Me përfundimin e vitit 2022 përfundon formalisht edhe kryesimi i radhës i Bashkimit Evropian nga Republika Çeke.
Ky shtet, për gjashtë muaj, kryesoi bllokun 27-anëtarësh për herë të dytë prej se u bë vend anëtar i tij më 1 maj të vitit 2004.
Për Çekinë, si prioritete u imponuan temat që kishin të bënin me agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe pasojat e këtij pushtimi.
Çekia, me sukses, koordinoi punën në miratimin e disa pakove të sanksioneve kundër Rusisë, por edhe në miratimin e vendimeve të përbashkëta të BE-së për kufizimin e çmimeve të naftës dhe të gazit. Çmimet e këtyre produkteve u rritën ndjeshëm, pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, në fund të shkurtit.
Ato që u cilësuan si suksese në kryesimin gjashtëmujor të Çekisë, ishin edhe disa vendime që shënuan kthesë në procesin e zgjerimit të BE-së, si dhe në raportet e BE-së me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
- Ministrat e BE-së miratojnë konkluzat për procesin e zgjerimit
- Sanksionet e reja të BE-së pritet të shënjestrojnë ushtrinë dhe bankat ruse
Pak ditë para se Çekia ta merrte kryesimin e bllokut nga Franca, në fund të qershorit, ndodhi një kthesë e madhe, kur dy vende të fqinjësisë lindore evropiane, Ukraina dhe Moldavia, me një procedurë të përshpejtuar, morën statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa Gjeorgjisë iu premtua dhënia e të njëjtit status pasi t’i përmbushte disa kushte.
Presidenca çeke, nga fillimi, e bëri prioritet procesin e zgjerimit të BE-së, si dhe raportin e saj me Ballkanin Perëndimor.
Si synime të saj veçoi nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, miratimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe ndarjen e statusit të vendit kandidat për Bosnje dhe Hercegovinën.
Në të gjitha këto çështje, Çekia mbeti këmbëngulëse deri në fund dhe arriti suksese.
Pikërisht, gjatë kryesimit të saj, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nisën negociatat e anëtarësimit në BE.
Arritja e konsensusit në BE për këto negociata nuk ishte e lehtë, pasi Bullgaria mbante të bllokuar dritën jeshile për Maqedoninë e Veriut, për shkak të disa mosmarrëveshjeve dypalëshe në lidhje me gjuhën dhe historinë. Për pasojë, e bllokuar mbetej edhe Shqipëria, pasi të dyja vendet shkonin në paketë.
Çekia arriti sukses edhe në liberalizimin e vizave për Kosovën - një çështje që në Këshillin e BE-së nuk ishte hapur as formalisht për më shumë se katër vjet, edhe pse dy institucionet tjera të BE-së - Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian - kishin shprehur mbështetje të parezervë për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës. Megjithatë, ishin disa vende anëtare, si Franca, që ishin më hezituese.
Përpjekjet e Presidencës çeke u kurorëzuan së pari me pajtimin e vendeve anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ky pajtim u shndërrua në një kompromis, sipas të cilit, liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi së bashku me funksionalizimin e sistemit evropian të udhëtimit, ETIAS.
Hyrja në fuqi e këtij sistemi - që kërkon nga qytetarët e huaj që udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së, t’i regjistrojnë të dhënat e tyre - është shtyrë disa herë. Pritjet tani janë që të funksionalizohet në nëntor të vitit 2023, por edhe nëse shtyhet më, liberalizimi i vizave për Kosovën, sipas vendimit të BE-së, nuk do të shtyhet përtej datës 1 janar të vitit 2024.
Pasi për këtë ranë dakord të gjitha vendet anëtare në Këshill, nisën negociatat me Parlamentin Evropian, për të formalizuar vendimin, në përputhje me procedurat e BE-së. Tash, ka mbetur që në fillim të vitit të kryhen edhe disa hapa formalë që vendimi të jetë i përmbyllur.
Më 15 dhjetor, dy javë para se Çekia të përfundonte kryesimin e bllokut, edhe Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE. Ky hap u konkretizua falë gatishmërisë së Qeverisë së Çekisë që të pranojë aplikimin formal të Kosovës në një ceremoni në Pragë.
Në të njëjtën ditë, kur Kosova dorëzoi kërkesën për anëtarësim në BE, Bosnje e Hercegovina mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim.
Çekia u angazhua shumë për të krijuar konsensusin në BE për t’ia dhënë Bosnjës këtë status. Ndonëse një gjë të tillë, me disa kushte, e kishte rekomanduar më herët Komisioni Evropian, mbështetja e nevojshme e të gjitha vendeve anëtare mungonte. Çekia e konsideron edhe këtë si sukses të vetin.
Gjatë kryesimit të Çekisë me BE-në, në muajin dhjetor në Tiranë u zhvillua edhe samiti i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas disa diplomatëve, falë angazhimit të Çekisë, viti 2022 u përmbyll si njëri ndër vitet më të suksesshme sa u përket vendimeve konkrete të BE-së në procesin e zgjerimit dhe raporteve të saj me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kryesimin gjashtëmujor të BE-së nga 1 janari e merr Suedia.