Ndërlidhjet

Lukashenka thotë se Prigozhin është kthyer në Rusi


Yevgeny Prigozhin, udhëheqësi i grupit mercenar rus, Wagner. Fotografi nga arkivi.
Yevgeny Prigozhin, udhëheqësi i grupit mercenar rus, Wagner. Fotografi nga arkivi.

Lideri bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, tha se shefi i grupit mercenar rus, Wagner, Yevgeny Prigozhin, më nuk gjendet në Bjellorusi.

Lukashenka kishte ndërmjetësuar një marrëveshje që i dha fund rebelimit të armatosur në Rusi më 24 qershor. Tre ditë më vonë, lideri bjellorus tha se Prigozhin gjendej në Bjellorusi.

Mercenarët e Wagner-it për një kohë të shkurtër morën kontrollin e qytetit rus, Rostov-mbi-Don, dhe më pas marshuan drejt Moskës. Por, ata u ndalën pak para se të arrinin në kryeqytetin rus, pas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Lukashenka.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se mercenarët e Wagner-it, që nuk morën pjesë në rebelim, mund të shkojnë në Bjellorusi ose t’i bashkohen ushtrisë së rregullt ruse.


Lukashenka u tha gazetarëve të enjten se “sa i përket Prigozhinit, ai gjendet në Shën Petersburg. Ai nuk është në territorin e Bjellorusisë”.

Një avion, që është i lidhur me biznesin e Prigozhinit, u largua nga Shën Petersburgu dhe u nis drejt Moskës të mërkurën, ndërkaq të enjten ky avion po fluturonte në jug të Rusisë. Kështu bëhet e ditur sipas gjurmimit të të dhënave të fluturimeve, por ende nuk është e qartë nëse shefi i Wagner-it ndodhej në bordin e këtij avioni.

Lukashenka tha se oferta që i ka bërë Wagner-it që të stacionojë disa nga luftëtarët e tij në Bjellorusi –paralajmërim që ka alarmuar shtetet fqinje të NATO-s – ende qëndron.

Ai tha se nuk sheh ndonjë rrezik për Bjellorusinë dhe se nuk beson që luftëtarët e Wagner-it do të luftonin kundër shtetit të tij.


Javën e kaluar, Lukashnka tha se gjatë ndërmjetësimit të marrëveshjes – që i dha fund rebelimit – ai e kishte bindur Putinin që të “mos e zhdukte” Prigozhinin.

Megjithatë, ka shumë të panjohura për marrëveshjen që ndërmjetësoi Lukashenka dhe nëse e njëjta po zbatohet, ashtu siç palët janë pajtuar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG