Ndërlidhjet

Shtohen protestat për drejtësi në prag të zgjedhjeve


Protesta e partisë opozitare, VMRO-DPMNE.
Protesta e partisë opozitare, VMRO-DPMNE.

Protestat për drejtësi që së fundmi ka organizuar opozita maqedonase, që u pasuan nga marshimi për drejtësi të mbajtur nga partia në pushtet, sipas njohësve të çështjeve juridike, nuk kontribuojnë në demokratizimin e institucioneve. Sipas njohësve, mbajtja e këtyre protestave dhe marshimeve, po bëjnë që institucionet e drejtësisë të vendosen para presionit politik.

Pas marshit për drejtësi, të organizuar nga socialdemokratët e Zoran Zaevit, të martën mbrëma, partia maqedonase, VMRO-DPMNE ka protestuar para Prokurorisë, nën moton “kundër padrejtësisë”, duke shprehur pakënaqësinë për funksionimin e sistemit gjyqësor gjatë qeverisjes aktuale të socialdemokratëve.

Kjo protestë vjen pas miratimit të Ligjit për punën e Prokurorisë Publike.

“Kërkojmë rishikimin e menjëhershëm të punës së gjykatësve supremë dhe vendimeve të tyre. Kërkojmë reforma në gjyqësor, kërkojmë ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë për realizimin e reformave”, deklaroi para protestueseve, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, duke shtuar se Zaev duhet të hetohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, gjatë kohës që ka qenë kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Por, njohësit e çështjeve juridike thonë se partitë në vend se të protestojnë, duhet të fokusohen në reformat që do të bëjnë në sistemin e drejtësisë, që sipas tyre, është një nga shtyllat kryesore në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Dane Iliev, tha për Radion Evropa e Lirë se është paradoksale që as partitë opozitare kur ishin në pushtet, e as pushteti aktual, nuk kanë kontribuar që të ndëshkohet korrupsioni në nivele të larta. Prandaj, ai thotë se protestat e mbajtura së fundmi, po përdoren si “vegël” për të përfituar vota.

“Edhe pushteti dhe opozita janë duke protestuar kundër vetvetes. Edhe njëra palë dhe tjera kishin mundësinë, që përmes ligjeve, të mundësonin që të realizohej drejtësia. Me rëndësi është miratimi i ligjeve përmes së cilave qytetarët do të jenë të mbrojtur, përkatësisht ligje që do të mundësojnë që të arrihet drejtësia. Por, kjo nuk mund të arrihet përmes protestave, por përmes guximit për të realizuar reforma të thella në sistemin e drejtësisë”, thotë Iliev.

Ndërkaq, Arsim Sinani, drejtues i Institutit për studime ballkanike, thotë për Radion Evropa e Lirë se as pushteti dhe as opozita, me mbajtjen e protestave dhe marsheve, nuk po tregojnë se janë të angazhuar për demokratizimin e institucioneve.

“Në mungesë të një sistemi të mirëfilltë të organizimit shtetëror, por edhe të aparatit të tij të sistemit demokratik, kuptohet se kjo lojë vazhdon të jetë aktuale në këto tri dekadat e fundit, për shkak se vazhdimisht kemi tranzicion, por nuk kemi institucione të mirëfillta”, thotë Sinani, duke shtuar se kjo formë e joshjes së elektoratit përmes veprimeve në rrugë e jo në institucione, duket se nuk do të jetë fitimprurëse për politikëbërësit, pasi siç thotë Sinani, elektorati kësaj radhe do të ndëshkojë partitë politike që garojnë me figura që janë të përfshirë në afera korruptive.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut janë paraparë që të mbahen më 12 prill.

Ndryshe, sipas një ankete të Evrobaromentit, të realizuar më herët, shtatë nga dhjetë qytetarët e anketuar në Maqedoninë e Veriut, janë shprehur se nuk kanë besim në sistemin e drejtësisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG