Qytetarë të shumtë në Prishtinë protestuan më 31 gusht kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Protesta u thirr nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist pasi u bë publik rasti i dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë nga pesë të dyshuar.
Me brohoritjet “Mbrojtje për vajzat dhe gratë”, “Shteti fajtor”, “Përdhunimi është krim”, “Jo, do të thotë Jo”, “Nuk po ndihem e sigurt” "Edhe sa", qytetarët marshuan nga sheshi Zahir Pajaziti drejt ndërtesës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës.
Protestuesit hodhën ngjyrë të kuqe në drejtim të ndërtesës së Këshillit Gjyqësor. Ata po kërkojnë dënim meriton për të dyshuarit e dhunimit të të miturës. Të njëjtën gjë bën edhe ndaj ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
"Rasti i përdhunimit të së miturës është alarm për të gjithë ne e pikë së pari për shtetin i cili edhe sot vazhdon të jetë në anën e dhunuesve. Është pikërisht ky sistem patriarkal, me të gjitha patericat e veta, ai i cili është duke prodhuar vazhdimisht përdhunues", tha një nga organizatoret e protestës.
Protestuesit më pas u ulën në shkallët e ndërtesës së Qeverisë, para së cilës kishte pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Sipas protestuesve, vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, në Policinë e Kosovës janë raportuar 36 raste të dhunimit. Prandaj, sipas tyre, rasti i dhunimit të të miturës në Prishtinë nuk është vetëm "një ngjarje e shëmtuar dhe e trisht", por "shpërfaqje e dhunës sistematike që vajzat dhe gratë në Kosovë e përjetojnë në baza ditore".
Autoritetet në Kosovë kanë arrestuar pesë autorët që dyshohet se kanë dhunuar të miturën në Prishtinë më 27 gusht në Prishtinë. Ndaj katër prej tyre është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Në mesin e të arrestuarve janë edhe tre persona të mitur.
Dhunimi thuhet se ka ndodhur më 27 gusht në një park në Prishtinë.
Viktima, sipas Policisë së Kosovës, është dërguar në një strehimore.
Edhe më 30 gusht, në Prishtinë para Teatrit Kombëtar është mbajtur një protestë, përmes së cilës, qytetarët kanë kërkuar që të bëhen publike emrat e të dyshuarve për dhunë seksuale.