Nga 1 tetori pritet të rinisë qarkullimi në linjat e trenave në Kosovë, qoftë edhe pjesërisht, konfirmojnë zyrtarët në Ministrinë e Infrastrukturës.
Qarkullimi i trenave në linjat e rregullta ishte ndërprerë që nga 2 gushti.
Ndërprerja e këtyre linjave është bërë për shkak të mungesës së mjeteve financiare, të cilat është dashur të sigurohen nga Qeveria e Kosovës.
Argjend Zejnaj, shef i kabinetit të Ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ministri ka pasur një takim me anëtarët e bordit të “Infrakos” dhe “Trainkos” dhe ka premtuar se nisja e qarkullimit të trenave do të fillojë në muajin tetor.
“Ministri Lekaj ka premtuar se më 1 tetor trenat do të jenë në funksion edhe për transport të udhëtarëve, mallrave dhe shërbimeve të tjera”, tha Zejnaj.
Ndërkaq, Gelor Shala, krye shef ekzekutiv i “Trainkos”, kompani kjo përgjegjëse për operimet me trena si në transport të mallrave ashtu edhe të udhëtarëve, tha për Radion Evropa e Lirë se këtij institucioni i nevojiten rreth 1.3 milion euro për të lëshuar në qarkullim të gjitha linjat e trenave.
“Ne kemi pasur takim me ministrin e ri të Infrastrukturës, Pal Lekaj. Ministri ka premtuar se shumë shpejtë do të lëshohen trenat dhe ka premtuar se në fillim të muajit të ardhshëm do të lëshohen trenat”.
“Kurse, sa i përket buxhetit (ministri) nuk ka mundur ta jap ndonjë vlerë të caktuar sa do të jetë shuma. Ka premtuar se do të diskutojë edhe me kryeministrin, por edhe në Qeveri, pra do të diskutohet kjo çështje dhe shumë shpejtë ka thënë se do të gjendet një zgjidhje”, tha Shala.
Në anën tjetër, Argjend Zejnaj, thotë se për shkak të pamundësisë së rishikimit të buxhetit të shtetit, ende nuk dihet shuma që do të ndahet, por lëvizje konkrete në këtë drejtim do të ketë në mënyrë që të lëshohen trenat në qarkullim.
“Ne do të ndajmë një shumë të mjeteve, ndoshta jo shumën e kërkuar nga ‘Trainkos’ dhe ‘Infrakos’, por mjetet e nevojshme do të ndahen për të funksionalizuar trenat. Kështu që do të ketë lëvizje konkrete, më 1 tetor treni do të jetë në lëvizje”, tha Zejnaj.
Përderisa Gelor Shala thotë se varet nga shuma e mjeteve të ndara për të përcaktuar se cilat linja do të lëshohen për qarkullim.
“Ne i kemi 10 linja të trenave dhe nëse nuk sigurohet komplet buxheti rreth 1. 3 milion euro, sigurisht që në bazë të buxhetit do të përcaktohet se cilat linja do të lëshohen për operim”.
Ndryshe, Infrastruktura hekurudhore në Kosovë vazhdon të përballet me një gjendje jo të mirë.
Binarët, ndërtesat e stacioneve, stabilimentet sinjalizuese, pastaj operimet hekurudhore, lokomotivat, vagonët e udhëtarëve, që nga ekspertë të fushës janë konsideruar të vjetruara.
Kosova tani më është përfshirë në projektet për modernizimin e hekurudhës, investime këto që hyjnë në pakon për investime të aprovuara në samitin e Ballkanit Perëndimor në gusht të vitit 2015 në Vjenë, në kuadër të agjendës më të gjerë të Bashkimit Evropian për promovimin e lidhjes në rajon dhe të lidhjes me BE-në.