Ndërlidhjet

Putin dhe Erdogan takohen javën e ardhshme në Soçi


Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai turk, Recep Tayyip Erdogan. Fotografi nga arkivi.
Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai turk, Recep Tayyip Erdogan. Fotografi nga arkivi.

Presidenti i Rusisë, Vladimri Putin, do të mirëpresë homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, në Soçi më 4 shtator, njoftoi Kremlini.

Takimi Putin-Erdogan vjen gjashtë javë pasi Moska u tërhoq nga marrëveshja për eksportin e drithërave ukrainase që Ankaraja dhe Kombet e Bashkuara e kishin ndërmjetësuar.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, njoftoi se dy liderët do të takohen, teksa pritet që ata të diskutojnë për marrëveshjen e drithërave, apo siç njihet edhe si nisma e drithërave e Detit të Zi.

Kjo marrëveshje kishte mundësuar që të transportoheshin drithërat nga portet ukrainase në Detin e Zi për në Afrikë, Lindje të Mesme dhe Azi.

Marrëveshja ishte arritur në korrik të vitit 2022 dhe mundësonte kalimin e sigurt të produkteve ushqimore ukrainase.

Po të njëjtën kohë u arrit edhe një memorandum midis OKB-së dhe Rusisë, përmes së cilit palët u zotuan se do të tejkalonin pengesat me të cilat përballen dërgesat ushqimore ruse dhe plehrat artificiale.

Megjithatë, Rusia u tërhoq nga marrëveshje duke argumentuar se kërkesat e saj nuk ishin plotësuar.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se i ka dërguar Rusisë një propozim të ri me synim të ringjalljes së marrëveshjes, por ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se ky propozim nuk përmbush kërkesat ruse.

Lavrov tha po ashtu se i ka dorëzuar Ankarasë një listë veprimesh që duhet të ndërmarrë Perëndimi në mënyrë që Moska të rikthehet në marrëveshje. Bisedimet mes Putinit dhe Erdoganit mund të ndihmojnë që të tejkalohen këto mospajtime.

Marrëveshja e drithërave i kishte lejuar Ukrainës të eksportonte pothuajse 33.000 tonë drithëra, në kohën kur u rrit uria në mbarë botën.

Pasi Moska u tërhoq nga marrëveshja e drithërave, Ukraina ka vazhduar eksportin e drithërave të saj përmes rrugëve tokësore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG