Është rihapur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok, në objektin e stacionit policor në këtë komunë, bëri të ditur të enjten Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.
Më 25 shtator, kjo qendër, që gjendej në objektin e Komunës së Zubin Potokut, ishte djegur, ndërkaq Qendra për Regjistrim Civil në Zveçan ishte sulmuar, njoftuan autoritetet në Prishtinë. Për këto dy incidente, Kosova fajësoi Beogradin.
“Ky është një objekt i adaptuar për të ofruar shërbime të menjëhershme qytetarëve që kanë nevojë për të marrë shërbime, deri në funksionalizimin e plotë të objektit të Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve, i cili u shkatërrua si pasojë e një sulmi kriminal, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës më 20 shtator, për vendosjen e targave të përkohshme”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Që prej 20 shtatorit, ku u vendos masa e reciprocitetit për targat me Serbinë, serbët lokalë kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Lidhur me gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e krijuar pas vendosjes së reciprocitetit, në Bruksel, të mërkurën dhe të enjten, po mbahen bisedime, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Më 29 shtator, kreu i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi tha se është arritur pajtimi për një draft-marrëveshje, e cila pret që të marrë pëlqimin edhe të palës serbe.
Qeveria e Kosovës ka arsyetuar vendosjen e reciprocitetit duke thënë se Serbia për vite të tëra aplikon masë të njëjtë për automjetet me targa të Kosovës.
Sipas vendimit të 20 shtatorit, të gjitha automjetet me targa të Serbisë me të hyrë në Kosovë duhet t’i heqin ato dhe të pajisjen me targa të përkohshme, të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.
Për këto targa të përkohshme shoferët duhet të paguajnë pesë euro dhe vlefshmëria e tyre është dy muaj.
Deri më 29 shtator, autoritetet e Kosovës thanë se janë lëshuar mbi 11,000 targa të përkohshme.