Personeli akademik dhe punonjësit e pesë Universiteteve Publike në Maqedoninë e Veriut, të hënën, më 4 mars kanë protestuar në hapësirat e tyre, për rritjen e pagave për 22 për qind.
Shprehja e pakënaqësisë pasoi njoftimet se profesorët dhe punonjësit e tjerë të Universitetit të Shkupit, “Shën Kirili dhe Metodi” në muajin mars kanë marrë paga më të larta për 22 për qind.
Rritja e pagave është bërë pasi sindikata e këtij universiteti dhe ish-kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në dhjetor të vitit të kaluar kishin nënshkruar një marrëveshje kolektive që parashikonte rritjen e pagave.
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka bërë të ditur se nga kjo marrëveshje kanë përfituar 3200 punonjës të Universitetit të Shkupit.
Profesorët e rregullt të Universitetit të Shkupit me rritjen prej 22 për qind tani pagën bazë e kanë rritur në 72000 denarë apo 1.170 euro, por ajo mund të jetë edhe më e lartë varësisht fakulteteve, apo të hyrave të tyre vetanake, titujve shkencorë, numrit të studentëve, si dhe projekteve që realizojnë.
Drejtuesit e Sindikatave të Universitetit Shtetëror të Tetovës, Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Universitetit të Shtipit, Universitetit të Manastirit dhe atij të Ohrit kërkuan rritje të njëjtë të pagave.
Ata thanë se me kohë kanë dërguar kërkesa për nënshkrimin e marrëveshjeve kolektive, por se institucionet nuk i kanë marrë në konsideratë.
“Është, thjesht, diskriminim pasi edhe pesë universitetet tjera, përveç Universitetit të Shkupit, kanë të njëjtën të drejtë. Pra, nëse me atë është nënshkruar marrëveshja kolektive dhe nëse atyre u janë ngritur pagat, pse jo edhe neve. Gjithë profesorët e parashtrojnë këtë pyetje, andaj edhe kërkohet rrugëzgjidhje për këtë problem”, ka deklaruar Avni Avdiu, drejtues i sindikatës së Universitetit “Nënë Tereza”.
“Kemi dalë të shprehim pakënaqësinë tonë të madhe dhe njëkohësisht kërkojmë nënshkrimin e marrëveshjeve kolektive edhe me universitetet tjera publike apo ndonjë zgjidhje tjetër ligjore. Në të kundërtën ne do të ndërmarrin të gjitha masat për të realizuar të drejtën tonë, përfshirë edhe grevën e mundshme”, ka deklaruar Igor Jovevski, drejtues i sindikatës së Universitetit Shtetëror të Turizmit në Ohër.
Drejtuesit e sindikatave thanë se për këtë “padrejtësi” do t’i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese.
“Do t'i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese që vendimi të përfshijë edhe universitetet tjera, pastaj do t’i drejtohemi edhe komisionit antikorrupsion, ndërsa do të shqyrtojnë edhe format tjera më radikale siç janë edhe protestat, grevat por nuk do të kishim dashur të vijmë deri tek ato për shkak të atmosferës zgjedhore dhe ky problem të mos marrë kahe politike”, tha Avdiu.
Ministria e Arsimit e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur është në koordinim me institucionet tjera për gjetjen e një zgjidhjeje edhe për këto universitete.
“Prioritet do të kemi nxitjen e arritjes së marrëveshjeve të reja kolektive me universitetet e tjera”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.
Në këtë kuadër, kryetari i Kuvendit, Jovan Mistrevski dhe Arbër Ademi, deputet i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), kanë paralajmëruar një zgjidhje ligjore.
Ata kanë bërë të ditur se në Kuvend do të propozohen ndryshime në Ligjin për arsimin e lartë me çka do të rregullohet koeficienti i pagave për punonjësit në institucionet e arsimit të lartë publik nga buxheti i shtetit, përfshirë profesorët, personelin tjetër.