhe një kritikë e ashpër” ndaj administratës Trump për “mospërfilljen e plotë të parimeve që përcaktojnë demokracinë tonë”, tha avokati i VOA-s, Andrew G. Celli Jr.
Sipas padisë, punonjësve të VOA-s u ishte kërkuar t’i përfundonin transmetimet e tyre të drejtpërdrejta më 15 mars dhe më pas ta lironin selinë. Menjëherë pas kësaj, thuhet në padi, ata humbën qasje në sistemet kompjuterike të agjencisë, përfshirë e-mailin. Faqja e lajmeve të VOA-s nuk është përditësuar që atëherë.
Trump dhe republikanë të tjerë e kanë akuzuar VOA-n për “anshmëri majtiste” dhe se ka dështuar t’i pasqyrojë vlerat “proamerikane” te audienca e saj globale, megjithëse Kongresi e ka mandatuar që të shërbejë si një organizatë e lajmeve jopartiake.
Lake, ish-gazetare televizive, ka qenë veçanërisht e ashpër në karakterizimin e saj për përmbajtjen e prodhuar nga VOA, REL-i dhe organizatat e tjera të lajmeve.