Ndërlidhjet

Pse po protestojnë palestinezët kundër Abbasit?


Protesta pas vdekjes së Nizar Banat. Bregu Perëndimor, 24 qershor, 2021.
Protesta pas vdekjes së Nizar Banat. Bregu Perëndimor, 24 qershor, 2021.

Mijëra palestinezë kanë dalë nëpër rrugë ditëve të fundit, për të protestuar kundër presidentit Mahmoud Abbas dhe Autoritetit Palestinez, forcat e sigurisë të të cilit, bashkë me mbështetësit, kanë shpërndarë dhunshëm ata.

Protestat kanë shpërthyer pas vdekjes së një kritiku të mirënjohur të Autoritetit Palestinez, teksa ka qenë në mbajtje javën e kaluar, mirëpo ankesat shkojnë përtej këtij rasti.

Popullariteti i Abbasit ka rënë pas anulimit të zgjedhjeve të para në 15 vjet, në muajin prill, si dhe pasi ai ka mbetur anash nga lufta që ka përfshirë Gazën në muajin maj.

Autoriteti Palestinez është konsideruar për kohë të gjatë si i përfshirë në korrupsion dhe jotolerant ndaj pajtimit. Ky Autoritet është nga manifestimet e fundit të procesit të paqes, që nuk ka qenë shumë aktiv për më shumë se një dekadë dhe konsiderohet nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, si partner kyç për promovim të stabilitetit.

Shtet në pritje

Autoriteti Palestinez është krijuar në vitet 1990 përmes marrëveshjeve të përkohshme për paqe në mes të Izraelit dhe Organizatës për Çlirim të Palestinës (PLO), e cila ende përfaqëson kauzën në nivel ndërkombëtar.

Autoriteti Palestinez është konsideruar shtet në pritje dhe i është garantuar autonomi e kufizuar në disa pjesë të Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës.

Izraeli dhe Organizata për Çlirim të Palestinës, kanë mbajtur një varg bisedimesh për paqe më 1990 dhe 2000. Palestinezët, duke negociuar nga pozita e më të dobëtit, kanë kërkuar shtet të pavarur në lindje të Jerusalemit, Bregun Perëndimor dhe Gazën, territore që Izraeli i ka pushtuar në luftën e vitit 1967.

Bregu Perëndimor.
Bregu Perëndimor.

Palët kurrë nuk kanë arritur te një marrëveshje, dhe nuk ka pasur bisedime përmbajtësore prej vitit 2009.

Grupi militant Hamas ka fituar pushtetin në Gaza më 2007, një vit pas fitores bindëse në zgjedhjet palestineze. Kjo gjë ka kufizuar autoritetin e Abbasit në disa pjesë të Bregut Perëndimor.

Dhjetëra përpjekje për pajtim palestinez përgjatë viteve, kanë dështuar.

Ndonëse Autoriteti Palestinez ka ministri dhe forca të sigurisë, autoriteti i tij është i kufizuar në qendrat më të popullarizuara, që i bie te rreth 40 për qind e Bregut Perëndimor.

Izraeli ka autoritet më të zgjeruar dhe ka qasje në territoret e Autoritetit Palestinez, gjë që palestinezët e krahasojnë vazhdimisht me formën e qeverisjes Bantustan, të krijuar nga aparteidi në Afrikën Jugore.

Rritja e autoritarizmit

Autoriteti Palestinez, me autoritarizëm në rritje, dominohet nga partia sekulare Fatah, e Abbasit, e cila drejtohet nga një rreth i ngushtë i burrave në të 60-at dhe 70-at e tyre.

Abbas, 85-vjeçar, mandati presidencial katërvjeçar i të cilit ka skaduar më 2009, udhëheq Autoritetin Palestinez, Organizatën për Çlirim të Palestinës dhe partinë Fatah.

Udhëheqësia e Autoritetit Palestinez, që gëzon privilegje speciale për bashkëpunim me Izraelin, konsiderohet nga palestinezët si e korruptuar dhe në shërbim të vetes.

Politika e saj e koordinimit me Izraelin, për të ndjekur Hamasin, dhe armiq tjerë të përbashkët, është jashtëzakonisht e papëlqyer.

Protestuesit në xhaminë Al-Aksa, kanë akuzuar të premten Autoritetin Palestinez se është kthyer në bashkëpunëtore, akuzë e barasvlershme me tradhti.

Javën e kaluar, forcat e sigurisë kanë bastisur një shtëpi në Bregun e pushtuar Perëndimor, për të arrestuar Nizar Banat, i cili ka kritikuar vazhdimisht Autoritetin Palestinez për postimet online.

Familja e tij ka thënë se atë e kanë rrahur, para se ta tërhiqnin zvarrë.

Autoriteti Palestinez ka thënë se ka nisur hetime për vdekjen e tij, e cila ka nxitur protestat e fundit.

Banat ka qenë kandidat në zgjedhjet parlamentare, që Abbas i ka anuluar në muajin prill, pasi është besuar se partia Fatah mund të përballej me humbje turpëruese ndaj Hamasit.

Gjatë luftës në Gaza, që ka shpërthyer disa javë më vonë, Hamas është konsideruar si mbrojtës i të drejtave të palestinezëve dhe mbrojtës i Jerusalemit, derisa Autoriteti Palestinez nuk ka bërë asgjë.

Në një sondazh të kryer pas luftës, është parë rritje dramatike e mbështetjes për Hamasin, pasi më shumë se gjysma e respodentëve, kanë thënë se ai duhet të udhëheqë lëvizjen palestineze.

Qëndrimi në pushtet

Pavarësisht mungesës së popullaritetit, Abbas mund të varet në mbështetjen e miqve të fuqishëm si Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe donatorët perëndimorë, që kanë investuar tejet shumë në mbijetesën e Autoritetit Palestinez.

Ky Autoritet po ashtu paguan paga për qindra dhjetëra shërbyes civilë palestinezë, të cilët përndryshe do të gjenin punë me vështirësi.

Duke udhëhequr qendra të mëdha të popullsisë, Autoriteti Palestinez kufizon barrën ushtarake dhe atë financiare të Bregut Perëndimor, të pushtuar që 54 vjet nga Izraeli.

Ky trup po ashtu ndihmon në ruajtjen e idesë për zgjidhje eventuale me dy shtete, ndonëse Izraeli zgjeron hapësirën e vendbanimeve hebreje dhe konsolidon kontrollin në Bregun Perëndimor dhe lindjen e Jerusalemit.

Bashkimi Evropian ka investuar qindra miliona dollarë në Autoritetin Palestinez përgjatë viteve dhe SHBA-ja, ashtu si dhe kombet tjera, kanë trajnuar dhe pajisur forcat e sigurisë.

Administrata e presidentit amerikan Joe Biden, ka thënë se shpreson se do të forcojë Autoritetin Palestinez, dhe do të punojë për rindërtim të Gazas – ku ky Autoritet nuk ka pushtet.

Izraeli, SHBA-ja dhe BE-ja, preferojnë Autoritetin Palestinez, për dallim nga Hamasi, të cilin e konsiderojnë grup terrorist.

Këto vende janë të përkushtuara për të punuar me këtë Autoritet, për të menaxhuar konfliktin, dhe për të ulur tensionet, deri dikur në të ardhmen, kur procesi i paqes mund të jetësohet.

Mirëpo pas disa javësh të trazirave në Jerusalem, luftës në Gaza dhe tani dhunës në rrugë në Bregun Perëndimor, kjo qasje duket e më e largët.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG