Ndërlidhjet

Opozita në Shqipëri proteston dhe refuzon dialogun


Një protestues ka vendosur një maskë me fytyrën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një proteste të mëparshme në Tiranë.
Një protestues ka vendosur një maskë me fytyrën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një proteste të mëparshme në Tiranë.

Mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria janë mbledhur në kryeqytetin e Tiranës të thirrur në protestë nga opozita për të kërkuar largimin e Qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit, Edi Rama.

Protestuesit janë mbledhur fillimisht para ndërtesës së Kryeministrisë, për të vazhduar një marshim deri te Parlamenti i Shqipërisë, ku disa prej tyre edhe shkatërruan gardhin metalik dhe hodhën gurë e tymuese në drejtim të policisë dhe institucionit.

Policia përdori autobote uji për të shpërndarë protestuesit e dhunshëm. Protesta, përveç këtij incidenti, përfundoi e qetë.

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, duke iu drejtuar turmës së protestuesve nga selia e partisë së tij, tha se tani është koha për zgjidhje politike dhe për zgjedhje të lira.

Lideri i PD-së, Lulzim Basha, foto nga arkivi.
Lideri i PD-së, Lulzim Basha, foto nga arkivi.

“Mesazhi ynë është i qartë, ne jemi gati të sakrifikojmë gjithçka për votën e lirë. Ne jemi popull i Evropës dhe nuk do të pranojmë kurrë despotizmin anti-evropian të një qeverie banditësh dhe kriminelësh të cilët kanë marrë peng vendin, kanë kapur drejtësinë dhe kanë bllokuar rrugëtimin tonë drejt Evropës. Ne sot japim këtë mesazh të qartë e të vendosur. Evropa e dëgjoi zërin tonë dhe tani është koha për zgjidhjen politike dhe largimin e Edi Ramës, qeverisë transitore, zgjedhjeve të lira e të ndershme”, tha Basha.

Në anën tjetër, kryeministri Edi Rama, në katër ditët e fundit i ka dërguar letra të hapura kreut të PD-së duke e ftuar atë për dialog. Ai i ka thënë zotit Basha se “edhe armiqtë dialogojnë, madje edhe kur janë në llogoret e luftës prej vërteti, ata e ndalin këmbimin e zjarreve dhe i lenë një kohë këmbimit të fjalëve”.

“Ndërsa kundërshtarët në demokraci hedhin e presin shumicën e kohës, po ka gjithnjë një kohë kur ulen e flasin, sepse demokracia edhe mur edhe urë, fjalën ka”, ka shkruar kryeministri në një nga letrat e tij.

Misionet diplomatike të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara i kanë bërë thirrje për dialog të dy palëve, dhe kanë shprehur gatishmëri të ndërmjetësojnë një dialog të tillë.

Ata, për protestën e së shtunës i kanë bërë thirrje organizatorëve për qetësi dhe kanë kërkuar që të gjithë pjesmarrësit të përmbahen duke qëndruar larg dhunës.

“Nxitja e përplasjeve fizike apo hedhja e mjeteve plasëse, bombave molotov dhe gurëve, është jodemokratike dhe e paligjshme. Ata që përfshihen në akte dhune kryejnë një krim dhe duhen vënë përpara përgjegjësisë”, u tha në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Edhe delegacioni i Bashkimit Evropian dhe ambasadat e vendeve anëtare me seli në Tiranë kanë thënë se “ne dënojmë aktet e dhunës që kanë ndodhur në protestat e mëparshme dhe u bëjmë thirrje udhëheqësve të protestës si dhe autoriteteve shqiptare që të sigurojnë që demonstrata e sotme të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Të gjitha palët e përfshira kanë përgjegjësinë për të garantuar sigurinë e atyre që janë në rrugët e Tiranës sonte. Nuk ka vend për dhunë në një protestë paqësore. Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë përgjegjësinë për të vepruar me vetëpërmbajtje, edhe nëse provokohen”.

Protesta e së shtunës ka shënuar protestën e gjashtë kombëtare që nga mesi i muajit shkurt, kur partitë opozitare Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, bashkë me aleatët e tyre të djathtë u larguan nga Parlamenti duke hequr dorë nga mandatet e tyre si deputetë në Kuvend.

Kërkesa kryesore e tyre është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie transitore që garanton organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Ajo ka vendosur të bojkotojë dhe zgjedhjet lokale të 30 qershorit, duke kërcënuar se nuk do të lejojë mbajtjen e tyre.

Në anën tjetër, Qeveria në krye me Edi Ramën, partia e së cilit ka shumicën e ulëseve në Kuvend dhe njihet si qeveri legjitime brenda dhe jashtë vendit, thotë se zgjedhjet vendore do të zhvillohen në datën e caktuar dhe më 30 qershor qytetarët do të zgjedhin kryetarët e bashkive të tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG