Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë gjithsej 58 respiratorë. Por, aktualisht, që të gjithë janë në shërbim të pacientëve të hospitalizuar. Në këtë institucion, janë edhe 15 respiratorë rezervë, të cilët mund të përdoren në rast nevoje për të sëmurët me koronavirusin e ri.
Ndërkaq në spitalet e përgjithshme në Mitrovicë, Pejë, Gjilan, Vushtrri, Gjakovë, Prizren dhe Ferizaj, janë gjithsej 22 respiratorë, që mund të përdoren për pacientë në nevojë, thonë zyrtarët në QKUK.
Respiratorët përdoren për filtrimin e ajrit nga ndotësit te pacientët që janë të prekur nga sëmundjet e rënda.
Deri më tani, në Kosovë janë konfirmuar pesë persona të prekur nga Covid-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi.
Koronavirusi i ri shkakton vështirësi në frymëmarrje, koll dhe temperaturë.
Po ashtu, janë edhe disa spitale private në Kosovë, por që sipas zyrtarëve në Ministrinë e Shëndetësisë, ende nuk është bërë ndonjë marrëveshje, nëse këto spitale private do t’i pranojnë ose jo pacientët për trajtim të koronavirusit.
Faik Hoti, drejtor i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, tha se tash për tash qendër kryesore për trajtimin e rasteve me shenja të qarta klinike dhe të prekurve me koronavirusin e ri, është Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Nëse ka nevojë edhe repartet infektive të spitaleve të përgjithshme, nëse do të ketë nevojë mund të bëhen riorganizime të klinikave apo shërbimeve në funksion të trajtimit klinik të rasteve. Nuk ka spital privat të infektivës në Kosovë. Ata, nëse hasin në raste të dyshimta, i rekomandojnë për në sektorin publik. Të dy sektorët janë të obliguar të bashkëpunojnë, brenda udhëzimeve e rekomandimeve për menaxhimin e rasteve te dyshimta ose të konfirmuara”, tha Hoti.
“Pra, sa u përket spitaleve private, mendoj se është herët të kërkohet diçka nga ta, për aq sa kemi kapacitete në sektorin publik”, tha ai.
Ndryshe, për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri, Qeveria e Kosovës ka vendosur t’i ndërmarrë disa masa parandaluese, përfshirë edhe mbylljen e shkollave në të gjitha nivelet deri më 27 mars.
Zbatimi i masave parandaluese kundër Covid-19, që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës, po mbikëqyren nga autoritetet përkatëse, ndërkohë që kërkohet edhe bashkëpunimi i qytetarëve që këto masa parandaluese të jenë të suksesshme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditën e premte, ka thënë se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka propozuar që qeveria t’i ketë edhe katër përfaqësues të tjerë, Ministrin e Infrastrukturës dhe Ambientit, përfaqësuesin e Klinikes Infektive, përfaqësues të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Qendrës së Situatave në Këshillin e Sigurisë.
“I ftojmë të gjithë qytetarët që nëse kanë shenja të virusit të rrinë në shtëpi e të kontaktojnë përmes telefonit e të mos shkojnë direkt në qendrat e mjekësisë familjare”, ka thënë kryeministri Kurti.
Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për ta luftuar përhapjen e koronavirusit të ri.