Me gjithë zotimet për tkurrjen e sektorit publik, Qeveria e Maqedonisë së Veriut e ka vazhduar krijimin e institucioneve të reja publike.
Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë bëri të ditur të hënën se brenda tetë vjetëve janë themeluar 74 institucione të reja në Maqedoninë e Veriut, përfshirë tetë vetëm në vitin 2023.
“Dhjetë ditë Republika e Krushevës”, “Galeria e Artit në Gostivar”, “Manifestimi Kongresi i Smilevës” dhe “Qendra për Kulturë e Bashkësisë Turke”, janë në mesin e tetë institucioneve të reja që janë themeluar këtë vit, të cilat do të financohen nga buxheti i shtetit.
“Në Maqedoninë e Veriut kemi institucione që nuk i dinë madje as kompetencat e tyre” tha ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Azir Aliu.
Zvogëlimi i numrit të shërbyesve civilë është, po ashtu, edhe kërkesë e vazhdueshme e Bashkimit Evropian, në mesin e kërkesave detyruese që Maqedonia e Veriut duhet t’i plotësojë për anëtarësim në familjen evropiane.
Në një raport të Komisionit Evropian të publikuar në korrik të këtij viti, thuhet se “reformat në administratë pengohen nga ana e një pjesë të caktuar të zyrtarëve.”
Juliana Karai, nga Instituti për Politika Evropiane, tha për Radion Evropa e Lirë se, për shkak "të mungesës së organizimit racional të organeve qeveritare dhe mungesa e linjave të qarta të llogaridhënies" sesi shpenzohen paratë e buxhetit, nuk mund të pritet që reformat në administratë të bëhen në përputhje me kërkesat e BE-së.
“Sipas të gjitha gjasave, drejtuesit e institucioneve nuk mund të dakordohen, ka një lloj rezistence nga ana e drejtuesve të këtyre institucioneve, pasi procesi filloi para dy vjetëve gjatë pandemisë, madje dhe ne si sektor civil u përfshimë në këtë proces. Por, duket se ka ngecje i gjithë procesi. Madje neve as që na informojnë se deri ku ka arritur ky proces” tha Karai.
“Udhëheqësit politik kanë frikë të tkurrin administratën”
Njohësit e çështjeve politike theksojnë se reformat në administratë janë peng i druajtjeve të udhëheqësve politik se ata mund të humbin votues nëse e tkurrin administratën.
“Këtu kemi të bëjmë me interesa individuale dhe grupore. S`do mend se fitorja apo humbja e partive politike reflektohet tek elektorati i tyre përmes sigurimit apo humbjes së vendeve të punës në institucionet e shtetit”, tha Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë.
Ai nënvizoi se “çdo vend pune konvertohet në vota plus ose minus”, duke shtuar se kjo bën që të ketë ngurrim në zvogëlimin e numrit të shërbyesve civilë, pavarësisht se “çdo reduktim i institucioneve është për të mirën e përgjithshme”.
Reforma e administratës publike u përfshi edhe në të ashtuquajturin “plan reformash emergjente 3-6-9” të vitit 2017 dhe planin “18”, i cili u publikua një vit më vonë.
Qeveria nuk ka dhënë hollësi si dhe deri ku ka arritur realizimi i kiji procesi në praktikë.