Ndërlidhjet

Shkallë e ulët e punësimit të personave me nevoja të veçanta


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Daut Hoxha është i verbër. Ai ka të përfunduar Fakultetin Juridik. Aktualisht, është duke e mbajtur praktikën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku edhe jeton me familjen e tij. Ai është i vetmi anëtar i verbër në familje, pasi gruaja dhe dy fëmijët e tij nuk e kanë këtë problem shëndetësor.

Për Radion Evropa e Lirë, Daut Hoxha, thotë se institucionet e vendit nuk po bëjnë aq sa duhet për personat me nevoja të veçanta, sa i përket punësimit.

Megjithëkëtë, ai mban shpresë që pas praktikës edhe do të mund të punësohet në këtë gjykatë.

“Qasja është e mirë, personeli shumë i mirë. Kam përkrahje shumë të madhe edhe nga gjyqtarët, edhe nga i gjithë stafi. Po shpresoj që në një të ardhme të afërt të gjithë personave me aftësi të kufizuara do t’u jepet shans të mbajnë praktikë, qoftë në nivelin qendror apo lokal. Unë kam shumë shpresë që do të punësohem në Gjykatën Themelore në Ferizaj”, thotë Hoxha.

Sebahate Hajdini-Beqiri, drejtoreshë e shoqatës “Down Sindrom Kosova”’, bën të ditur se shkalla e punësimit të personave me nevoja të veçanta në Kosovë, është shumë e ulët. Ajo shton se nuk ka statistika të sakta, por sa i përket personave me sindromën Down, nga më shumë se 50 mijë sa i ka Kosova, janë gjithsej 6 persona të punësuar, dhe atë në sektorin privat.

“Në kuadër të projektit ‘Promovimi i aftësive për punësim të personave me aftësi të kufizuar në Kosovë’, projekt i shoqatës ‘Down Sindrom Kosova’, që mbështetet nga organizata gjermane GIZ, kemi nënshkruar marrëveshje me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Projekti synon të ngrisë kapacitetet e qendrave të aftësimit profesional, por që në kuadër të projektit do të mbështetet edhe zhvillimi i aftësive profesionale, jo vetëm të personave me sindromën Down, por edhe të një numri të personave me aftësi të kufizuar në katër regjione të Kosovës: Gjakovë, Pejë, Ferizaj dhe Gjilan. Në kuadër të këtij projekti do të trajnohen 56 persona me aftësi të kufizuara”.

“Projekti synon që pas trajnimeve, fillimisht personat që janë pjesë e trajnimeve ne si shoqatë do të fillojmë bashkëpunimin me institucione private dhe publike, që fillimisht t’u mundësohet punë praktike me pagesë këtyre personave .Ndërkaq sa i përket punësimit të personave me aftësi të kufizuar, në përgjithësi në Kosovë nuk është i kënaqshëm numri i të punësuarve”.

“Statistika nuk ka, por ne si shoqatë, anëtarët e komunitetit tonë, i kemi të punësuar vetëm 6 persona, e që të gjithë janë të punësuar në institucione private”, sqaron Beqiri.

Ndërkaq, Mimoza Kqiku, zyrtare për informim në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Social, thotë për Radion Evropa e Lirë se në Ministrinë e Punës, janë të punësuar 5 persona me nevoja të veçanta.

Ajo shton se vitin e kaluar, janë përfshirë më shumëse 20 persona me nevoja të veçanta në punësim, ndërkaq rreth 70 në aftësim profesional.

Një marrëveshje e nënshkruar së fundmi nga Ministria ePunës dhe Mirëqenies Sociale, parasheh përfshirjen edhe të 56 të rinjve në aftësim profesional.

“Ne në vazhdimësi përpiqemi që t’u japin mundësi personave me nevoja të veçanta për punësim. Ajo çfarë ne kemi bërë për t’i krijuar lehtësira punësimit për persona me aftësi të kufizuara, kanë qenë disa iniciativa ligjore që i kemi marrë. Para pak muajsh është miratuar në Qeveri një rregullore për lehtësira tatimore dhe doganore nëpërmjet së cilës ne po përpiqemi që punëdhënësit që punësojnë persona me aftësi të kufizuar”.

“Ne kemi nxjerrë edhe një udhëzim administrativ, i cili obligon punëdhënësin që në çdo 50 të punësuar në bizneset e tyre të jetë një me aftësi të kufizuar, në të kundërtën t'i paguajnë shtetit një shumë të caktuar të pagës minimale”, thekson Kqiku.

Ligji për aftësim, riaftësim dhe punësim për personat me nevoja të veçanta i obligon institucionet që të punësojnë një person me nevoja të veçanta në çdo 50 të punësuar, por që ky ligj nuk ka gjetur zbatim në Kosovë, thonë vetë pjesëtarët e kësaj kategorie të shoqërisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG