Ndërlidhjet

Qeveria nuk e pranon përfshirjen e Serbisë në hetimet për rastin Ivanoviq


Lule dhe qirinj janë vendosur pranë një fotografie të politikanit të vrarë serb, Oliver Ivanoviq. Mitrovicë, 16 janar 2018
Lule dhe qirinj janë vendosur pranë një fotografie të politikanit të vrarë serb, Oliver Ivanoviq. Mitrovicë, 16 janar 2018

Qeveria e Kosovës nuk e pranon përfshirjen e organeve shtetërore të Serbisë në hetimet që po zhvillohen rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit, ish- lider i Iniciativës qytetare, "Liria, Demokracia, Drejtësia".

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka thënë se shteti i Serbisë nuk ka dërguar ndonjë kërkesë zyrtare për përfshirje për hetime, por, sipas tij, është kërkuar shkëmbim i informatave, për çka edhe Kosova është e interesuar.

Ai tha se të drejtën për hetime në Kosovë e kanë vetëm institucionet e Kosovës.

“Për kërkesat drejtuar EULEX-it dhe UNMIK-ut, e them se ata nuk kanë kompetencë për të dhënë një autorizim të tillë”, tha Haradinaj.

“Të vetmit që kanë kompetenca, që kanë të drejtë për të dhënë autorizim të tillë, janë institucionet e Kosovës”, theksoi ai.

Kryeministri Haradinaj tha se në Qeverinë e Kosovës nuk është dorëzuar kërkesë për hetime, por se sipas tij, bëhet fjalë për interesimin e Serbisë për shkëmbim informatash.

“Edhe Kosova ka interes dhe jemi për. Për shkak se supozohet se ky rast ndërlidhet me njerëz, me palë ose me akterë që nuk janë vetëm në Kosovë”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për media.

Oliver Ivanoviq, është qëlluar për vdekje të martën para selisë së partisë se tij, në Mitrovicën Veriore.

Pamje nga vendi ku u vra Oliver Ivanoviq
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:49 0:00

Ndërkohë, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, në emër të Qeverisë së Serbisë ka thënë se ka një kërkesë që organet serbe të marrin pjesë në hetimet për vrasjen e Ivanoviqit, të cilat po udhëhiqen nga autoritetet e Kosovës. Ajo ka thënë se pret përgjigje nga misionet ndërkombëtare në Kosovë, përkatësisht nga administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX.

“Nëse nuk lejohemi të marrim pjesë, hetimet për vrasjen do i bëjmë vetë”, ka thënë Brnabiq në një intervistë dhënë Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Por, misioni i EULEX-it në Kosovë, përmes një përgjigje me shkrim ka bërë të ditur se nuk kanë marrë kërkesë nga Serbia.

“Misioni i EULEX nuk merr vendime të kësaj natyre. Autoritetet vendore vendosin se a do të përfshihet apo jo Serbia zyrtare në hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviq”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.

Autoritetet në Kosovë, ndërkaq, po i vazhdojnë hetimet për këtë rast.

Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës në rajonin Mitrovicës së Veriut, tha për Radion Evropa e Lirë se aktualisht policia është duke punuar për verifikimin e informacioneve që mund të çojnë në zbardhjen e rastit.

“Hetimet që janë duke u zhvilluar me autorizimet e prokurorëve përgjegjës për rastin dhe grupit punës të hetueseve policorë, janë në fazën e përpunimit të të dhënave që ata në vazhdimësi janë duke mbledhur që nga dita e incidentit”, tha Hoti.

Për rastin Ivanoviq, të mërkurën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Lidhur me këtë çështje presidenti Thaçi ka siguruar presidentin Vuçiç se organet përgjegjëse të prokurorisë dhe policisë janë duke bërë hetime intensive për zbulimin dhe sjelljen përpara drejtësisë të atyre që e kanë bërë këtë vrasje”, ka shkruar presidenti Thaçi në profilin e tij në Facebook.

Vrasja e Ivanoviqit, është dënuar nga institucionet vendore e ndërkombëtare.

Ai ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e parë. Ndërkohë që viteve të fundit, është përballur edhe me procese gjyqësore nën akuzat për vrasje dhe krime lufte.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG