Një hulumtim i realizuar nga Asociacioni për Bashkëpunim dhe Tolerancë Qytetare (AGTIS) ka nxjerr në pak se Qeveria e Maqedonisë “nuk është të realizojë reformat të cilat i janë vendosur si detyrë në rrugën e integrimit evropian, megjithëse angazhohet në realizimin e tyre”.
Në anketën e realizuar nga AGTIS, në njërën anë 49 për qind e të anketuarve thonë se pushteti angazhohet për realizimin reformave, por në anën tjetër 48 për qind e të anketuarve thonë se qeveria aktuale nuk ka kapacitet për t’i realizuar të njëjtat.
Aleksandar Cvetkoski nga ky asociacion konsideron se ndërhyrja e politikës në çdo pore të institucioneve, paralizon funksionimin e institucioneve me kapacitet të plotë për t’i realizuar reformat në sistemin gjyqësor, atë të shëndetësisë, arsimit dhe ekonomisë.
“Pa regjistrimin e popullsisë së Maqedonisë nuk mund të realizohen reformat. E dyta, pushteti duhet të koncentrohet në luftën kundër korrupsionit sepse qytetarët e kanë vendosur luftën kundër korrupsionit si prioritet mbi nevojën e reformat në gjyqësor dhe shëndetësi arsim etj”.
“Dhe treta, institucionet duhet të punojnë në përforcimin e kapaciteteve profesionale për realizimin e reformave”, thotë Cvetkoski.
Qytetarët e Maqedonisë konsiderojnë se realizimi i reformave kryesisht ka të bëjë me rritjen e numrit në administratë, madje 43 për qind e të anketuarve vlerësojnë se reformat lidhen me rritjen e numrit të të punësuarve në institucionet e pushtetit vendor dhe atij lokal.
Ndërkaq, Borce Davitkoski ligjërues në Universitetin e Shkupit, i angazhuar në më shumë raste për realizimin e reformave nga faktori ndërkombëtar, thotë se çdo qeveri e vendos si prioritet realizimin e reformave, por realisht shumë pak angazhohet për realizimin e tyre në praktikë.
“Që nga strategjia e parë për realizimin e reformave, që nga viti 1999, edhe pse synimi ka qenë një administratë e vogël, por funksionale në shërbim të interesave të qytetarëve, tërë kohën është rritur administrata dhe qytetarët gjithnjë e më pak janë të kënaqur nga cilësia e shërbimeve. Pse është kjo kështu? Sepse çelësin kryesor për punësim në administratë e mbanë qeveria dhe puna në administratë llogaritet si më fitimprurësja dhe jo si punë me përgjegjshmëri”, thotë Davitkoski.
Përderisa njohësi i çështjeve politike, Sasho Ordonacki thotë se qytetarët e Maqedonisë edhe kundrejt faktit që i vlerësojnë pozitivisht hapat e guximshëm të qeverisë në drejtim të realizimit të reformave, megjithatë ata si shumë problematike e kanë detektuar mungesën e llogaridhënies.
Në anketë, 38 për qind e respodentëve janë shprehur se referendumin për Marrëveshjen e emrit nuk ka paraqitur pengesë për realizimin e reformave, kundrejt 37 për qind të tjerëve që kanë vlerësuar se reformat janë zvarritur për shkak të referendumit.