Ndërlidhjet

Qytetarët kërkojnë t’i ngrijnë vendimet për përmbarim


Ilustrim
Ilustrim

Iniciativa qytetare “ Stop përmbaruesve” kërkon ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përmbarim, si dhe ngrirjen e të gjitha vendimeve ekzekutive ndaj personave fizikë në Maqedoni derisa të bëhet revizion ndaj punës së përmbaruesve dhe tërë procesit gjyqësor gjatë procedurës ekzekutive të përmbarimit.

Kristina Ampeva nga organizata “Glasen tekstilec”, që e mbështetiniciativën qytetare “Stop përmbarueseve”, thotë se qytetarëve në mënyrë të padrejtë u bllokohen llogaritë dhe detyrohen të paguajnë disa fish më shumë nga borxhi bazë që kanë pasur ndaj ndonjë kompanie për ndonjë shërbim të caktuar.

“Të ngrihen të gjitha vendimet për përmbarim derisa të miratohet një ligj i ri për përmbarim, i cili në formë precize do t’i definojë kushtet dhe mjetet plotësuese që do të duhet të paguajnë qytetarët krahas borxhit bazë. Gjithsesi kërkojmë të bëhet një revizion i detajuar i punës së përmbaruesve, noterëve dhe gjithsesi dhe avokatëve, sepse ne kemi rast nga anëtarët tanë që protestojnë ku një borxh prej vetëm një mijë denarësh ( 17 euro) për disa vite në bazë të kamatës mbi kamatë, përmbaruesi, qytetarit të caktuar i ka marrë nga llogaria rreth 30 mijë denarë (500 euro)”, thotë Ampeva.

Edhe Besa Kadriu, ligjëruese në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, sjell përvojën e saj, me ç`rast për një faturë të papaguar të telefonit gjatë vitit 2001, është detyruar të paguajë vite më vonë dhjetëfish më shumë për një borxh për të cilin, siç thotë ajo, s`ka qenë e informuar, dhe më e keqja shton Kadriu është se nuk ekzistojnë mekanizma juridikë për t’i mbrojtur qytetarët.

“Për hir të këtyre rrethanave, unë mendoj se jo vetëm që është e domosdoshme, por është më se e domosdoshme që të ketë madje dhe kontroll ndërkombëtar, që të vendoset një mekanizëm institucional që do të jetë funksional dhe të ketë mekanizma ligjorë, të cilët do të jenë të realizuara edhe në pikëpamjen praktike. Ndryshe ne sërish do të margjinalizohemi si shoqëri. Të gjitha këto përvoja të hidhura që i kishim për vite, në të kaluarën, dashtë Zoti të mos përsëriten. Por, nëse nuk ekzistojnë forma ose tentativa të përvojave ose praktikave të mira, sigurisht se edhe më tej do të jemi viktimë edhe e natyrës së këtyre problemeve”, thotë Besa Kadriu.

Marjian Nenov nga Iniciativa qytetare “No Pasaran” mbështetëse e iniciativës “Stop përmbaruesve”, thotë se përmbaruesve u janë lënë duart e lira të bllokojnë dhe llogaritë e personave me ndihmë sociale.

“Ne nuk jemi për atë që Ligji për përmbarim tërësisht të shfuqizohet, ne kërkojmë përmbaruesit t’u nënshtrohen kontrolleve më të mëdha nga ana e organeve kompetente që ata të jenë të detyruar të punojnë në kuadër të Ligjit dhe në shërbim të qytetarëve”, vlerëson Nenov.

Mirëpo, të gjitha këto vërejtjeje për Odën e Përmbaruesve janë të pabaza. Përmbaruesit thonë se punojnë në bazë të Ligjit për përmbarim, përkatësisht tarifës së përcaktuar Ministri a Drejtësisë dhe askush nuk mund të jetë mbi ligjin, pra t’i ikë pagesës së borxhit për një shërbim të caktuar që ka marrë.

Përmbaruesit theksojnë se qytetarët e ndërgjegjshëm, të cilët paguajnë borxhin në kohë, nuk paguajnë kamatë. Por, për borxhlinjtë që nuk i respektojnë afatet kohore, atëherë aktivizohet procedura për përmbarim.

Sipas të dhënave të fundit të Bankës Popullore të Maqedonisë në gjysmëvjetorin e parë të këtij viti, përkatësisht deri në fund të qershorit, me vendim të përmbaruesve, janë bllokuar llogaritë e më shumë se 76 mijë qytetarëve të Maqedonisë dhe 36 mijë kompanive u janë bllokuar llogaritë me vendim të përmbaruesve.

Përmbaruesit brenda vitit në formë të borxhit të papaguar të faturave komunaleve dhe kësteve të papaguara për kredi, kanë tërhequrrreth 100 milionë euro në vit.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG