Ndërlidhjet

Pritet të rinisin negociatat për marrëveshjen bërthamore me Iranin


Shefi për Politikë të Jashtme në Bashkimin Evropian, Josep Borrell dhe ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian në Teheran.
Shefi për Politikë të Jashtme në Bashkimin Evropian, Josep Borrell dhe ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian në Teheran.

Shefi për Politikë të Jashtme në Bashkimin Evropian, Josep Borrell, ka thënë se pritet që shpejt të nisin negociatat që mëtojnë të ringjallin marrëveshjen bërthamore të nënshkruar mes Iranit dhe fuqive botërore më 2015.

“Ne presim që të rinisim bisedimet në ditët në vijim dhe të thyejmë bllokadën”, ka thënë Borrell në një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian në Teheran.

“Kanë kaluar tre muaj dhe neve na duhet të shpejtojmë punën”.

Duke e përshkruar takimin me Borrellin si “të gjatë, por pozitiv”, Amir-Abdollahian, ka thënë se Irani është i përgatitur për të rinisur bisedimet me fuqitë botërore në ditët në vijim.

“E rëndësishme për Iranin është që të marrë përfitimet ekonomike nga marrëveshja e vitit 2015”, ka thënë ai.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015, Irani është pajtuar për të kufizuar aktivitetin bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve të vendosura nga Perëndimi.

Marrëveshja ka nisur të mos zbatohet kur ish-presidenti amerikan, Donald Trump i pati larguar Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja më 2018.

Uashingtoni më pas ka vënë sanksione të ashpra ndaj Teheranit, ndërsa Qeveria iraniane, e cila mohon se synon të ndërtojë bombë, ka nisur t’iu shmanget përkushtimeve të bëra në marrëveshje.

Për më shumë se një vit, Irani është duke negociuar me Britaninë, Gjermaninë, Francën, Rusinë dhe Kinën, në mënyrë të drejtpërdrejtë, dhe me Shtetet e Bashkuara, në mënyrë indirekte, me qëllim të ringjalljes së marrëveshjes.

Negociatorët është thënë se kanë qenë afër arritjes së marrëveshjes në muajin mars, mirëpo bisedimet janë bllokuar papritur në muajin prill, pasi Teherani dhe Uashingtoni kanë fajësuar njëri-tjetrin se nuk kanë bërë zotime të mjaftueshme politike për zgjidhje të çështjeve të kontestueshme.

Në fillim të muajit qershor, Teherani ka thënë se ka nisur të largojë 27 kamera vëzhgimi nga zonat bërthamore që ka në Iran, duke kufizuar edhe më shumë mundësitë e Perëndimit që të vëzhgojë programin bërthamor të këtij shteti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG