Mijëra bjellorusë protestojnë çdo ditë në rrugë, që nga zgjedhjet e diskutueshme të 9 gushtit, duke kërkuar dorëheqjen e udhëheqësit autoritar, Alyaksandr Lukashenka.
Sipas tyre, zgjedhjet janë manipuluar, për t’i siguruar fitore Lukashenkës, përballë një kandidateje të opozitës, e cila ka tërhequr mbështetje të paparë përpara zgjedhjeve.
Protestat janë përqendruar në çështje të brendshme, praktikisht tek e ardhmja e Lukashenkës, i cili mban pushtetin tash e 26 vjet, duke shtypur disidentët dhe mediat, si dhe duke organizuar zgjedhje që cilësohen si jodemokratike nga kundërshtarët dhe vëzhguesit ndërkombëtarë.
Por, më 3 shtator, ka pasur diçka të re sipas vëzhguesve: në mesin e flamujve me vija të kuqe të republikës së parë të pavarur bjelloruse - që janë simboli kryesor i opozitës ndaj Lukashenkës - ka pasur edhe mesazhe që paralajmëronin Moskën kundër ndërhyrjes në punët e fqinjit të saj perëndimor.
Demonstruesit mbanin shenja që lexonin: “Ne jemi bjellorusë, jo rajon rus” dhe “Putin, me kë je”?
Lukashenka, i cili pak para zgjedhjeve e ka akuzuar Kremlinin për dërgimin e mercenarëve në Bjellorusi për të shkaktuar trazira, i është drejtuar tani aleatit të tij tradicional për mbështetje.
Vendet perëndimore, në anën tjetër, e akuzojnë atë për manipulim të votave dhe shtypje të përgjakshme të protestave, që vazhdojnë qysh pas zgjedhjeve.
Presidenti rus, Vladimir Putin, i cili prej kohësh e ka nxitur Lukashenkën që të pranojë një integrim më të ngushtë midis vendeve të tyre, ka shprehur së voni mbështetje më të fuqishme për udhëheqësin bjellorus.
Protesta e 3 shtatorit ka pasuar një takim, po atë ditë në Minsk, midis Lukashenkës dhe kryeministrit rus, Mikhail Mishustin, i cili ka thënë se është bërë përparim drejt integrimit më të thellë të Rusisë dhe Bjellorusisë.
Sipas Mishustinit, dy vendet kanë bërë hapa drejt formalizimit të “Kabinetit të Ministrave të Unionit” dhe të “masave tjera ekonomike”.
Presioni për integrim
Në të kaluarën, Lukashenka ka kundërshtuar masat e tilla si krijimi i një monedhe të përbashkët.
Udhëheqësja e opozitës, Syatlana Tsikhanouskaya, e cila pretendon se i ka fituar zgjedhjet e 9 gushtit me 60-70 për qind të votave, e ka dënuar takimin në Minsk.
Tsikhanouskaya, e cila është strehuar në Lituani shumë shpejt pas zgjedhjeve, ka thënë se sovraniteti i Bjellorusisë nuk mund të bëhet çështje pazari.
Ajo ka shprehur dyshim se “vendimet dhe marrëveshjet që mund t’i nënshkurajë Lukashenka, do të njihen nga qeveria e re”, që do të thotë qeveria e pas Lukashenkës.
Ashtu si udhëheqësit e tjerë të opozitës, Tsikhanouskaya ka kërkuar nga të huajt që të mos i shohin trazirat në Bjellorusi përmes prizmit të një përballjeje gjeopolitike midis Moskës dhe Perëndimit.
Më herët, ajo i ka thënë Radios Evropa e Lirë se opozita bjelloruse nuk ka probleme me Rusinë. Por, u ka bërë thirrje të gjitha vendeve që të respektojnë sovranitetin dhe vullnetin e njerëzve të Bjellorusisë.
Nexta, një kanal në aplikacionin Telegram, i cili ka dokumentuar dhe ndihmuar koordinimin e protestave, ka lëshuar një deklaratë më 3 shtator:
“Le të bëjë [Qeveria e Lukashenkës] negociata me Kremlinin sa të dojë, sepse vetëm njerëzit do të vendosin gjithçka”.
