Ndërlidhjet

Protestë në Beograd, një pjesë e opozitës kërkon anulimin e zgjedhjeve në kryeqytetin serb


Demonstruesit para selisë së Komisionit Republikan Zgjedhor në Beograd, Serbi, 18 dhjetor 2023.
Demonstruesit para selisë së Komisionit Republikan Zgjedhor në Beograd, Serbi, 18 dhjetor 2023.

Një numër i madh qytetarësh kanë protestuar të hënën në qendër të Beogradit, duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve lokale të mbajtura në kryeqytetin serb më 17 dhjetor.

Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” e thirri këtë protestë, pasi pretendon se fitorja e Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet në Beograd “është rezultat i vjedhjes së zgjedhjeve”.

“Ne nuk duam dhe nuk guxojmë t'i njohim zgjedhjet në Beograd, sepse janë kundër ligjit, janë keqpërdorur njerëz nga vendet e tjera”, tha përfaqësuesja e koalicionit “Serbia kundër dhunës”, Marinika Tepiq, gjatë protestës para selisë së Komisionit Republikan Zgjedhor (KRZ).

Ajo deklaroi se koalicioni i saj ka "dhjetëra mijëra prova" për rishkrimin e vullnetit elektoral të qytetarëve.

Liderët e koalicionit opozitar "Serbia kundër dhunës" përballë selisë së Komisionit Republikan të Zgjedhjeve në Beograd, Serbi, 18 dhjetor 2023.
Liderët e koalicionit opozitar "Serbia kundër dhunës" përballë selisë së Komisionit Republikan të Zgjedhjeve në Beograd, Serbi, 18 dhjetor 2023.

“Ne kemi prova dhe kërkojmë anulimin e zgjedhjeve të Beogradit”, tha Tepiq para se disa nga përfaqësuesit e koalicionit opozitar të hynin në selinë e KRZ-së për ta paraqitur kërkesë për anulimin e zgjedhjeve.

Dy liderë opozitarë shpallin grevë urie

Marinika Tepiq bëri të ditur se, ajo bashkë me një tjetër kryesuese të listës “Serbia kundër dhunës” Miroslav Aleksiq, do të futen në një grevë urie deri në, siç tha ajo, anulimin e zgjedhjeve.

Demonstruesit para hyrjes së KRZ-së fishkëllyen dhe brohoritën: “Nuk do të japim fitore”, “Tradhti”, “Hajna”, si dhe hodhën vezë, domate dhe letra higjienike në drejtim të ndërtesës së komisionit.

Një incident ndodhi për një çast kur një grup i vogël protestuesish tentoi ta thyente një gardh mbrojtës që ishte vendosur para selisë së komisionit.

Disa protestues hodhën domate në hyrje të selisë së Komisionit Republikan të Zgjedhjeve në qendër të Beogradit, Serbi, 18 dhjetor 2023.
Disa protestues hodhën domate në hyrje të selisë së Komisionit Republikan të Zgjedhjeve në qendër të Beogradit, Serbi, 18 dhjetor 2023.

Drejtuesit e opozitës parandaluan zhvillimin e ndonjë incidenti të madh, duke i bërë thirrje turmës që “të mos binte në provokime”, dhe të qëndronte e qetë.

Partitë e koalicionit "Serbia kundër dhunës" pretendon se në zgjedhjet lokale në Beograd të 17 dhjetorit SNS-ja e shkeli vullnetin elektoral të qytetarëve.

“Duke pasur parasysh se më shumë se 40.000 persona pa vendbanim të ligjshëm u sollën në Beograd në mënyrë të organizuar për të mbështetur listën e SNS-së, e cila ndryshoi në mënyrë drastike vullnetin elektoral të qytetarëve të Beogradit, ne kërkojmë anulimin e zgjedhjeve në qytetin e Beogradit dhe përsëritja e votimit për Kuvendin Komunal”, tha koalicioni.

Nga ky koalicion, po ashtu, kërkuan “pastrimin e listës zgjedhore”.

Më herët, SNS hodhi poshtë akuzat se ka ndikuar në vullnetin e qytetarëve gjatë zgjedhjeve të 17 dhjetorit.

Presidenti i SNS-së, Millosh Vuçeviq, deklaroi se është “i sigurt” se lista e tij ka fituar në kryeqytetin serb, Beograd, dhe se ai beson se Alleksandar Shapiq, do të jetë “kryetari i ri apo i vjetër” i qytetit.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Zgjedhor të Qytetit, lista e SNS-së fitoi 39.3 për qind të votave (49 mandate) në zgjedhjet e Beogradit, ndërsa lista "Serbia kundër dhunës" 34.3 për qind (42 mandate).

Serbia ka mbajtur të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore.

SNS-ja e ka shpallur fitoren në të gjitha nivelet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG