Ndërlidhjet

Opozita akuzon Qeverinë për punësime të paligjshme para referendumit


Ilustrim
Ilustrim

Punësimet në organet shtetërore dhe ndërmarrjet publike në prag të referendumit për Marrëveshjen e emrit me Greqinë, nga opozita shihen si përpjekje e pushtetit që në të gjitha mënyrat e mundshme të sigurojë përkrahje për suksesin e referendumit.

Partia opozitare, VMRO-DPMNE pretendon se në periudhën e fundit janë punësuar rreth gjashtë mijë persona në administratën publike, punësime këto që sipas këtij subjekti politik, janë bërë duke shkelur në mënyrë flagrante dispozitat ligjore.

“Të gjitha aprovimet për punësime gjatë vitit 2018, që janë bërë në kundërshtim me ligjet në fuqi duhet të shpallen në pavlefshme, dhe rrjedhimisht të gjitha punësimet që janë bërë me shkelje të procedurave ligjore, duhet të anulohen. Gjithashtu kërkojmë që ministrat e Financave dhe të Administratës Publike të janë dorëheqje të parevokueshme”, ka deklaruar Nikolla Micevski, deputet i VMRO-DPMNE-së duke theksuar se punësimet e bëra në prag të referendumit janë anti-ligjore dhe në kundërshtim me deklarimet e Qeverisë për një administratë të vogël dhe efikase.

Nga Qeveria kanë hedhur poshtë pretendimet e opozitës duke theksuar se nuk bëhet fjalë për 6 mijë punësime, por për rreth 2.500, e për të cilët procedurat kanë nisur që nga viti 2017, por që janë zvarritur për shkak të procedurave administrative, apo lëshimeve të bëra në procedurat e konkursit.

Për punësimet në prag të referendumit, dallime në qëndrime ka edhe mes ekspertëve. Arif Musa, ish-anëtar i Komisionit Kundër Korrupsionit, thotë se që nga data e shpalljes së referendumit, dispozitat në fuqi ndalojnë të gjitha punësimet në institucionet e sistemit.

“Dispozitat ligjore janë të thjeshta dhe të qarta. Me shpalljen e datës së referendumit nuk guxon të shpallen konkurse për punësime të reja në administratë dhe institucionet tjera shtetërore dhe publike, ndërmarrje publike, pushtet lokal, e tjerë. Pra, me ditën e shpalljen së referendumit duhet të ndërpriten të gjitha punësimet me përjashtim të rasteve të veçanta, nëse punësimet janë të pashmangshëm, në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore”, thotë Musa.

Por, ndryshe mendon Temellko Ristevski, profesor i së drejtës kushtetuese.

“Referendumi nuk duhet të shihet sikur zgjedhjet parlamentare ku kemi një garë mes pozitës dhe opozitës për të ardhur në pushtet. Referendumi është diçka krejt tjetër, ka një karakter të lartë etik, që Maqedonia një ditë të bëhet pjesë e familjes së popujve evropian. Andaj edhe në këtë çështje etike nuk shoh asgjë joetike sa i përket punësimeve që mund të jenë bërë, për të arritur ndonjë pikë sa i përket realizimit të synimit tonë për anëtarësim në strukturat euroatlantike. Pra, kemi një situatë ndryshe nga zgjedhjet parlamentare apo lokale kur partitë keqpërdorin pozitën për arritjen e qëllimeve politike”, thotë Ristevski.

Por, Arif Musa, ish-anëtar i Komisionit Kundër Korrupsionit, thotë se ligji është i qartë se pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për referendum apo zgjedhje, punësimet ndërpriten deri në përfundimin e votimeve.

“Edhe këto janë një formë e zgjedhjes, e daljes së qytetarëve në votime që të japin votën e tyre për ose kundër çështjes së është ngritur. Për të qytetarët mund të joshen paraprakisht që të mbështetin zgjidhjen që kërkohet. Referendumi është shpallur nga partitë në pushtet, nuk e ka shpallur opozita. Do të thotë, nuk duhet të ketë punësime apo gjëra tjera joshëse për qytetarët që kjo të ndikojë në rezultatin e referendumit apo të zgjedhjeve”, thotë Musa.

Polemika për punësime partiake ka pasur pothuajse në të gjitha ciklet zgjedhore. Partitë që kanë qenë në pushtet kanë realizuar punësime të shumta, por shumë prej tyre pas ndërrimit të pushtetit janë zëvendësuar me kuadro partiak apo janë pushuar nga puna.

Ndryshe, Maqedonia kanë një administratë të madhe prej mbi 150 mijë të punësuarve, gjë që në vazhdimësi ka qenë në shënjestër të kritikave të Bashkimit Evropian që kërkon administratë të vogël, efikase dhe profesionale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG