Ndërlidhjet

Shpenzime minimale për projektet kapitale


Një autostradë në Kosovë
Një autostradë në Kosovë

Qeveria e Republikës së Kosovës ka shpenzuar afër 126 milionë euro për projekte kapitale në gjashtë muajt e parë të këtij viti, nga 770 milionë euro sa janë të dedikuara me buxhetin e këtij viti.

Vlerat më të mëdha materiale nga ky fond janë shpenzuar për mirëmbajtje, zgjerim dhe rehabilitim të magjistraleve, renovim të stadiumeve, parqeve.

Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Financave, në një përgjigjje për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se totali i shpenzimeve kapitale vlerësohet se nuk është i kënaqshëm dhe kjo ka ndodhur për shkak të procedurave të prokurimit në gjashtëmujorin e parë. Ndërsa, sipas tij, pritet që shpenzimet kapitale të rriten gjatë gjashtëmujorit të dytë.

Ekspertët për çështje ekonomike konsiderojnë se që nga krijimi i institucioneve vendore është bërë traditë që investimet kapitale të orientohen në infrastrukturë rrugore. Sipas tyre, orientimi i mjeteve buxhetore në infrastrukturë rrugore ka qenë i nevojshëm, por jo i domosdoshëm për këtë kohë.

Profesori ne Universitetin e Prishtinës, Muhamet Sadiku, konsideron se projektet e realizuara në infrastrukturë janë të dobishme pasi Kosova ka qenë e izoluar nga korridoret ndërkombëtare, por megjithatë ai thotë se Qeveria e Kosovës duhet të zvogëlojë dinamikën e investimeve për ndërtimin e rrugëve.

“Ka pasur komente të ndryshme se Kosova ka nevojë për asfalt, ka nevojë për të luftuar varfërinë. Definitivisht, Kosova ka nevojë për shumë gjëra, ka nevojë për asfalt, ka nevojë të luftojë varfërinë, të zhvillojë sektorin privat, por para se gjithash ka nevojë ta fuqizojë shtetin ligjor”, tha Sadiku për Radion Evropa e Lirë.

Profesori tjetër në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se në mungesë të një plani strategjik afatgjatë të zhvillimit, Qeveria e Kosovës mjetet i orienton në infrastrukturë. Arsye tjetër sipas tij, është që përmes realizimit të infrastrukturës rrugore është gjetur forma për keqpërdorim të mjeteve buxhetore.

“Kosova shquhet me shkallë të lartë të korrupsionit e sidomos është shumë evident korrupsioni në infrastrukturë. Unë nuk kam ndonjë informacion konkret sa i përket kësaj, por duke marrë parasysh përvojat nga e kaluara dhe akuzat që u janë bërë ministrive, janë në shumicën e rasteve zhvatje e buxhetit në këtë fushë”, tha Ramosaj.

Edhe Muhamet Sadiku, shprehet se për realizimin e investimeve të rëndësishme kapitale nevojitet transparencë dhe llogaridhënie, transparencë kjo që vazhdimisht ka munguar dhe ka krijuar hapësirë për dyshime për keqpërdorim të mjeteve buxhetore.

“Duhet të njoftohemi se si po qeverisen këto projekte të mëdha, si po realizohen, vlerësohen tenderët, në çfarë rrethanash po fitohen tenderët dhe a ka llogaridhënie. Deri më tani, shumë pak është folur për llogaridhënie. Nëse Kosova dëshiron të krijojë projekte konkurruese ndërkombëtare duhet të dal në sipërfaqe edhe llogari dhënia në qeverisjen e këtyre projekteve”, shprehet Sadiku.

Ndryshe, Berim Ramosaj thekson se autoritet kompetente duhet të financojnë projekte të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik, rritjen e punësimit, rrjedhimisht uljen e varfërisë.

“Qeveria e Kosovës duhet të mendojë të investojë në programe të cilat gjenerojnë vende të reja të punës ose i japin mundësi të rinjve kosovarë që te gjejnë veten në Kosovë, sepse në njërën anë kemi investime të orientuara në infrastrukturë, në anën tjetër, shkalla e zhvillimit është relativisht e ulët. Rritja e ekonomike prej 4 për qind nuk garanton as një nivel të zhvillimit”, thotë Ramosaj.

Edhe përfaqësues të shoqërisë civile disa herë kanë paraqitur shqetësimet për nivelin e lartë të korrupsionit në fushën e prokurimit publik, konkretisht me tenderët për infrastrukturë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG