Reuters
Gjykata e Apelit e Shteteve të Bashkuara tha të martën se ish-presidenti Donald Trump nuk ka imunitet nga ndjekja penale, pasi ai akuzohet se u përpoq ta zhbënte disfatën në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Por, ky vendim nuk nënkupton se Trumpi do të dalë para gjyqit menjëherë.
Më poshtë mund ta lexoni një vështrim të hapave të ardhshëm në këtë rast:
Çfarë do të ndodhë tani?
Trump e ka ndër mend të ankohet ndaj vendimit të panelit prej tre gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit të Shteteve të Bashkuara për Qarkun e Kolombias, tha një zëdhënës i fushatës së tij. Ai mund t’i kërkojë gjykatës së Qarkut të Kolombias ta rishqyrtojë vendimin e panelit, ose t’i drejtohet direkt Gjykatës Supreme të SHBA-së.
Rasti ndaj Trumpit ka ngecur prej dhjetorit, derisa ai po vazhdon me pretendimin se ka imunitet presidencial, ndërsa ankesa e tij e ka shtyrë tashmë datën e caktuar për gjykimin e tij që ishte 4 marsi.
Gjykata e Apelit e shtyu deri të hënën futjen në efekt të vendimin të saj, për t’i dhënë kohë Trumpit të ankohet në Gjykatën Supreme. Nëse ajo vendos ta shqyrtojë ankesën e tij, atëherë rasti do të pushojë për disa javë apo muaj, derisa gjykata e lartë ta shqyrtojë ankesën.
Nëse Trumpi i kërkon tërë qarkut të gjykatave të Kolombias për ta dhënë mendimin, atëherë rasti do të vazhdojë derisa gjykatësit të vendosin se a ta shqyrtojnë vendimin e tyre. Por, nëse shumica prej 11 gjykatësve aktivë në gjykatë pajtohen për ta marrë në dorë rastin, rasti do të pushojë përkohësisht.
Pse Trumpi po kërkon shtyrje?
Nëse Trump, i cili është lider në garën republikane për t’u nominuar kandidat për president, i fiton zgjedhjet dhe përsëri bëhet president, ai mund të synojë ta falë veten, apo ta udhëzojë Departamentin e Drejtësisë t’i hedhë poshtë akuzat kundër tij.
Shtyrja gjithashtu do t’i parandalonte procedurat disajavore të gjykatës, ku pritet të paraqiten ish-aleatë dhe aleatë politikë të Trumpit për të dhënë dëshmi për kundërshtimin e Trumpit për ta pranuar disfatën në zgjedhjet e vitit 2020 dhe për tentimin e tij për të mos e lejuar certifikimin e votave.
Trumpi do të përfitonte madje edhe nga vonesa më e vogël. Gjykatësja amerikane e qarkut, Tanya Chutkan, e cila e udhëheq rastin kundër tij, mund të ngurrojë ta caktojë një datë për gjykimin e tij, e cila do ta linte Trumpin jashtë fushatës presidenciale në mes të saj në sezonin vjeshtor.
Kur mund të ndodhë gjykimi?
Kjo është e paqartë. Chutkan javën e kaluar e shtyu datën e gjykimit të tij, që ishte caktuar për 4 mars, duke thënë se do ta caktonte një datë të re sapo rasti të kthehej në gjykatën e saj.
Nëse Gjykata Supreme vendos të mos merret më ankesën e Trumpit për imunitet, rasti me gjasë do të kthehet te Chutkan brenda pak javësh, duke i hapur rrugën caktimit të gjykimit ndaj tij për këtë pranverë apo për fillimin e verës.
Por, Gjykata Supreme, shumica konservatore e së cilës prej 6-3 përfshin tre të nominuarit e Trumpit, mund të dëshirojë ta japë qëndrimin e vet në këtë çështje të rëndësishme.
Nëse ajo e merret me ankesën, atëherë rasti do të mbetet në pasiguri ligjore dhe caktimi i datës së gjykimi do të varet nga ajo se sa shpejt e merr vendimin gjykata e lartë.
Një vendim se Trumpi ka të drejtë për imunitet për veprimet e tij si president do t’i jepte fund plotësisht rastit kundër tij, ose do të shkaktonte shtyrje të tjera derisa gjykatat të vendosin se cilat akuza nga aktakuza mund të hidhen poshtë.