Ndërlidhjet

Qeveria subvencionon naftën për bujqit


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që fermerëve dhe bujqve t’iu subvencionohet nafta në vlerë prej rreth 5 milionë euro.

Subvencionimi do të bëhet në vlerën prej rreth 0.36 centë për litër naftë, të përllogaritur me hektarë të poseduar të tokës së punuar.

Programet e subvencionimit do të shpallen brenda këtij muaji.

Kështu ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference për media të mërkurën.

Sipas tij, për produkte të tilla strategjike, bujqit përveç naftës do të subvencionohen edhe për plehërim pranveror.

“Njëqindepesëdhjetë euro subvencionim për hektarë për grurin, kurse nga 100 euro për kulturat e misrit, patates dhe fasules. Për grurin përveç subvencionimit prej 150 euro për hektar, do të bëhet subvencionim prej 0.3 centë për dorëzim në mulli të rendimentit”, tha Kurti.

Derivatet e naftës janë duke u shtrenjtuar vazhdimisht që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt.

Në Kosovë, më 9 mars, një litër naftë është shitur për 1.66 euro, ndërkaq benzina deri në 1.58 euro, varësisht nga operatori ekonomik dhe lokacioni.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, Faton Peci, tha se në kategorinë e subvencionimit kanë ndara rreth 50 milionë euro.

“Punimi i tokës, përveç që në këtë kohë është domosdoshmëri, mund të shihet edhe si veprim patriotik. Për herë të parë që nga paslufta, fermerët dhe bujqit do të subvencionohen me naftë”, tha Peci.

Kryeministri Kurti dhe ministri Peci kanë siguruar qytetarët e Kosovës se do të ketë mjaftueshëm miell dhe nuk kanë vend për shqetësim.

“Ka rezerva dhe rrjedhimisht nuk ka vend për panik. I ftoj qytetarët që të ndihen të sigurt”, tha Kurti.

Ai siguroi qytetarët se në këtë kohë nuk do të ketë as shtrenjtim të miellit.

“Është e vërtet që çmimi i gurit në bursën ndërkombëtare është rritur për shkak të luftës në Ukrainë. Çmimi i grurit sillet diku 430 euro për ton, mirëpo në Kosovë një rritje e tillë nuk na godet për shkak se ne nuk jemi furnizuar nga ato zona të luftës”, tha Kurti.

Kurti tha se do të angazhohen më shumë për një inspektim dhe mbikëqyrje të tregut në rastet e keqpërdorimeve që mund të bëhen me çmime.

Së fundmi, Kosova është goditur nga një rritje e çmimeve të produkteve elementare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG