Në Shkup është mbajtur një protestë nga familjarët e të akuzuarve për rastin e njohur si “Monstra”, lidhur me vrasjen e pesë të rinjve në prill të vitit 2012 në afërsi të liqenit të Smilkovës në Shkup.
Për këtë ngjarje ishin dënuar gjashtë shqiptarë me dënim të përjetshëm, por rasti ishte rikthyer në fund të vitit 2017, ndërsa të dënuarit ishin liruar nga paraburgimi.
Megjithatë, gjatë rigjykimit që ka zgjatur më shumë se dy vjet, Prokuroria nuk ka gjetur prova lehtësuese andaj edhe kërkuar nga Gjykata dënimin e të akuzuarve; tre prej tyre Alil Demirin, Agim Ismailoviqin dhe Afrim Ismailoviqin me burgim të përjetshëm, ndërsa për dy të tjerë, Fejzi dhe Haki Azirin, me nga 20 vjet burgim, kurse Sami Luta është liruar nga akuzat.
Familjarët e tyre pretendojnë se të akuzuarit janë të pafajshëm andaj edhe kërkojnë lirimin e tyre.
“Kemi të bëjmë me një proces të montuar gjyqësor. Jemi këtu për ta ngritur zërin e shqiptarëve për institucione të drejta dhe funksionale. Të gjitha faktet dëshmojnë se ky është rast i montuar dhe politik. Ne ndiejmë keqardhje për viktimat, por të akuzuarit janë të pafajshëm. Kërkojmë shkarkimin e prokurores së lëndës, e cila me këtë rast po realizon urdhrat e partive politike. Kërkojmë ndihmë nga përfaqësuesit ndërkombëtarë që të na ndihmojmë që ky rast se dhe tjerët të trajtohen në mënyrë të pavarur juridik”, ka deklaruar Bedri Ajdari, kryetar i Këshillit të protestave.
Në fund të protestës, në grup personash tentuan të shpërthejnë kordonin policor për të vijuar drejt ndërtesës së Prokurorisë, por policia ka ndërhyrë me c’rast ka shpërndarë protestuesit.
Rasti “Monstra” është aktualizuar në aferën e përgjimeve në vitin 2013 nga ish-lideri i atëhershëm i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, tani kryeministër, i cili kishte deklaruar se ka dëshmi se të akuzuarit për këtë rast janë të pafajshëm. Por, tani Zaev ka thënë se atë kohë nuk ka thënë se persona të tjerë e kanë kryer aktin, porse materialet që ai posedonte hidhnin dyshime mbi autorët e vërtetë të krimit.
Kryeministri Zoran Zaev ka thënë se megjithatë për këtë rast fjalën e fundit e kanë organet e drejtësisë.
Facebook Forum