Ndërlidhjet

Qeveria i hedh poshtë kritikat e QUINT-it dhe BE-së për shpronësimin e tokave në veri


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Qeveria e Kosovës i ka hedhur poshtë të enjten kritikat e QUINT-it, BE-së dhe OSBE-së ndaj vendimit të saj për finalizimin e shpronësimit të mbi 100 parcelave në komunat me shumicë serbe në veri të vendit, duke thënë se deklarata e tyre e përbashkët “konstaton në mënyrë të gabuar gjendjen faktike dhe bën vlerësim ligjor të pabazuar në argumente”.

Një ditë më herët, Radio Evropa e Lirë raportoi për vendimin përfundimtar të Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e tokave në Leposaviq dhe Zubin Potok, i cili përjashton disa parcela private, por vetëm të atyre qytetarëve që e kanë fituar procesin në gjykatë.

Në një deklaratë të enjten gjatë ditës, QUINT-i (SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë), BE-ja dhe OSBE-së (Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë), thanë se “Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit. Vërejmë se sistemi gjyqësor i Kosovës ka identifikuar shqetësime të ngjashme ligjore me vendimin preliminar të shpronësimit, të cilin Qeveria ende nuk e ka adresuar”.

Në një përgjigje ndaj deklaratës së tyre të përbashkët, Qeveria e Kosovës shkroi në Facebook të enjten vonë se “paditësit kanë ushtruar padi kundër vendimit preliminar për shpronësim duke pretenduar shkeljen e ligjit në procedurë”.

“Gjykatat kanë gjetur se paditësit, përjashtimisht një numri të vogël të tyre, nuk kishin legjitimitet në procedurë, pasi të njëjtit nuk janë pronarë të pronave të cilat ishin subjekt i shpronësimit. Në vendimin përfundimtar, Qeveria ka reflektuar vendimet e gjykatave dhe ka përjashtuar nga shpronësimi pronat e paditësve të suksesshëm”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Qeveria e Kosovës ka filluar procesin e shpronësimit në komunën e Leposaviqit dhe atë të Zubin Potokut në mes të janarit të vitit 2023, kur disa toka atje i ka shpallur “pasuri të paluajtshme me interes të veçantë publik - të nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore me interes publik”.

Bazuar në vendimin paraprak të Qeverisë, sipërfaqja e përgjithshme e shpronësimit të planifikuar atëkohë ka qenë rreth 104 hektarë në Leposaviq dhe rreth 33 hektarë në Zubin Potok.

Por, në vendimin përfundimtar të Qeverisë së Kosovës të datës 30 maj, thuhet se në Leposaviq do të shpronësohen 96 hektarë, që do të thotë tetë hektarë më pak.

QUINT-i, BE-a dhe OSBE-ja than se “përderisa disa nga pronat e paraqitësve të kërkesës u hoqën nga vendimi përfundimtar i shpronësimit, na vjen keq që Qeveria e Kosovës nuk priti që të gjitha procedurat e hapura gjyqësore të gjykoheshin plotësisht përpara se të merrte këtë vendim”.

Ndër tjerash ato thanë se është “thelbësore që Qeveria të bëjë përpjekje për të siguruar që aktivitetet e shpronësimit të jenë në përputhje me ligjin”.

Ato kërkuan që të ndiqet procesi i duhur dhe që të drejtat pronësore të pronarëve të respektohen plotësisht.

Gjykata e Apelit e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë më 5 qershor se shqyrtimi i një vendimi të Gjykatës Themelore lidhur me këtë çështje është ende në vazhdim.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha të mërkurën për Radion Evropa e Lirë se vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e tokave në Leposaviq dhe Zubin Potok, është marrë në përputhje me aktgjykimet e formës së prerë të gjykatave të Kosovës, të cilat kanë kërkuar përjashtimin e disa parcelave nga shpronësimi.

“Gjykata ka qenë e qartë kur ka konstatuar se shumica e paditësve nuk kanë pasur legjitimitet për të nisur procedura ligjore, sepse nuk kanë mundur të dëshmojnë pronësinë e tyre mbi tokën që është subjekt i shpronësimit. Në vazhdën e kësaj, Qeveria ka vepruar në bazë të vendimeve gjyqësore dhe ligjeve në fuqi”, thotë Kryeziu.

Shtetet e QUINT-it, në deklaratën e tyre, theksojnë se ndaras ia kanë shprehur më herët shqetësimin Qeverisë se “projektligji i shpronësimit nuk është në përputhje me zotimet e Kosovës të marra sipas Planit të Ahtisaarit”, duke shtuar se e kanë inkurajuar atë që ta modifikojë ligjin në përputhje me rrethanat para se ta miratojë atë.

Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte refuzuar shumicën e padive të qytetarëve serbë, të cilët paditën Qeverinë e Kosovës dhe kërkuan të “vërtetohet se nuk ekziston interes i veçantë publik për pasuritë e paluajtshme të paditësve”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG