Ndërlidhjet

Qeveria franceze e sheh veshjen islamike në shkolla si “sulm politik”


Zëdhënësi i Qeverisë së Francës, Olivier Veran.
Zëdhënësi i Qeverisë së Francës, Olivier Veran.

Veshja e fustaneve abaja nga disa vajza myslimane në shkollat franceze është “sulm politik”, tha të hënën zëdhënësi i Qeverisë së Francës, Olivier Veran, derisa e shpjegoi ndalimin e kësaj veshjeje.

Ministri i Arsimit i Francës, Gabriel Attal, tha të dielën se fustanet e gjata e lirshme, me origjinë nga Lindja e Mesme, nuk do të lejohen më në shkolla nga viti i ri shkollor që nis javën e ardhshme, sepse e shkelin ligjin laik.

Abaja është një fustan që mbulon tërë trupin, përveç kokës, dhe kombinohet me një hixhab apo mbulesë tjetër e kokës nga gratë myslimane në vende e botës myslimane, kryesisht në Lindjen e Mesme.

Veran tha se abaja “është qartazi” veshje fetare dhe “sulm politik, shenjë politike”, të cilën ai e cilëson si përpjekje për konvertim në islam.

“Shkolla është laike. Ne e themi këtë në mënyrë shumë të qartë por të prerë: nuk është vend për atë [veshjen e rrobave fetare]”, theksoi Veran për televizionin BFM.

Attal tha të hënën se Qeveria e ka bërë të qartë se abaja “nuk e ka vendim në shkolla”.

“Shkollat tona po sprovohen. Muajt e fundit, shkelja e rregullave laike është rritur dukshëm, posaçërisht për veshjen e rrogave fetare, siç është abaja apo qamisi, të cilat janë parë – dhe kanë mbetur – në disa institucione”, tha Attal.

Vendimi i Attalit për ta ndaluar abajasin ka nxitur debat të ri për rregullat laike të Francës, dhe nëse ato po përdoren për ta diskriminuar pakicën e madhe myslimane të vendit.

Një ligj në mars të vitit 2004 e ndaloi “veshjen e shenjave apo rrogave në shkollë përmes të cilave studentët tregojnë se i përkasin një feje”.

Kjo përfshin kryqe të mëdha të fesë krishtere, kapela hebraike (kippas) dhe shami islamike.

Qeveria ua ka mbajtur anën politikanëve djathtistë dhe të ekstremit të djathtë, të cilët kanë bërë trysni për ndalimin e kësaj veshjeje menjëherë, duke argumentuar se ajo është pjesë e një agjende më të gjerë nga islamistët për ta përhapur praktikimin e fesë nëpër shoqëri.

Por, politikanët majtistë dhe shumë myslimanë i cilësojnë rregullat laike të Francës si një front i përdorur nga konservatorët për politika islamofobike.

Kushtetuta e Francës ua garanton qytetarëve të drejtën për ta praktikuar fenë lirshëm, por i detyron shtetin dhe punonjësit e shtetit ta respektojnë neutralitetin.

Ndaj ndalesës së abajasit pritet të ketë ankesë ligjore dhe kjo do t’ua vështirësojë punët autoriteteve shkollore të cilat do të duhet të vendosin se kur një fustan i gjatë i lirshëm kalon nga një zgjedhje personale mode në një qëndrim fetar, thonë mbikëqyrësit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG