Ka shumë pak lëvizje nëpër rrugët e pluhurosura në këtë fshat të vogël në lindje të Rumanisë, me përjashtim të pluhurit që e ngre era.
Plauru shtrihet përgjatë Lumit të Danubit nga qyteti ukrainas i portit, Izmail, dhe i ka vetëm 21 banorë dhe një varg shtëpish pothuajse të shembura, si dhe të braktisura, të cilat dikur përbënin komunën më të madhe në këtë pjesë të Danubit, rreth 300 kilometra në lindje të Bukureshtit.
Fshati nuk ka më shkollë, qendër të mjekësisë familjare, apo dyqan. Për këto shërbime, qytetarët duhet patjetër të ecin gjashtë kilometra, pavarësisht motit, për në vendbanimin e madh më të afërt, i cili është Çetalçoi. Aty mbeten vetëm kisha dhe varreza.
Plauru – i njohur si Lasçar Çatargiu më 1962 – mund të ishte zhdukur pa zhurmë, sikur të mos ishte për pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia, të cilin presidenti Vladimir Putin e nisi në shkurt 2022.
Tani, Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë ka ngritur mburoja në Plauru, pas sulmeve të vazhdueshme ruse në zonat ukrainase përgjatë lumit dhe pas gjetjes së një numri të madh të copëzave të dronëve në territorin rumun.
Qeveria në Rumani, një anëtare e NATO-s, deri tani nuk ka menduar ta evakuojë fshatin dhe vendbanimet përreth. Madje, disa banorë thonë se nuk duan të largohen.
“Unë dua të qëndroj. Është shumë bukur këtu, më pëlqen këtu”, tha Marius Tanase, 21 vjeç, për Shërbimin rumun të Radios Evropa e Lirë.
Prindërit e Tanase e zotërojnë një tokë 9.000 metra katror, disa hektarë tokë bujqësore, si dhe bagëti në fermën e tyre, ku i mbajnë 12 lopë. Marius bën përjashtim në Plauru; një djalë i ri i cili nuk është larguar ende.
Tre të miturit e tjerë të vetëm të mbetur në fshat janë tre fëmijët e 52-vjeçarit Cornel Nita, të cilët janë të moshës 11, 14 dhe 16 vjeçe.
Dy fëmijët e vogël të Nitas shkojnë në shkollë në Çetalçoi, derisa i madhi shkon në shkollë në Tulçea, e cila është 30 kilometra larg.
Nita, ish-marinar, thotë se nuk dëshiron që fëmijët e tij të qëndrojnë në Plauru.
“Le ta bëjnë punën e tyre diku më larg”, thotë ai, duke i rrudhur krahët e gjerë. “Çfarë mund të bëjnë këtu?”
“Shumë njerëz kanë ikur nga këtu”
Vetëm 300 metra larg Izmailit, Plauru është qyteti më i afërt rumun me zonën e luftës së shkaktuar nga pushtimi rus.
Ky fshat i kishte mbi 400 banorë në vitin 1930 dhe ishte vendbanimi më i madh në degën Çilia të Danubit. Por, vërshimet e vitit 1970 e shpopulluan atë.
“Shumë njerëz janë larguar nga këtu, nga ky fshat. Deri atëherë ishte i madh, i kishte tre rreshta me shtëpi”, tha banori i fshatit Costel Tanase, 52 vjeç, për Shërbimin rumun të Radios Evropa e Lirë.
Nita u rrit në fshat. Për të, fshati është i mbushur me kujtime të cilat do të fshihen kur të largohet ai.
Ai bën me gisht në drejtim të një shtëpie që ishte përdorur në të kaluarën nga rojet kufitare. Tani, një degë peme del nga njëra prej dritareve të thyera të shtëpisë njëkatëshe.
Kjo shtëpi nuk është rrëzuar ende vetëm për shkak se po përdoret si qendër votimi. Shkolla afër saj nuk ishte aq fatlume; fasada e saj ka një vrimë masive.
“Ata e ndërtuan këtë 50 vjet më parë dhe kurrë nuk e përdorën. Këtu kishte kopshte, fusha të volejbollit etj., Por, me kalimin e kohës, ato u zhdukën”, thotë Nita.
“Ne duhet të largohemi nga këtu”
Vendorët në Plauru e shohin nga afër luftën agresive të Rusisë në Ukrainë.
“Kur sistemi i mbrojtjes ajrore gjuan, [raketat] fluturojnë nga këtu. Ne i dëgjojmë edhe dronët duke u afruar. Kur ata bien, është një fatkeqësi natyrore, dridh sikur tërmeti”, tha bujku i këtij fshati, Gheorghe Puflea.
Javën e kaluar, qeveria rumune i alarmoi kontët e kësaj zone, pasi i vërejti “grupet e dronëve duke shkuar drejt porteve ukrainase”.
Banorët vendorë u alarmuan për të kërkuar strehim për shkak të “mundësisë së rënies së objekteve nga hapësira ajrore”.
“Nëse gjërat përkeqësohen dhe shpeshtohen sulmet me dronë, posaçërisht nëse ndonjë prej tyre bie në një shtëpi në fshat, ne nuk do të jemi në gjendje të bëjmë asgjë. Ne duhet të largohemi nga këtu”, tha Costel Tanase.
Kryeministri rumun Marcel Ciolacu ka tentuar publikisht t’i qetësojë nervat, duke thënë se anëtarja e NATO-s nuk është cak i sulmeve ruse.
“Askush nuk na ka sulmuar, dhe askush nuk po na sulmon”, tha Ciolacu më 13 shtator.
“Disa copëza ranë nga një dron i cili ishte goditur nga ushtria ukrainase. Nuk kishte eksploziv. Nuk kishte asgjë që do t’i dëmtonte qytetarët”, shtoi ai.
Pa marr parasysh luftën e Rusisë ndaj Ukrainës në afërsi, Nita thotë se ka shumë pak gjasa të qëndrojë në Plauru.
“Mendoj se do të largohem përsëri me anije, sepse unë nuk i përkas këtij vendi”, theksoi ai.