Një alarm në telefon, në 07:25, i tregon çdo ditë se është koha të niset për në punë.
Ndalore Likaj nga Prizreni mbërrin në orën 08:00 në barnatoren “Kosova med”, ku punon tash e katër vjet.
Ajo sistemon paketimet me barna, mirëmban barnatoren dhe ndihmon kolegët e saj në punët e përditshme aty.
“Oh, jam gëzuar shumë kur e kam kuptuar që do të punoj. M’i kanë sjellë mantelin dhe papuçet e bardha, i kam marrë dhe kam filluar punën”, thotë 26-vjeçarja e prekur me sindromën Down.
Ndalorja banon me babanë e saj në Lagjen Arbana, rreth pesë kilometra larg Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, pranë të cilit është vendi i saj i punës.
Ajo është anëtare e Shoqatës Down Syndrome Kosova në Prizren - pjesa jugore e Kosovës.
Personat me sindromën Down kanë 47 kromozome, apo një kromozom më shumë, që njihet si trisomi 21, dhe bëjnë pjesë në kategorinë e personave me aftësi të kufizuara.
Në motin e mirë, Ndalorja shpeshherë shkon në punë në këmbë.
“Më pëlqen të ec, edhe ashtu nuk po ec mjaftueshëm”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Por, kur është ftohtë, sikurse në këto ditë janari, ajo zakonisht shfrytëzon transportin publik, i cili e lë pranë barnatores ku punon.
Kur flet për punën, syzet nuk ia fshehin dot shkëlqimin në sy dhe buzëqeshja nuk i largohet nga fytyra.
“Unë e bëj punën time që e kam, rendit barnat, i vendos etiketat, i shoh pacientët kur vijnë... Këta janë kolegët e mi që i dua shumë, me shpirt”, thotë Ndalorja.
Katër vjet më parë, Ndalorja ishte punësuar me një kontratë prej gjashtë muajsh. Por, ajo është përshtatur shumë shpejt me punën dhe stafin, gjë që ka bërë që marrëdhënia e saj e punës të vazhdojë.
“Jemi të kënaqur në çdo aspekt. Ndalorja është punëtore, është e palodhshme, vjen me rregull në punë, është shumë person i dashur”, thotë farmacisti Yll Hulaj.
Ndalorja punon me gjysmë orari dhe në orën 11:50, përmes alarmit përsëri, ia kujton vetes se është koha të bëhet gati për të dalë nga barnatorja.
Pas orës 12:00 ec rrugëve të Prizrenit dhe e vetme shkon në Shoqatën Down Syndrome Kosova.
Në shoqatë takon anëtarët e tjerë që janë rreth 50, por në grup-moshën +12 vjeç bëjnë pjesë 23 persona.
Ata zhvillojnë aty aktivitete të ndryshme, ndër të cilat edhe punimin e kartolinave, të cilat janë gjithmonë në shitje.
Anëtar i shoqatës është edhe Selim Maloku - në Prizren i njohur për talentin e tij në muzikë dhe vallëzim.
Selimi është i punësuar në një kafene në qytet. Ai, shpeshherë, qëndron aty përtej orarit, nga dëshira e madhe për të punuar.
“Pastroj gotat, përgatis çaj, kafe, shërbej...”, thotë Selimi për Radion Evropa e Lirë.
Pranë Selimit, kartolinat i punon edhe Fatmir Sallah, gjithashtu i punësuar në një kafene në Prizren.
Ai punon më shumë brenda banakut dhe thotë se ndihet shumë i lumtur.
“Do të doja që të gjithë shokët e mi të punësohen”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Përveç punës, Ndalorja, Selimi dhe Fatmiri janë të gatshëm edhe për aktivitete të ndryshme kulturore, kur u jepet mundësia. Dhe, jo vetëm këta tre, por edhe anëtarët e tjerë të shoqatës.
Kjo u pa edhe në fund të dhjetorit në një shfaqje të organizuar me iniciativë të organizatës Artpolis, në bashkëpunim me qendrën në Prizren të Shoqatës Down Syndrome Kosova.
Shfaqja e titulluar “Trisomy Love” kishte për qëllim të tregonte dashurinë e personave me sindromën Down. Disa përmes recitimit, disa përmes vallëzimit, e disa vetëm me mimika të fytyrës treguan atë që dinë ta bëjnë në skenën e teatrit.
“Shfaqja është munduar të tregojë se sa kanë vlerë këta njerëz, që nuk duhet të lihen prapa, dhe sa mund të japin dashuri te personat që duan ta pranojnë dashurinë e tyre”, thotë për Radion Evropa e Lirë Blerta Gubetini nga organizata Artpolis.
