Ndërlidhjet

Rezultatet preliminare thonë se Putini i fitoi gati 88% të votave, pasi opozita u shtyp


Rezultatet preliminare të zgjedhjeve presidenciale shfaqen në një ekran në selinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Rusisë në Moskë, Rusi, 17 mars 2024.
Rezultatet preliminare të zgjedhjeve presidenciale shfaqen në një ekran në selinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Rusisë në Moskë, Rusi, 17 mars 2024.

Rusia i ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve presidenciale në të cilat opozita u shtyp, duke thënë se lideri autoritar Vladimir Putin i ka fituar gati 88 për qind të votave.

Putini do ta zgjasë sundimin gati një çerekshekull për edhe gjashtë vjet të tjera, pas një lufte të pamëshirshme ndaj kundërshtarëve dhe mospajtuesve.

Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë tha se, sipas rezultateve preliminare, Putini i ka fituar gati 88 për qind të votave.

Sipas exit poll-it FOM, Putini i ka fituar 87.8 për qind të votave, ndërsa sipas Qendrës Hulumtuese Publike të Rusisë (VCIOM), Putini i ka fituar 87 për qind të votave.

Votimi më 17 mars, në ditën e fundit të zgjedhjeve treditore, u mbajt praktikisht pa asnjë kundërshtarë për Putinin, por nën sulme raketore dhe me dronë nga Ukraina.

Zgjedhjet u mbajtën edhe në Gadishullin e Krimesë, që Rusia e aneksoi jashtëligjshëm më 2014, në disa rajone ukrainase të pushtuar nga forcat ruse gjatë pushtimit të plotë që nisi më 2022, si dhe nëpër ambasadat ruse në botë.

Si e ndryshuan trurin e Putinit dekadat në pushtet
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:12 0:00

Qytetarë të shumtë rusë u rreshtuan pranë qendrave të votimit nëpër gjithë Rusinë në kohë për aksionin “Mesdita kundër Putinit”.

Një numër i madh i rusëve, të cilët nuk duan që Putini të vazhdojë të jetë në pushtet, shkuan te qendrat e votimit në të njëjtën kohë në mesditë, disa prej të cilëve edhe ndërmorën hapa për t’i prishur fletëvotimet e tyre.

Dhjetëra njerëz janë arrestuar në gjithë vendin gjatë votimit që u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Rusia pretendoi se Ukraina, të cilën e akuzoi se kreu një valë sulmesh ajrore që arritën deri në Moskë, u përpoq ta pengojë procesin zgjedhor.

Lufta e pamëshirshme e Kremlinit, që i ka shtypur mediat e pavarura dhe grupet për të drejtat e njeriut, nisi para se Moska të fillonte pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, por ajo është bërë edhe më e ashpër prej atëherë.

Para se të vdiste në një burg rus në Arktik nën rrethana të dyshimta, ku po e kryente një dënim që cilësohej si i motivuar politikisht, lideri opozita Alexei Navalny kishte shpresuar se do t’i përdorte zgjedhjet për ta dëshmuar pakënaqësinë e popullit me luftën në Ukrainë dhe me sundimin e hekurt të Putinit.

Ai u kishte bërë thirrje votuesve ta hidhnin votën saktësisht në mesditë, duke e quajtur aksionin “Mesdita kundër Putinit”.

E veja e tij, Yulia Navalnaya, si dhe të tjerët, i kanë vazhduar thirrjet për protesta të ditën e zgjedhjeve.

Në video dhe fotografi të postuara në rrjetet sociale shiheshin radhë të gjata votuesish në mesditë në qytetet ruse si, Novosibirsk, Çita, Jekaterinburg, Perm dhe Moskë.

"Aksioni i ka arritur qëllimet e tij," tha Ivan Zhdanov, kreu i Fondacionit Kundër Korrupsionit, i cili dikur udhëhiqej nga Navalny.

“Aksioni ka treguar se ekziston edhe një Rusi tjetër, se ka njerëz që ngrihen kundër Putinit”, tha ai.

Protestat u shoqëruan nga një prani e madhe e policisë dhe nga kërcënimi me dënime të rënda me burg për ata të cilët shihen si pengues të procesit të votimit.

Grupi OVD-Info, i cili monitoron arrestimet politike në Rusi, tha se më 17 mars u arrestuan më shumë se 65 njerëz në 14 qytete në gjithë Rusinë.

Për ditën e fundit të zgjedhjeve, autoritetet ruse u përgatitën për protesta të pazakonta në mesditë në qendrat e votimit, dhe paralajmëruan se ata që e pengojnë procesin e votimit do të përballen me dënime të rënda me burg.

Më herët, Zyra e prokurorit të Moskës kërcënoi me ndjekje penale të gjithë ata që shihen duke ndërhyrë në punën e komisioneve zgjedhore në qendrat e votimit në mesditë.

Gjatë dy ditëve të para të votimit, disa qytetarë rusë e kanë shprehur zemërimin e tyre me sundimin autoritar të Putinit, duke i vandalizuar kutitë e votimit.

Është raportuar për 28 incidente të tilla, si edhe për të arrestuar.

Incidente të tilla janë raportuar në së paku nëntë qytete, përfshirë Moskën, Shën Petersburgun, Soçin dhe Volgogradin.

Ish-presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, tani nënkryetar i Këshillit të Sigurisë, i dënoi protestuesit të shtunën duke i quajtur “tradhtarë” që po e ndihmojnë armikun e vendit, posaçërisht Ukrainën.

Putin, 71 vjeç, i cili ka qenë president, apo kryeministër për ati 25 vjet, garoi kundër tre politikanëve pak të njohur – liderit të Partisë Liberal-Demokratike, Leonid Slutsky, nënkryetarit të Dumes Shtetërore Vladislav Davankov nga Partia e Re e Popullit, si dhe kundër ligjvënësit të Dumes së Shtetit Nokolai Kharitonov nga Partia Komuniste – qëndrimet politike të të cilëve zor që dallojnë nga ato të Putinit.

Boris Nadezhdin, një politikan 60-vjeçar me qëndrime kundër luftës, nuk u lejua të garojë nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë muajin e kaluar, për shkak të, siç tha, nënshkrimeve të pavlefshme të përkrahësve në aplikacionin e tij për t’u regjistruar si kandidat presidencial.

Ai u ankua, por vendimi i komisionit u mbajt në fuqi nga Gjykata Supreme e Rusisë.

Ukraina dhe qeveritë perëndimore e kanë dënuar Rusinë për mbajtjen e zgjedhjeve në rajonet ukrainase, duke i cilësuar ato të jashtëligjshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG