Të punësuarit në Doganat e Maqedonisë së Veriu, në Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe në administratën gjyqësore, të premten kanë nisur protestat për rritjen e pagave. Disa prej tyre kërkojnë rritje pagash në masën deri 30 për qind e të tjerët deri në 78 për qind, aq sa ishte rritja për zyrtarët e emëruar dhe të zgjedhur.
Protesta në pikat doganore ka nisur me ndërprerjen e punës në mesditë në kohëzgjatje prej 30 minutash, por drejtuesit e sindikatës nuk e përjashtojnë mundësinë e zgjatjes së kohës së protestës deri në bllokimin e plotë të shërbimeve doganore.
“Nëse nuk dëgjojnë për kërkesat tona, unë vetëm mund të them se protestat mund të radikalizohen deri në bllokimin e plotë të pikave kufitare. Gjendja në të cilën ndodhemi, është e paqëndrueshme. Ne dëgjojmë vetëm premtime, por jo edhe rritje të pagave ndërkohë që shërbimet tjera dhe ushqimet kanë shënuar rritje astronomike”, thotë Tërpe Deanoski, përfaqësues i sindikatës.
Ndërkohë, të punësuarit në Drejtorinë e të Ardhurave Publike (DAP) kanë ndërprerë punën për dy orë, në shenjë pakënaqësie ndaj një vendimi të mëparshëm të Ministrisë së Ekonomisë, e cila kishte rritur pagat prej 30 për qind vetëm për të punësuarit në ministri, në kompetencë të së cilës janë edhe disa drejtori tjera, përfshirë edhe këtë për të Ardhurat Publike.
Nëse greva përshkallëzohet, atëherë të gjithë të punësuarit që marrin paga nga buxheti i shtetit mund të mbeten pa paga, pasi pikërisht punonjësit e kësaj drejtorie bëjnë pagesën e pagave dhe të shërbimeve tjera.
“Kërkesa jonë për rritjen e pagave bazohet në zgjidhjen ligjore, e cila për momentin është në fuqi. Ashtu siç bëri rritjen e pagave të punonjësve të ministrisë, në masën prej 30 për qind, njëjtë të veprojë edhe me drejtoritë tjera që janë nën kompetencë të kësaj ministrie”, thotë Vase Nedanoski, drejtues i sindikatës në drejtorinë e të ardhurave publike.
“Ata i rritën pagat në masën prej 78 për qind. Dhe, një rritje e tillë është e dukshme, është tërheqëse, apo e mirë duke marrë parasysh gjendjen në të cilën ndodhemi. Edhe ne kërkojmë një rritje të tillë që të mund të kalojmë muajin, t’i paguajmë faturat, kreditë dhe që të mund t’i ushqejmë fëmijë tanë”, thotë një tjetër i punësuar në administratën gjyqësore.
Nga Qeveria thanë se kërkesat nuk mund të plotësohen me automatizëm, por se janë në kontakt me drejtuesit e sindikatave për gjetjen e zgjidhjes, të cilën e shohin në nënshkrimin e një marrëveshjeje kolektive për të gjithë sektorët e administratës.
“Po punohet për nënshkrimin e një marrëveshjeje të përgjithshme kolektive që do të vlente njësoj për të gjithë të punësuarit në sektorin publik. Aty e kemi përcaktuar procesin dhe negociatat janë duke u zhvilluar dhe presim që të pajtohemi për qëndrimet”, tha ministri i Financave, Fatmir Besimi.
Protestat u organizuan pas vendimit për rritjen e pagave për zyrtarët në muajin prill, prej 78 për qind, që është edhe rritja më e madhe e regjistruar ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut.
Paga e presidentit të Maqedonisë së Veriut nga 1.500 euro është rritur në 2.750 euro në muaj - pra, 1.250 euro më shumë. Paga e kryeministrit nga 1.300 euro, është rritur në 2.450 euro në muaj.
Pagë prej 2.000 deri 2.500 euro marrin zëvendëskryeministrat dhe ministrat, të cilët më herët paguheshin rreth 1.200 euro në muaj. Ndërsa, paga e deputetëve është rritur për afër 900 euro, duke e çuar në rreth 1.800 euro, pa shtesat për mëditje, rrugë dhe pagesa tjera për udhëtime jashtë vendit.
Ndërkohë, paga minimale në Maqedoninë e Veriut arrin është afër 320 euro, ndërsa ajo mesatare rreth 550 euro.
Të dhënat e Ministrisë së Administratës dhe Shoqërisë Informative tregojnë se rreth 3.500 punonjës të administratës në tre vjetët e fundit i kanë lënë vendet e punës për të kaluar në sektorët privat ose për të ikur jashtë vendit dhe kjo kryesisht ka të bëjë me të ardhurat e ulëta.