Deri në ditën e shfaqjes, Blerta si aktore mentore dhe grupi i Artpolis-it kanë punuar një muaj e njëzet ditë me personat me sindromën Down dhe qendrën në Prizren.
“Është vërejtur nga fillimi që ata po kënaqen shumë. Ata janë shumë mikpritës për njerëzit e rinj që u shkojnë në rreth. Menjëherë e kam marrë energjinë e mirë prej tyre”, thotë Blerta.
Ajgyl Hapqi, punëtore sociale në shoqatën në Prizren, thotë se është shumë e rëndësishme që personat me sindromën Down të jenë aktivë.
“Në këtë shfaqje i kemi futur edhe anëtarët që nuk kanë pasur [ndonjë] komunikim, por i kemi lënë që të shprehen vetë si të duan, me ndonjë valle...”, thotë Hapqi.
Ndërsa Ndalorja, e cila e ka moderuar shfaqjen, thotë se nuk ka pasur “fare emocione para publikut”.
Ndalorja, Selimi dhe Fatmiri janë tre nga vetëm katër personat me sindromën Down të punësuar në komunën e Prizrenit.
Dhjetë të tjerë janë të gatshëm për punë, por nuk kanë arritur të punësohen, thotë Hapqi, e cila drejton programin Autonomi dhe Aftësim Profesional në shoqatë.
Ajo tregon se punësimi, zakonisht, bëhet kur një biznes shpreh gatishmëri për të punësuar një person me sindromën Down.
“Ne shkojmë, e njohim biznesin, e shikojmë vendin, kushtet, a përputhet me anëtarin tonë... e pastaj bëhet kontrata. Bëhet edhe një trajnim i vogël për stafin, sepse duhet të dijë se si t’i qaset anëtarit [me sindromën Down], e pastaj anëtari e fillon punën”, thotë Hapqi, duke shtuar se punonjësit socialë, për një kohë, e vëzhgojnë punën e tyre.
Personat me sindromën Down, jashtë institucioneve
Aktualisht, në institucionet publike është i punësuar me kontratë të rregullt vetëm një person me sindromën Down, ndërsa një tjetër është në punë praktike me pagesë, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtoresha e Shoqatës Down Syndrome Kosova, Sebahate Hajdini Beqiri.
Çka thotë ligji?
Ligji për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë i obligon institucionet publike dhe ato private që të punësojnë një person me aftësi të kufizuara në çdo 50 punëtorë.
Vetëm 99 persona që punojnë në institucionet publike të Kosovës, janë me aftësi të kufizuara - nga mbi 83 mijë sa është numri i përgjithshëm i të punësuarve në këtë sektor, tregojnë të dhënat për vitin 2023.
Bazuar në ligj, punëdhënësi, i cili nuk i përmbush detyrimet për punësimin e së paku një punëtori me aftësi të kufizuara në çdo pesëdhjetë punëtorë, detyrohet të paguajë në buxhetin e Kosovës kontribute mujore në lartësi të shumës së pagës minimale për çdo punëtor me aftësi të kufizuara që do të duhej ta punësonte.
Statistikat e shoqatës që drejton Beqiri, tregojnë se në Kosovë jetojnë rreth një mijë persona me sindromën Down.
Beqiri tregon se, aktualisht, të punësuar janë vetëm 24 prej tyre.
Përveç dy personave që janë aktualisht në institucionet shtetërore, 22 të tjerë janë të punësuar në sektorin privat.
“Është numër i vogël bazuar te numri i personave që janë në moshë madhore dhe e kanë të drejtën e punësimit”, thotë ajo.
Beqiri thotë se personat me sindromën Down ballafaqohen me mungesë të shërbimeve, “qoftë në fëmijërinë e hershme, apo brenda sistemit edukativ-arsimor”.
Ajo thotë se ka syresh që nuk janë fare pjesë e shërbimeve të shoqatës, sepse jetojnë në vende rurale dhe në ato komuna të vogla ku nuk ka fare qendra të shoqatës.
Sipas Beqirit, shërbimet terapeutike dhe ato sociale, personat me sindromën Down i marrin ende vetëm nga shoqata. Thotë se ajo mbështetet nga institucionet për ofrimin e këtyre shërbimeve, por, sipas saj, mbështetja është në formë të subvencioneve.
“Është një subvencionim, i cili ka një periudhë relativisht të shkurtër kohore - nga tre deri në gjashtë muaj - dhe gjithashtu shuma që ndahet, nuk është e mjaftueshme që ne si shoqatë të kemi mundësi t’i mbulojmë të gjitha shërbimet brenda pesë regjioneve ku veprojmë me qendra”, thotë Beqiri.
Ajo tregon se pjesa tjetër e shpenzimeve mbulohet nga donacionet.
Shoqata Down Syndrome Kosova zbaton Programin për Autonomi dhe Aftësim Profesional që, sipas Beqirit, luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e aftësive profesionale të anëtarëve, por edhe në përgatitjen e tyre për jetesë të pavarur.
“Kjo nuk është e mjaftueshme përderisa këto programe apo këto shërbime ofrohen vetëm në nivel të shoqatës. Ende nuk e kemi një sistem në nivel institucional që do të ofronte shërbime të tilla”, thotë Beqiri.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës, përmes Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës, menaxhon tetë Qendra të Aftësimit Profesional (QAP).
Ato përfshijnë shtatë rajone Kosovës: Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë dhe Dolan (pjesa veriore e Mitrovicës) me punëtori dhe profesione të ndryshme.
Beqiri thotë se në këto qendra, personat me aftësi të kufizuara certifikohen vetëm për pjesëmarrje në trajnim dhe nuk e marrin certifikatën e arritjes së aftësimit profesional në një fushë të caktuar. Sipas saj, kjo është diskriminuese.
Fisnik Lakna, ushtrues i detyrës së drejtorit të Departamentit të Aftësimit Profesional, thotë se numri i personave që kanë ndjekur trajnime në QAP gjatë vitit të kaluar, ka qenë 2.832 - prej tyre 60 me aftësi të kufizuara.
Por, Lakna nuk specifikon se sa prej tyre janë certifikuar.
“Personat me aftësi të kufizuara certifikohen në të njëjtën mënyrë si të gjithë kandidatët e tjerë që ndjekin trajnimin në Qendrat e Aftësimit Profesional, pa asnjë diskriminim ndaj kësaj kategorie”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Në Qendrat e Aftësimit Profesional lëshohen disa lloje të certifikatave, në mesin e tyre edhe ato për vijueshmëri, kur kandidatët nuk arrijnë t’i kalojnë testet për aftësim.
Institucionet e Kosovës vazhdimisht zotohen se do t’i rrisin përpjekjet për përmirësimin e kushteve për personat me aftësi të kufizuara - qoftë në punësim apo infrastrukturën për ta - por, sipas sektorit civil, ato janë të ngadalshme.
“Mungon vetëdijesimi”
Nurten Gorda nga Prizreni ka një vajzë 17 vjeçe, Adën, me sindormën Down. Ajo thotë se personat e kategorisë së saj duhet të trajtohen si të barabartë me të tjerët.
“Vështirë është në Kosovë, nuk mund të them [se është] lehtë. Unë jam e vetme, Ada nuk e ka babanë. Përballemi me plot sfida, njerëzit e shikojnë në rrugë... Por, le ta shikojnë, nuk më vjen keq. Për mua, vajza ime është më e mira në botë. Ada më thotë ‘po më shikojnë’, sepse e ajo di...”, tregon Nurteni për Radion Evropa e Lirë.
Ada, e cila merr shërbime në qendrën në Prizren, është në klasën e nëntë dhe vijon mësimet në një klasë të bashkëngjitur ku ka edhe persona të tjerë me aftësi të kufizuara, thotë nëna e saj.
“Ada i shkruan të gjitha që i thua, reciton... atë që e mëson, nuk e harron asnjëherë”, thotë Nurteni.
Përveç problemit me punësim, personat me sindromën Down vazhdojnë të përballen me sfida të tjera, si ajo e pranimit nga shoqëria, thotë edhe punëtorja sociale në shoqatën në Prizren.
“Personat me [sindromën] Down duhet të integrohen më shumë. Ne si terapistë e bëjmë punën në maksimum, por ne nuk mund t’i trajtojmë njerëzit jashtë... Ata ende i shohin me keqardhje, jo vetëm personat me Down, por edhe të tjerët me aftësi të kufizuara”, thotë Ajgyl Hapqi.
“Ne jemi të barabartë. Në fund të ditës, ne i kemi të njëjtat të drejta, edhe pse ata e kanë dyfish më vështirë”, shton ajo.
Aktivitetet në qendër, personat me sindromën Down i përfundojnë para orës 17:00.
Prej aty, Ndalorja shkon në shtëpi duke e ditur se të nesërmen do të ketë punë.
“Nuk lodhem shumë, sepse jam ende vajzë e re”, thotë ajo.