Kanali gjithashtu ka ripublikuar denoncimin e Tsikhanouskayas për takimin e Lukashenkës me Mishustinin.
Shenjat e ndjenjës anti-Moskë në protesta kanë qenë të dukshme dhe të parashikueshme, ka thënë përmes një postimi në Twitter Nigel Gould-Davies, ish-ambasador i Britanisë në Bjellorusi, tani anëtar i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, me seli në Londër.
Por, ato nuk janë mbizotëruese. Hanna Baraban, gazetare dhe analiste bjelloruse, ka thënë se "fokusi kryesor i protestuesve mbetet në çështjet e brendshme politike".
"Sigurisht, disa njerëz nuk janë të kënaqur me veprimet e Rusisë ose Perëndimit, por këto disponime nuk zënë në të vërtetë vend në agjendën politike të protestuesve", ka thënë Baraban për Radion Evropa e Lirë.
"Lukashenka në zinxhir të shkurtër"
Më 3 shtator, Lukashenka ka akuzuar Ukrainën për mbështetjen e demonstruesve në Bjellorusi - një ditë pasi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë, duke mos paraqitur asnjë provë, se 200 neo-nazistë ukrainas janë duke vepruar në Bjellorusi.
Gjatë takimit me Mishustinin, Lukashenka po ashtu u ka dhënë mbështetje pretendimeve të Kremlinit se udhëheqësi i opozitës ruse, Aleksei Navalny, nuk është helmuar në Rusi.
Navalny aktualisht është duke u trajtuar në Gjermani, ku mjekët kanë zbuluar se ai është helmuar në Rusi me Noviçok, një toksinë e zhvilluar në ish-Bashkimin Sovjetik.
Analisti ukrainas, Yevhen Mahda, drejtor i Qendrës për Marrëdhënie Sociale në Kiev, i ka thënë Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë më 5 shtator se Kremlini “e mban Lukashenkën në zinxhir të shkurtër… duke i përsëritur mendimet dhe fjalët e ministrit të Jashtëm rus, Lavrov”.
Të tjerët shohin edhe përpjekje të Rusisë për ta mbajtur Bjellorusinë të dëgjueshme.
Më 3 shtator, Lukashenka ka zgjedhur Ivan Tertelin për të kryesuar Komitetin e Sigurimit të Shtetit, i cili ende quhet KGB. Tertel zëvendëson Valer Vakulchikun.
Sipas Mark Galeottit, ekspert i agjencive ruse të sigurisë dhe bashkëpunëtor i Institutit Mbretëror të Britanisë, Tertel ka lidhje të ngushta me Shërbimin Federal të Sigurisë në Rusi (FSB), ndërsa Vakulchik "ka qenë rojtar i ashpër kundër depërtimit të Moskës".
Riorganizimi është bërë pas raporteve se Shërbimi Federal i Sigurisë në Rusi mund të jetë duke këshilluar Qeverinë e Lukashenkës për mënyrat e shpërndarjes së protestuesve.
Bloomberg ka raportuar se një aeroplan rus, që i përkiste FSB-së, është zbuluar duke arritur në Minsk nga Moska më 18 gusht.
George Kent, zëvendës i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit për mbikëqyrje të politikave ndaj Bjellorusisë, ka thënë më 2 shtator se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do të kenë përgjigje të ashpër nëse Rusia ndërhyn në Bjellorusi.
Putin ka thënë se ndërhyja e tillë mund të ndodhë. Më 27 gusht, ai ka njoftuar se ka formuar një forcë rezervë të policisë, që mund të dërgohet në Bjellorusi nëse është e nevojshme. Megjithatë, deri më tani, situata nuk ka arritur në këtë pikë.
"Lukashenka, qartazi, po vepron më me guxim tani, pasi e ka mbështetjen e Kremlinit", ka thënë për Radion Evropa e Lirë Alex Kokcharov, analist i rrezikut të një vendi, me qendër në Londër.
Disa ditë pas takimit të Lukashenkës me Mishustinin dhe riorganizimit në KGB, policia në Bjellorusi ka arrestuar mbi 600 njerëz në demonstratën e 6 shtatorit.