Ndërlidhjet

Beograd: Qindra protestues kërkojnë përgjegjësi prej autoriteteve për incidentin në Novi Sad


Pamja nga protesta e mbajtur të dielën në Beograd.
Pamja nga protesta e mbajtur të dielën në Beograd.

Qindra persona janë mbledhur të dielën para Ministrisë së Ministrisë së Ndërtimtarisë, Transportit dhe Infrastrukturës në Beograd, për të protestuar pas incidentit në Novi Sad, që ka lënë 14 persona të vdekur, dhe tre duke luftuar për jetë, si pasojë e shembjes së një strehe prej betoni në stacionin hekurudhor.

Protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e udhëheqësit të ministrisë, Goran Vesiq, dhe kërkojnë llogaridhënie nga Qeveria për incidentin.

Në zonën e protestës janë parë forca të shumta policore, të cilat ua kanë pamundësuar pjesëmarrësve afrimin në ndërtesat e institucioneve shtetërore.

Protestuesit janë parë duke mbajtur mbishkrime, “Krim, jo tragjedi” dhe “Korrupsioni vret”.

Disa janë dëgjuar edhe duke bërtitur “tradhti” dhe “dorëheqje”.

Protesta ka nisur në Sheshin Sava, para stacionit të vjetër hekurudhor në Beograd, fillimisht me një minutë heshtje për t’i nderuar viktimat në Novi Sad e më pas ka vazhduar me leximin e emrave të tyre.

Protestuesit kanë ecur më vonë drejt Ministrisë dhe më vonë deri te ndërtesa e Qeverisë së Serbisë, në qendër të Beogradit, prej ku e kanë vazhduar protestën.

Në kuadër të protestës, disa pjesëmarrës kanë lyer duart e tyre me ngjyrë të kuqe dhe kanë lënë dëshmi para ndërtesës së Qeverisë, duke iu treguar simbolikisht autoriteteve, siç thonë ata, se i kanë “duart me gjak”.

Shkaku i shembjes së strehës prej betoni nuk dihet ende.

Zyra e Prokurorit në Novi Sad ka intervistuar të shtunën 26 persona lidhur me rastin, përfshirë edhe ministrin Vesiq.

Ndërtesa e stacionit kryesor hekurudhor në Novi Sad është hapur në korrik të vitit 2024, pas tre vjetësh të rindërtimit.

Institucioni i hekurudhave serbe ka thënë në ditën e incidentit se streha e betonit që është shembur “nuk është rindërtuar dhe nuk ka qenë pjesë e renovimeve”.

Megjithatë, ekspertët deklarojnë se edhe ajo pjesë ka qenë subjekt i rindërtimit.

Punimet për rindërtim janë kryer nga një konsorcium kinez.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është zotuar të premten se do të ketë drejtësi dhe ka kërkuar ndëshkime të ashpra për përgjegjësit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG