Softueri i ri që u zbulua në Serbi, mbledh të dhëna të shumta personale dhe synon t’i monitorojë aktivistët opozitarë të mjedisit, përfaqësuesit e organizatave joqeveritare dhe gazetarët.
Kjo është gjetje e organizatës Amnesty International, e cila dokumentoi dhjetëra raste të infeksioneve të konfirmuara, bashkë me detajet se si u instalua softueri dhe si funksionon ai në një raport të publikuar më 16 dhjetor.
Dyshohet se numri i telefonave të infektuar është shumë i lartë.
“NoviSpy”, siç përshkruhet nga ekipi i forenzikës i Amnesty International, është një softuer spiunazhi, i përshtatur për telefonat Android, dhe ka më shumë gjasa që të përdoret nga institucionet serbe, përkatësisht nga Agjencia për Siguri dhe Informacion (BIA) dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Ndryshe nga softuerët komercialë të njohur deri më tani - në mesin e tyre “Pegasus” - Amnesty International vlerëson se “NoviSpy” vepron si një mjet i zhvilluar në nivel lokal.
Amnesty International, përmes ekipit të forenzikës, monitoroi komunikimin e softuerit “NoviSpy” me serverë që u konfirmua se gjenden në Serbi.
Një nga serverët kishte një adresë IP që mund të lidhej drejtpërdrejt me BIA-n.
Të dhënat në konfigurimet e programit mund të lidhen me një punonjës të BIA-s, i cili kishte lidhje me blerjen e mjeteve të spiunimit nga shitës të tjerë, thuhet në raport.
Nga analizimi i rrethanave që lidhen me instalimin dhe përdorimin e programit, u konstatua se “NoviSpy” është instaluar kur aktivistët, gazetarët apo aktorët e opozitës janë ndaluar përkohësisht ose janë marrë në pyetje nga policia apo BIA.
Kjo sugjeron se bëhet fjalë për “fushata të organizuara, të mbështetura nga shteti”, sipas organizatës Amnesty International.
Softueri i spiunimit mbledh të dhëna të koduara dhe të fshira
Programi instalohet fshehurazi në pajisjet Android dhe mundëson mbledhje të gjerë të të dhënave dhe monitorim në kohë reale.
Sipas përshkrimit, ky softuer mund të ketë qasje në informacione personale, si mesazhet SMS, por edhe në mesazhet përmes aplikacioneve të koduara si Signal ose WhatsApp.
Softueri mund të marrë dokumente të ruajtura, fotografi e video.
Analiza tregoi se ai mund të ketë qasje edhe në komunikimet e fshira.
Ai është projektuar në atë mënyrë që të aktivizojë nga distanca mikrofonin dhe kamerën e telefonit, por edhe të gjurmojnë vendndodhjen dhe lëvizjen në kohë reale.
Të dhënat transferohen, pastaj, në serverët e kontrollit, që gjenden në Serbi.
Softueri është instaluar fizikisht, në situata ku aktivistë dhe gazetarë janë ftuar në intervista informative.
Në situata të tilla, ata i kanë lënë telefonat e tyre jashtë dhomës së bisedës - gjë që ka mundësuar instalimin e softuerit të spiunimit.
Amnesty International përmend shembuj të aktivistëve që kundërshtojnë projektet për mihjen e litiumit, të cilët kanë raportuar infeksione me “NoviSpy” pas takimeve të tyre me autoritetet serbe.
Një nga rastet është ai i gazetarit Sllavisha Millanov nga Dimitrovgradi, në jug të Serbisë. Ai është ndalur gjatë një kontrolli në trafik dhe i është konfiskuar telefoni.
Pas lirimit të tij, analiza e forenzikës ka treguar se janë përdorur mjetet “Cellebrite” për të zhbllokuar pajisjen e tij dhe se gjatë asaj periudhe i është instaluar “NoviSpy”.
Ky rast tregon për përdorimin e përbashkët të softuerit për spiunim në Serbi dhe të programit “Cellebrite”.
“Cellebrite” ka qenë i kyçur për të mundësuar infektimin me “NoviSpy”.
“Cellebrite”, një mjet izraelit, përdoret gjerësisht nga agjencitë e sigurisë në mbarë botën, përfshirë FBI-në, për zhbllokimin e telefonave inteligjentë dhe për të kërkuar prova në ta.
Sipas Amnesty International, Serbia ka marrë pajisje për zhbllokimin e telefonave nga “Cellebrite”, në kuadër të një pakete më të gjerë për ta ndihmuar atë në përmbushjen e kushteve për integrim në Bashkimin Evropian.
Kjo paketë, e financuar nga Qeveria e Norvegjisë dhe e administruar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS), i është ofruar Ministrisë së Brendshme të Serbisë nga viti 2017 deri në vitin 2021, për ta ndihmuar Serbinë në luftimin e krimit të organizuar, thuhet në raport.
Qeveria norvegjeze ka pezulluar përkohësisht dërgesën e pajisjeve “Cellebrite” në Serbi në vitin 2018, ka njoftuar Amnesty International.
Ambasada norvegjeze në Beograd ka ngritur gjithashtu shqetësime rreth programit, thuhet në raport, por UNOPS-i i ka dorëzuar pajisjet në qershor të vitit 2019.
Përndryshe, Amnesty International vlerëson se ligjet e Serbisë për mbikëqyrje, janë të vjetruara në kontekstin e çështjeve që kanë të bëjnë me mjetet moderne digjitale.
“Mekanizmat e mbikëqyrjes, gjyqësorë dhe legjislativë, janë të dobët ose të ndjeshëm ndaj ndikimit politik - gjë që krijon mundësi për abuzim”, thuhet në raport.