Ndërlidhjet

Opozita sërish kërkon largimin e Qeverisë Rama


Protesta e opozitës, Tiranë, 13 maj.
Protesta e opozitës, Tiranë, 13 maj.

Protestuesit e thirrur nga opozita e Shqipërisë, të hënën kanë marshuar në rrugët e kryeqytetit të Tiranës dhe kanë kërkuar largimin e Qeverisë duke brohoritur “Rama ik” dhe “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.

Ata, me të arritur para godinës së kryeministrisë së Shqipërisë kanë hedhur tymuese në drejtim të saj, përderisa qindra forca të Policisë së Shtetit e kishin rrethuar atë fizikisht dhe me rrethim të hekurt.

Kryetari opozitar nga Partia Demokratike, Lulzim Basha, e ka quajtur kryeministrin “jolegjitim” dhe tha se ai duhet të largohet, duke shtuar se krimi dhe korrupsioni kanë kapluar Shqipërinë.

Ai e ka quajtur dhunë barbare shtetërore intervenimin me gaz lotsjellës dhe autobote uji të policisë në protestën e së shtunës, që shpërndanë turmën e protestuesve të cilët hodhën shishe molotovi dhe mjete të forta në drejtim të institucioneve.

“Dhuna është e vetmja zgjidhje që ofron Edi Rama. Ne e refuzojmë dhunën e Qeverisë së ardhur me dhunë, do t’i përgjigjemi me fuqinë e bashkimin dhe vendosmërisë dhe shpresës që ka lindur dhe nuk e shuan dot as shiu dhe aq më pak dhuna barbare e Edi Ramës”, tha Basha në mes të turmës së protestuesve.

Pranë Kuvendit të Shqipërisë situata ishte më e tensionuar, kur disa prej protestuesve hodhën fishekzjarre në drejtim të forcave të policisë ndërsa përmes altoparlantit nga këta të fundit bëhej thirrje për vetëpërmbajtje.

Protestat e dhunshme në Tiranë, 11 maj
Protestat e dhunshme në Tiranë, 11 maj

Policia ka bërë të ditur përmes një njoftimi për media, se nga shashkat e hedhura në drejtim të tyre ka mbetur i lënduar një oficer i policisë, i cili është dërguar në spital për të marrë ndihmën e shpejtë.

Qytetarët, megjithatë u shpërndanë për të vazhduar te Ministria e Punëve të Brendshme, ku tërhoqën gardhin metalik që ishte vendosur në rrethim të institucionit. Ata edhe në këtë pikë hodhën flakadanë e tymuese.

Stacioni i fundit i marshimit opozitar është Drejtoria e Policisë në Tiranë, ku protestuesit thyen xhamat pasi hodhën gurë dhe një shishe molotovi në drejtim të godinës dhe kërkuan lirimin e të arrestuarve të protestës së kaluar.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë përmes një postimi në Twitter se marshimet për të rrëzuar Qeverinë me kapsolla janë “xhiro bosh që nuk nxjerrin askund” Ai i bëri thirrje kryetarit opozitar për dialog, duke e pyetur atë se “kur do flasim?”.

Misionet diplomatike me seli në Tiranë kanë bërë thirrje për qetësi, duke ripërsëritur qëndrimin e tyre se dhuna nuk është zgjidhje.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara përmes një deklarate ka dënuar përsëri dhunën e ushtruar në protestën e 11 majit, si dhe mbishkrimin pranë vendbanimit së Ambasadorit të OSBE-së Bernd Borchardt, ku me mbishkrim të zi ishte shkruar “Borchardt turp të kesh”.

Ata po ashtu u kanë bërë thirrje drejtuesve të protestës që të dënojnë veprimet e dhunshme të mbështetësve të tyre. Në anën tjetër ata kanë thënë se edhe autoritetet ligj-zbatuese duhet të veprojnë me vetëpërmbajtje, përfshirë edhe rastet kur iu përgjigjen provokimeve.

Edhe Kreu i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Europian (OSBE), njëkohësisht ministri sllovak i Punëve të Jashtme Miroslav Lajcak, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE, George Tsereteli dhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Roberto Montella, dënuan të hënën përmes një deklarate të përbashkët, dhunën e ushtruar nga ana e protestuesve të shtunën në Tiranë, por edhe kërcënimet dhe intimidimet ndaj kreut të OSBE-së në Tiranë, Bernard Broschardt.

Gjithashtu, ata i bënë thirrje forcave të rendit që të tregojnë vetëpërmbajtje.

Ky marshim shënon protestën e pestë kombëtare që nga mesi i muajit shkurt, kur partitë opozitare Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, bashkë me aleatët e tyre të djathtë u larguan nga Parlamenti duke hequr dorë nga mandatet e tyre si deputetë në Kuvend.

Kërkesa kryesore e opozitës është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie tranzitore që garanton organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama, në një konferencë për media tha se është i gatshëm për dialog me opozitën, mirëpo ai nuk do të dorëhiqet sepse “është i mandatuar për një kontratë dhe nuk mund ta prishë”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG