Shtimi i lokaleve të lojërave të fatit, si bastoreve sportive dhe kazinove, ka nxitur reagimet e aktivistëve dhe të popullatës, në përgjithësi, me kërkesën për mbylljen e tyre, para së gjithash të atyre që janë hapur apo planifikohen të hapen pranë objekteve arsimore.
Protestat javën e kaluar kishin nisur në Tetovë, ku lokale lojërash të fatit janë hapur vetëm disa metra larg Universitetit Shtetëror, por edhe shkollave fillore dhe të mesme, për të vazhduar me protestën e së premtes në Shkup.
“Nëse duan ta zhdukin rininë, le të çelin kazino, por nëse duan ta ngritin rininë, duhet të çelin fabrika dhe vende pune. Neve punë na duhet, jo lojëra të fatit”, tha Avdi Muharremi, banor i Çairit.
“Bastoret prishin para së gjithash familjet dhe prishja e familjes nënkupton edhe prishjen e shoqërisë dhe më shumë. Kazinotë nuk japin shpresë për jetë më të mirë apo të ëndërrojnë se nga to mund të sigurojnë jetë më të mirë”, u shpreh Agim Selmani, një tjetër protestues.
“Të rinjtë duhet të shkojnë në punë dhe jo të humbin kohë nëpër bastore dhe kazino. Punë ka nëse duan të punojnë, nuk mund të themi se nuk ka fare punë, për ata që duan të fitojnë në mënyrë të ndershme, mund të gjendet punë”, tha një tjetër protestuese.
Protestat janë mbështetur edhe nga profesorë dhe ekspertë të fushave të ndryshme. Ali Pajaziti, sociolog, tha se lojërat e fatit hapen në vendet dhe shoqëritë e varfra dhe me shkallë të lartë të papunësisë, por pasojat nga devijime të tilla janë katastrofale për familjet dhe shoqërinë, në përgjithësi
“Bastoret dhe kazinotë janë lokalë vrastare, ka raste të divorceve, të zënkave në familje, të dhunës, deri te falimentimet e njerëzve që dikur kanë qenë afaristë, ndërsa sot kërkojnë një cigare nga tjetri. Kjo gjendja që po na ndodh, është shumë tragjike pasi në vend se ne të hapim institucione kulturore, shkolla, çerdhe për fëmijë, neve na hapen lokale vrastare”, vlerësoi sociologu Pajaziti.
Kritika kundër kazinove dhe bastoreve sportive shprehu edhe rektori i Universitetit të Tetovës, Vullnet Ahmeti, duke kërkuar nga drejtuesit e institucioneve angazhim konkret për luftimin e këtyre dukurive.
“Njerëzit që i udhëheqin institucionet, duhet të jenë seriozë, jo vetëm të rrinë nëpër poste si kukulla, pasi nga hapja e kazinove dhe bastoreve kemi vetëm se devijim të shoqëritë, dëmtohen gjeneratat e reja dhe vetë shteti”, deklaroi rektori Ahmeti.
Ndryshe, Qeveria është duke përgatitur një propozim-ligj për lojërat e fatit, por përmbajtja e tij është kritikuar nga opinioni i gjerë, në veçanti pjesa që lejon hapjen e tyre 100 metra nga institucionet arsimore. Partitë opozitare kanë thënë se do të kërkojmë që ndryshimet të parashohin dislokimin e tyre jashtë zonave të banuara apo në një distancë prej dy-tre kilometrash nga institucionet arsimore.
Sipas të dhënave zyrtare, numri lokaleve të lojërave të fatit në Maqedoni është më i lartë se 500.
Facebook Forum