Ndërlidhjet

Pse është blasfemia çështje kaq e ndjeshme në Pakistan?


Njerëzit të mbledhur në një ndërtesë kishe të vandalizuar nga protestuesit në Jaranvala, Pakistan, më 16 gusht 2023.
Njerëzit të mbledhur në një ndërtesë kishe të vandalizuar nga protestuesit në Jaranvala, Pakistan, më 16 gusht 2023.

AFP

Blasfemia konsiderohet akuzë nxitëse në Pakistanin me shumicë myslimane, ku edhe dyshimet e pavërtetuara për sulme ndaj Islamit dhe Profetit Muhamed, mund të nxisin vrasje nga ata që mëtojnë ta marrin drejtësinë në duart e tyre.

Sa e shpeshtë është dhuna në Pakistan për blasfemi dhe pse është çështje kaq e ndjeshme?

Cila është shkalla e dhunës?

Prej vitit 1990, të paktën 85 persona janë vrarë lidhur me dyshimet për blasfemi, sipas mediave lokale dhe hulumtuesve.

Aty janë përfshirë individë të akuzuar për blasfemi, fëmijët e tyre, avokatët, gjykatësit që kanë marrë pjesë në raste, si dhe persona tjerë.

Në mesin e të vrarëve ka pasur pjesëtarë të minoriteteve fetare, politikanë të njohur, studentë, klerikë dhe persona me sëmundje mendore.

Ata janë djegur për së gjalli, janë varur nga turmat, janë qëlluar me armë zjarri në salla të gjyqit dhe janë tërhequr zvarrë në rrugë.

Një kishë e vandalizuar nga protestuesit në Jaranvala, Pakistan, 16 gusht 2023.
Një kishë e vandalizuar nga protestuesit në Jaranvala, Pakistan, 16 gusht 2023.

Sa e përhapur është kjo temë?

Prej vitit 2011, kur guvernatori i Punxhabit, Salmaan Taseer, është qëlluar për vdekje nga pjesëtari i sigurimit të tij, për shkak se ka bërë thirrje për reforma në ligjet për blasfeminë.

Në ditët e sotme, dyshimet për blasfemi zakonisht bëhen edhe për t’iu bërë presion kundërshtarëve nëpër konflikte të ndryshme politike dhe deklarime të tilla bëjnë edhe liderët.

Vrasja e Taseerit është duartrokitur nga shumë persona dhe pas vrasjes ka pasuar rritja e partisë së ekstremit të djathtë Tehreek-e-Labbaik Pakistan (TLP), e cila bën thirrje që personave që bëjnë blasfemi t’iu pritet koka.

Rritja e mbështetjes për këtë parti ka rezultuar me rritje të numrit të rasteve të blasfemisë, të ngritura mbi baza ideologjike.

A janë minoritetet më të rrezikuara?

Shumica e atyre që janë akuzuar për blasfemi në Pakistan janë myslimanë, mirëpo pjesëtarë të minoriteteve fetare janë posaçërisht të kërcënuar, sipas grupeve për të drejta të njeriut.

Të krishterët – të cilët përbëjnë rreth 1.3 për qind të popullsisë së Pakistanit me 250 milionë banorë – kanë qenë veçanërisht të rrezikuar, pasi lagjet e tyre në qytetet si Lahore, Gojra, Jaravala dhe kryeqytetin Islamabad janë djegur apo janë sulmuar, nëse pjesa tjetër e popullsisë ka pasur dyshime për blasfemi.

Kisha e djegur e Shën Gjonit në Jaranvala në periferi të Faisalabadit, më 17 gusht 2023, një ditë pas një sulmi nga burra myslimanë pas akuzave të përhapura se të krishterët kishin përdhosur Kuranin.
Kisha e djegur e Shën Gjonit në Jaranvala në periferi të Faisalabadit, më 17 gusht 2023, një ditë pas një sulmi nga burra myslimanë pas akuzave të përhapura se të krishterët kishin përdhosur Kuranin.

Sa herë ka shpërthyer dhuna kundër blasfemisë, policia lokale është parë shpesh duke qëndruar në qoshe dhe duke i lënë turmat që të kryejnë sulme – shpeshherë nga frika se edhe ata mund të klasifikohen si “blasfemues”, që nuk po i lejojnë linçimet.

Çfarë thonë ligjet?

Ligjet për blasfeminë në Pakistan – disa të trashëguara nga udhëheqësit kolonialë britanikë – janë përdorur pak deri në vitet 1970 dhe ’80, kur edhe janë ashpërsuar edhe janë zgjeruar, duke përfshirë më shumë klauzola specifike se kur diçka përbën fyerje ndaj islamit.

Deri më 2023, janë regjistruar të paktën 53 raste të personave në mbajtje në Pakistan, nën akuzat për blasfemi, sipas Komisionit amerikan për Liritë Ndërkombëtare Fetare.

Gjyqtarët që kanë qenë në seancat për blasfemi kanë raportuar se përballen me presion për t’i dënuar këta persona, pavarësisht dëshmive, dhe shpesh bëjnë ashtu duke u frikësuar se mund të bëhen shënjestra të dhunës fizike nëse nuk veprojnë.

Sipas ligjeve aktuale – të cilat janë ashpërsuar edhe më shumë këtë vit – ofendimi ndaj Profetit Muhamed bart dënim me vdekje, ndërsa dëmtimi i librit të shenjtë, Kuranit, dënohet me burgim të përjetshëm.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG