Ndërlidhjet

Prokuroria e Përgjithshme ngre akuzë ndaj ish-prokurores Janeva


 Ish-prokurorja Speciale, Katica Janeva.
Ish-prokurorja Speciale, Katica Janeva.

Prokuroria Themelore Publike për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsion të enjten në Gjykatën Penale të Shkupit ka ngritur akuzë kundër Bojan Jovanovskit, të njohur si “Boki 13”, ish-prokurores Speciale Katica Janeva, dhe Zoran Milevskit – Kiçeec, lidhur me rastin “Reket”.

Nëpërmjet një njoftimi për media, Prokuroria Themelore Publike ka bërë të ditur se në akuzë thuhet se Bojan Jovanovski, i njohur si “Boki 13” ka shfrytëzuar marrëdhëniet miqësore me ish-prokuroren Speciale, Katica Janeva, e cila ka pranuar t’ia lehtësojë pozitën Orce Kamçevit në rastin Perandoria, të cilin e udhëhiqte PPS-ja, përkatësisht t’i mundësojë atij që të dalë nga paraburgimi.

Përderisa i dyshuari i tretë, Zoran Mileski Kiçeec, ka ndërmjetësuar takimet ndërmjet Katica Janevës, Bojan Jovanovskit, me bashkëshorten e biznesmenit Oce Kamçev, Ana Kamçevës dhe atij personalisht.

Prokuroria ka theksuar se dy personat akuzohen për veprën penale “Marrje e dhuratës për ndikim ilegal”, përderisa i akuzuari i parë ngarkohet edhe për “shpëlarje parash”. Personi i tretë akuzohet për “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve”.

Në bazë të aktakuzës, Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion ka kërkuar që të vazhdohet masa e paraburgimit për tashmë personat e akuzuar Bojan Jovanovski, Katica Janeva dhe Zoran Milevski.

Ndërkohë, avokatja Ana Fërçkovska ka njoftuar se gjendja shëndetësore e klientes së saj, Katica Janeva, është përkeqësuar.

Gjykata Penale e Shkupit ka bërë të ditur se ndaj nënkryetares së Parlamentit, Frosina Remenski, e cila tashmë është e dyshuar në rastin “Reketi”, si masë do t’i merret pasaporta, për çdo javë do të duhet të paraqitet në Gjykatë dhe nuk do të ketë të drejtë të largohet nga Shkupi derisa të mos ndryshojë vendim gjykata.

Frosina Remenski, nënkryetare e partisë nga radhët e socialdemokratëve të kryeministrit Zoran Zaev, pas marrjes në pyetje nga gjykata, për mediat ka theksuar se ajo nuk ndihet fajtore rreth përfshirjes së saj rastin “Reket”, përkatësish ndërlidhjes së saj me organizatën joqeveritare Lidhja Ndërkombëtare të Bojan Jovanovskit, ku ajo ishte kryetare nderi.

“Duhet të bëni dallim mes rastit ‘Reket’ dhe zgjerimit të hetimit për Lidhjen Ndërkombëtare. Kërkohen masa ndaj meje”, ka theksuar Remenski.

Ajo ka thënë se do të bashkëpunojë me Prokurorinë Themelore Publike për zbardhjen e plotë të rastit, duke shtuar se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje nga funksionet derisa nuk dëshmohet fajësia e saj.

Por, opozita maqedonase ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Remenskit nga posti i deputetit që ajo të mos ketë mundësi të ndikojë në hetimin për rastin “Reket”.

VMRO DPMNE-ja përmes zëdhënësit të kësaj partie, Dimçe Arsovski, Qeverinë e kryeministrit Zoran Zaev, e ka quajtur “qeveri zhvatëse”.

“Tani duket qartë se sa thellë në krim janë përfshirë edhe ish-nënkryetarët dhe funksionarët tjerë, për të cilët më herët ne theksuam se janë të ngulfatur në krim”, ka theksuar Arsovski.

Ndryshe, rasti “Reketi” ka nxitur tensione të shumta në skenën politike që ka çuar edhe në rrënimin e kredibilitetit të Prokurorisë Speciale, për faktin se drejtuesja e këtij organi të akuzës, Katica Janeva, është burgosur për shkak të përfshirjes së saj në këtë rast.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG