Presidenti rus, Vladimir Putin, ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë ushtarakë që mbikëqyrin luftën në Ukrainë, ku Moska ka shtuar së fundi numrin e bombardimeve, ka thënë të shtunën Kremlini.
“Të premten, presidenti e ka kaluar gjithë ditën me stafin ushtarak të përfshirë në operacionin special në Ukrainë”, është thënë në deklaratë, duke iu referuar luftës.
Sipas Kremlinit, Putin ka pasur takim me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov, si dhe ka mbajtur takime ndaras me komandantët e rajoneve të ndryshme.
“Dua të dëgjoj propozimet tuaja lidhur me aksionet në periudhë afatshkurtër dhe afatmesme”, është dëgjuar të ketë thënë Putin në televizionin shtetëror.
Rusia ka nisur sulme të reja të premten në Ukrainë, duke e dëmtuar rëndë infrastrukturën energjetike të këtij shteti.
Ukraina e ka akuzuar Rusinë se po e përdor dimrin si “armë lufte”, duke dëmtuar objektet kyçe, teksa temperaturat në këtë shtet veçse janë zero gradë Celsius.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.