Ndërlidhjet

Putini njofton se do ta vizitojë Kinën në maj


Presidenti rus Vladimir Putin (majtas) dhe presidenti kinez Xi Jinping. (Fotografi nga arkivi)
Presidenti rus Vladimir Putin (majtas) dhe presidenti kinez Xi Jinping. (Fotografi nga arkivi)

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka njoftuar se synon ta vizitojë Kinën gjatë muajit të ardhshëm.

Putini e bëri këtë njoftim gjatë një kongresi të Unionit Rus të Industrialistëve dhe Sipërmarrësve më 25 prill në Moskë.

Ai nuk tregoi se kur do ta bëjë këtë vizitë saktësisht, e as nuk dha hollësi të tjera rreth saj.

Izolimi i vazhdueshëm ekonomik dhe diplomatik i Rusisë, si pasojë e luftës së saj kundër Ukrainës, e ka bërë Moskën tejet të varur nga Kina.

Sipas një vlerësimi amerikan së fundmi, Kina është duke i shitur vazhdimisht Rusisë vegla të makinerisë, mikroelektronika dhe teknologji të tjera, të cilat Moska po i përdor për të prodhuar raketa, tanke, avionë luftarakë dhe armë të tjera për t’i përdorur në luftë.

Kina ka thënë vazhdimisht se nuk i ofron Rusisë armë e as ndihmë ushtarake, megjithëse i ka ruajtur lidhjet e fuqishme ekonomike me të.

Pekini nuk i ka dhënë ndihmë të drejtpërdrejtë ushtarake vdekjeprurëse Rusisë, dhe ka kërkuar ta ruajë veten si një vend neutral karshi luftës në Ukrainë.

Megjithatë, ajo nuk i ka dënuar veprimet e Moskës dhe më 2022 deklaroi se ka miqësi “pa kufizime” me Rusinë. Kina i ka dënuar sanksionet e Perëndimit kundër Moskës dhe i ka akuzuar NATO-n dhe SHBA-në se e nxitën pushtimin e Ukrainës nga Putini.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG