Për të dytën ditë me radhë, serbët lokalë në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po protestojnë kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të këtyre tri komunave.
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë, që po përcjellin nga afër këto protesta, raportuan se në Zveçan në mëngjesin e 30 majit janë mbledhur një numër më i vogël protestuesish, krahasuar me një ditë më parë.
Ndërtesën e kësaj komune po e ruajnë trupat paqeruajtëse të KFOR-it, të cilët të hënën u përleshën me protestuesit serbë. Nga përleshjet u lënduan 30 ushtarë ndërkombëtarë dhe disa protestues.
*Video: Serbët protestojnë në Zveçan
Në Leposaviq janë tubuar mbi 100 njerëz para ndërtesës komunale. Ndërkaq, në Zubin Potok, sipas gazetarëve në terren, para ndërtesës komunale janë mbledhur qindra qytetarë.
Ndërtesën e komunës së Zubin Potokut po e ruajnë zyrtarët e Policisë së Kosovës, ndërkaq në këtë komunë, pjesëtarë të KFOR-it janë parë të dislokuar në afërsi të kësaj ndërtese.
Serbët po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i shtetit.
- Për t'u informuar lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, përcillni blogun e Radios Evropa e Lirë
Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.
Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunalë nëntorin e kaluar. Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë.