Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se më 22 korrik ka intervistuar ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për të sqaruar disa deklarata të bëra nga ajo.
Sipas njoftimit, Haxhiut iu kërkua sqarim për postimin e saj në rrjetin social Facebook, të bërë më 20 korrik, lidhur me arratisjet që kanë ndodhur nga burgjet në Kosovë.
Në një postim të gjatë në Facebook, Haxhiu pretendoi se Serbia po organizon arratisjen e të burgosurve nga Kosova.
“E rëndësishme të potencohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë. Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë. Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës”, shkroi ajo në Facebook.
Ajo e bëri këtë postim, një ditë pasi i arratisuri nga burgu i Smrekonicës në Kosovë, Faton Hajrizi, është raportuar të jetë vrarë nga autoritetet në Serbi.
Hajrizi ka qenë në kërkim nga autoritetet serbe, pasi më 18 korrik është raportuar se e ka vrarë një zyrtar policor serb dhe e ka plagosur një tjetër, gjatë një kontrolli rutinor në Lloznicë të Serbisë, qytezë në afërsi me Bosnje-Hercegovinën.
Përveç Hajrizit, në ditët e fundit në Kosovë është arratisur edhe një i burgosur tjetër, Ujkan Metaj, teksa sipas autoriteteve, që nga viti 2007, 56 persona janë arratisur nga burgjet në Kosovë.
Prokuroria Speciale tha se ministres Haxhiu i është kërkuar të sqarojë deklaratat e bëra “në mediumin TV Dukagjini, në emisionin ‘Debat Plus’ më datë 2 korrik 2024, lidhur me takimet dhe diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjyqtarë për raste të caktuara”.
Prokuroria Speciale shtoi se intervistomi i Haxhiut për këto dy çështje do të vazhdojë edhe më 23 korrik.