Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës merr vendim për pajisjen e serbëve me patentë shoferë RKS


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se Ministria e Punëve të Brendshme ka nxjerrë vendimin që u mundëson qytetarëve kalimin nga patentë shoferët e lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.

“Një kohë të gjatë kemi pranuar kërkesat tuaja për marrjen e një vendimi të këtillë. Ne duam t’ua lehtësojmë qytetarëve tanë problemet e përditshme, me të cilat ballafaqohen”, tha kryeministri Albin Kurti, përmes një adresimi në gjuhën serbe.

“Kalimi në patentë shofer të Republikës së Kosovës, mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve”, njoftoi të martën Zyra e kryeministrit të Kosovës, në një komunikatë për media, në të cilën ishte bashkëngjitur linku me video-adresimin e Kurtit.

MPB-ja bëri të ditur se kalimi në patentë shofer RKS nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patentës së shoferit, “por vetëm aplikim, të cilin çdo qytetar duhet ta dorëzojë në Qendrën për Pajisje me dokumente”.

Dokumentet që duhen përfshirë në aplikim, sipas MPB-së, janë letërnjoftimi, origjinali i patentë shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe, certifikata e gjendjes shëndetësore për pajisje me patentë shofer, dëshmi të pagesës së taksës dhe origjinali i patentë shoferit të lëshuar nga UNMIK-u apo RKS “në qoftë se bëhet aplikimi për shtimin e kategorive, gjë e cila po ashtu është mundësuar përmes këtij vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme”.

Autoritetet e Kosovës kanë bërë të ditur se ky vendim hyn në fuqi me datën 9 maj dhe është i vlefshëm deri me datën 9 gusht 2024.

Ditë më parë Bashkimi Evropian tha se mbetet në qëndrimin e shprehur më herët se në Kosovë mbështet vetëm një strukturë të vetme institucionale dhe administrative, sipas kornizës ligjore të Kosovës.

Por, në të njëjtën kohë, blloku u shpreh se çështja e institucioneve që mbështeten nga Serbia duhet të zgjidhet përmes themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Çështja e institucioneve serbe në Kosovë u ngrit gjatë takimit të fundit të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel më 25 prill, kur u diskutua për çështjen e dinarit serb.

Gjatë takimit, pala serbe ka kërkuar që të gjitha institucionet serbe, që Kosova i konsideron ilegale, të vazhdojnë të financohen nga Beogradi deri në kohën kur të krijohet Asociacioni.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG