Ndërlidhjet

Megaprojektet kineze kthehen në modë në shtetet e varfra të Azisë Qendrore


Presidenti i Kirgizisë, Sadyr Japarov (majtas) dhe presidentin kinez, Xi Jinping. Fotografi nga arkivi.
Presidenti i Kirgizisë, Sadyr Japarov (majtas) dhe presidentin kinez, Xi Jinping. Fotografi nga arkivi.

Në pjesën më të madhe të dy dekadave të fundit, Kina ishte burimi më i dukshëm i investimeve të huaja direkte në vendet e Azisë Qendrore.

Por, në dy vendet më të varfra të rajonit, Kirgizi dhe Taxhikistan, investimet strategjike nga Pekini u duk se arritën kulmin në mes të kësaj periudhe.

Kjo ishte kur kompanitë kineze ranë dakord për të riparuar infrastrukturën e transportit dhe të energjisë në dy vendet malore, për të ndërtuar ose modernizuar termocentralet në kryeqytetet e tyre përkatëse dhe për të blerë depozita minerale fitimprurëse.

Këto marrëveshje u mbështetën kryesisht me kredi nga bankat shtetërore kineze dhe ishin pjesë e iniciativës “Brezi dhe Rruga” (BRI), e lansuar nga presidenti kinez, Xi Jinping, në vitin 2013.

Ndonëse, kohëve të fundit, kishte një mungesë të marrëveshjeve të tilla, retorika e tanishme e zyrtarëve në Kirgizi dhe në Taxhikistan nxjerr në pah disa investime të reja nga Kina.

Një prej tyre - ndër më të mëdhenjtë të këtij shteti në rajon - është hekurudha Kinë-Kirgizi-Uzbekistan (KKU), me vlerë prej miliarda dollarësh.

Kjo është diçka pozitive, por a do të mund të gëzojnë këto vende një valë të re investimesh dhe të shmangin “kurthin e borxhit” që është bërë pjesë e narrativës së BRI-së në vendet e tjera anembanë botës?

Hekurudha KKU, më në fund, drejt realizimit?

Pas revolucionit të dytë në Kirgizi, në vitin 2010, qindra miliona investime të huaja direkte kineze u derdhën në këtë vend.

Një nga sukseset më të dukshme të kësaj lëvizjeje ishte linja e transmetimit të energjisë Datka-Kemin - një projekt prej 400 milionë dollarësh, që i bashkoi rrjetet elektrike veriore dhe jugore të vendit dhe që përfundoi në vitin 2015. Pas kësaj, kishte rënie të investimeve.

Sipas disa analistëve, kjo ndodhi për shkak të problemeve kronike të sigurisë në Kirgizi, por është gjithashtu e vërtetë se investimet kineze kishin përmbushur shumë nga prioritetet kryesore të Qeverisë, për sa u përkiste projekteve në nivel kombëtar.

Një ide që mbeti pak më shumë se një diskutim, prej se u konceptua për herë të parë në vitet 1990, ishte hekurudha KKU, të cilën mbështetësit e shohin si ndryshuese të lojës në tregtinë tokësore ndërkontinentale.

Zyrtarë prej Kirgizisë, Kinës dhe Uzbekistanit duke marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje për ndërtim të një hekurudhe që do të lidhë tri shtetet. Fotografi e 6 qershorit 2024.
Zyrtarë prej Kirgizisë, Kinës dhe Uzbekistanit duke marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje për ndërtim të një hekurudhe që do të lidhë tri shtetet. Fotografi e 6 qershorit 2024.

Linja ka potencial të bëhet rrugë hekurudhore që lidh tregjet kineze dhe evropiane - edhe më e shpejtë se rrugët që kalojnë përmes Kazakistanit, Rusisë dhe Bjellorusisë.

Në një intervistë dhënë Shërbimit kirgiz të Radios Evropa e Lirë këtë muaj, studiuesi me fokus në Azinë Qendrore, Davide Cancarini, tha se urgjenca e KKU-së për Pekinin është rritur ndjeshëm, pasi rruga më tradicionale nuk është më tërheqëse, për shkak të rritjes së rrezikut të sanksioneve, që lidhen me luftën e Rusisë në Ukrainë.

Megjithëse rruga mbetet ende funksionale, “për Kinën është bërë e rëndësishme gjetja e rrugëve midis Lindjes dhe Perëndimit, që nuk e përshkojnë Rusinë”, tha Cancarini.

E njëjta logjikë çoi në rritje të interesimit dhe investimeve edhe në të ashtuquajturin Korridor i Mesëm - një rrugë që lidh Kinën, përmes Kazakistanit, me Kaukazin dhe tregun e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, pjesa kirgize e hekurudhës, rreth 300 kilometra e gjatë, është dukur gjithmonë e shtrenjtë, për shkak të sfidave ekstreme teknike në territorin malor.

Dhe, kjo është arsyeja përse takimi i fundit trepalësh në Pekin, më 6 qershor, solli ndjesinë e një përparimi.

“Ministrat e transportit të [Uzbekistanit dhe Kirgizisë] dhe kryetari i Komitetit Shtetëror për Zhvillim dhe Reformë i Kinës kanë nënshkruar [marrëveshjen]; modelet financiare janë miratuar; paratë janë gjetur dhe ne planifikojmë ta fillojmë ndërtimin në gusht”, tha Akylbek Japarov, kryetar i kabinetit të ministrave të Kirgizisë, një javë pas takimit.

Por, ideja se “paratë janë gjetur” do shqyrtim të mëtejshëm.

Marrëveshja e arritur në Pekin dhe e zbuluar më pas nga legjislatura e Kirgizisë, është domethënëse, sepse ofron detaje rreth ndarjeve të përgjegjësisë financiare.

Sipas dokumentit, treshja do të formojë një kompani të përbashkët, në të cilën Kina do t’i ketë 51 për qind të aksioneve, ndërsa Uzbekistani dhe Kirgizia nga 24.5 për qind.

Enigma qëndron në faktin se edhe vlerësimet zyrtare të Kirgizisë për koston e pjesës së saj të hekurudhës, variojnë nga 4.5 miliardë dollarë në 8 miliardë dollarë.

Për më tepër, marrëveshja thotë se projekti do të funksionojë nën strukturën e ashtuquajtur NOT (ndërto-opero-transfero), e cila do të dakordohet ndërmjet Kirgizisë dhe kompanisë së përbashkët, ku Kina do të ketë kontroll të plotë.

Parimi NOT, në teori, duhet ta mbrojë Kirgizinë nga hyrja në borxhe të mëdha, por ajo mund të humbasë së paku një pjesë të të ardhurave që i gjeneron hekurudha nga tarifat e transitit, derisa nuk i mbulon kostot e veta të ndërtimit.

Këto kosto mund të rriten, marrë parasysh se projekti do të përfshijë ndërtimin e rreth 50 tuneleve dhe 90 urave - në disa raste në lartësi prej 3.000 metrash.

Presidenti i Kirgizisë, Sadyr Japarov, tha se transiti mund të sjellë 200 milionë dollarë në vit në arkat e vendit të tij.

Vlerësimet zyrtare për kontributin e Kirgizisë fillojnë me gati 600 milionë dollarë. Ato ka të ngjarë të sigurohen në formën e një kredie kineze, kushtet e së cilës nuk dihen.

Por, të paktën, vullneti politik i Pekinit është i qartë.

Mediat në Kirgizi raportuan këtë muaj se Ministria e Jashtme dhe ajo e Tregtisë e Kinës kanë ulur vlerësimin e rrezikut në Kirgizi në mesatare, duke lënë vlerësimin me “rrezik të lartë” vetëm për dy nga shtatë provincat e vendit, ku nuk do të kalojë hekurudha.

Hekurudha KKU është projekti potencial më i madh dhe më intrigues që përfshin Kinën dhe Kirgizinë.

Por, administrata në Bishkek shpreson se Pekini do të ringjallë edhe projekte të tjera.

Në tetor, Akylbek Japarov tha se Bishkeku shpreson në ndihmën kineze për ndërtimin e projektit hidroenergjetik, Kambarata-1, në vlerë prej 3 miliardë dollarësh, në lumin Naryn.

Ai përmendi gjithashtu kaskadën e hidrocentralit Naryn i Epërm, që u vlerësua me një çmim prej më shumë se 700 milionë dollarësh mbi një dekadë më parë.

Të dyja projektet u planifikuan fillimisht për investitorët rusë, por Bishkeku i prishi marrëveshjet, duke përmendur mungesën e përparimit.

Duke folur më 20 qershor në Parlament, Akylbek Japarov tha se projektet si Kambarata-1 dhe hekurudha KKU do ta vendosnin zhvillimin e Kirgizisë në “një trajektore tjetër” dhe e krahasoi presidentin Japarov me monarkun vizionar të Rusisë, Petri i Madh.

Shefi i kabinetit mohoi se këto projekte do ta rrisnin borxhin e shtetit, pasi, sipas tij, ato realizohen “si pjesë e një partneriteti publik-privat”, por nuk dha më shumë detaje.

Në gusht, Japarov zhvilloi bisedime me ambasadorin e Kinës në Bishkek, Du Duwen, edhe për investimet e mundshme të Pekinit në një tjetër objekt hidroenergjetik në lumin Sary-Jaz, në provincën lindore Ishyk-Kul.

Ideja për atë objekt me gjashtë blloqe, prej 1.100 megavatesh, daton që nga periudha sovjetike.

do të bëhet Taxhikistani me panele solare?
do të bëhet Taxhikistani me panele solare?

Shpëtimtari diellor i Taxhikistanit?

Investimet kineze përbëjnë shumë lajme këto ditë edhe në Taxhikistan.

Në një forum në Dushanbe më 21 qershor, investitorët kinezë premtuan mbi 500 milionë dollarë, sipas Komitetit Shtetëror për Investime dhe Menaxhim të Pronës në Taxhikistan.

Ato përfshijnë investimet e premtuara për një fabrikë të përpunimit të hekurit në qytetin verior të Khujandit, modernizimin e një prej stadiumeve kryesore të kryeqytetit dhe blerjen e makinave elektrike kineze për shërbimet lokale të taksive.

Kjo është tarifa standarde për një vend që Departamenti amerikan i Shtetit e përshkroi si “të zhytur në hua të errëta”, që lidhen me BRI-në e Kinës, dhe të varur nga Pekini për më shumë se “99.8 për qind” të investimeve të huaja direkte.

Presidenti kinez Xi Jinping (djathtas) me presidentin taxhik, Emomali Rahmon, duke shkëmbyer dokumente gjatë një ceremonie nënshkrimi në Pekin, më 31 gusht 2017.
Presidenti kinez Xi Jinping (djathtas) me presidentin taxhik, Emomali Rahmon, duke shkëmbyer dokumente gjatë një ceremonie nënshkrimi në Pekin, më 31 gusht 2017.

Në vazhdën e këtyre zhvillimeve vjen edhe angazhimi i një kompanie kineze për të ndërtuar një termocentral diellor pranë kufirit të Taxhikistanit me Afganistanin, në vlerë prej 1.5 miliard dollarësh.

Investimi i zbuluar në fund të majit nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik e Taxhikistanit është parashikuar në katër faza, ku e para kushton 150 milionë dollarë dhe do të krijojë kapacitete prej 150 megavatesh.

Por, nëse kompletohet, do t’i dominonte investimet e bëra nga Kina në termocentralet e tjera në Taxhikistan, si termocentrali Dushanbe-2, i cili hyri në funksion në vitin 2016 dhe kushtoi 350 milionë dollarë.

Nevojat për energji në Taxhikistan - ku problemet janë të zakonshme - janë të njohura mirë.

Banka Botërore vlerësoi në vitin 2013 se vetëm mungesat e energjisë gjatë dimrit i kushtojnë vendit më shumë se 200 milionë dollarë - 3 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto - çdo vit.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG