Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës e miraton Projektligjin për Sigurimin Shëndetësor


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar. Fotografi nga arkivi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar. Fotografi nga arkivi.

Qeveria e Kosovës e miratoi të mërkurën Projektligjin për Sigurimin e detyrueshëm Shëndetësor.

Me asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, anëtarët e kabinetit e miratuan projektligjin, i cili tani duhet të dërgohet në Kuvend për aprovim.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se kjo nismë është paraprirë nga një proces i detyruar planifikimi, analizimi dhe diskutimi, dhe se "ky është moment vendimtar për shtetin tonë".

“Ky projektligj është hapi themelor drejt krijimit të sigurimeve shëndetësore në vendin tonë. Ky proces është i pakthyeshëm dhe si të tillë e nisim sot, këtu, në këtë mbledhje. Me këtë nismë themelohet fondi i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor i Republikës së Kosovës”, tha Vitia.

Zbatimi i këtij ligji do të jetë “një ndër sfidat kryesore e Qeverisë sonë”, tha Vitia.

Buxheti për sistemin e përgjithshëm shëndetësor për vitin 2024 kap vlerën e 345 milionë eurove.

Sipas projektligjit, fondi i sigurimeve do të mbështetet edhe nga kontributet e punëtorëve.

“Këto kontribute do të jenë një nga burimet e rëndësishme të financimit të shëndetësisë në të ardhmen e afërt. Buxhetit që ndahet për shëndetësinë, do t’i shtohen edhe kontributet e secilit prej nesh nga të hyrat personale”, theksoi ai.

Kosova nuk ka sigurime shëndetësore, ndonëse në vitin 2007 ishte miratuar ligji për këtë çështje, por asnjëherë nuk hyri në fuqi, pasi shefi i atëhershëm i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë nuk e nënshkroi.

Pas pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, ishin vetë qeveritë e Kosovës ato që e tërhoqën ligjin, për shkak të implikimeve buxhetore.

Kuvendi i Kosovës arriti ta miratonte Ligjin e ri për sigurime shëndetësore në vitin 2014, mirëpo as ai nuk u zbatua.

Zbatimit të tij u tha se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajsh për mbledhjen e fondeve, e cila do të niste nga 1 korriku i vitit 2017.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG