Ndërlidhjet

Presidentja sllovake kritikon planet e Ficos për reforma


Presidentja sllovake, Zuzana Çaputova.
Presidentja sllovake, Zuzana Çaputova.

Presidentja sllovake, Zuzana Çaputova, i ka kritikuar planet e Qeverisë së re në Bratislavë për të bërë ndryshime në sistemin e drejtësisë.

"Në një letër dërguar Ministrit të Drejtësisë, edhe Komisioni Evropian ka bërë thirrje që planet të rishqyrtohen”, ka thënë Çaputova përmes një deklarate publike, të premten.

Presidentja e ka shprehur shqetësimin e saj, pasi koalicioni i ri qeveritar, trepartiak, i udhëhequr prej kryeministrit Robert Fico, e ka miratuar të mërkurën një projektligj në kabinet, për të mbyllur Zyrën Speciale të Prokurorit për çështje të Korrupsionit, me arsyetimin se është shumë e politizuar.

Kjo zyrë trajton rastet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe është përgjegjëse për krim të organizuar dhe krime tjera potenciale.

Fakti që Qeveria dëshiron t'i zvogëlojë dënimet për shkelje korruptive, për t’i bërë ato në linjë me sistemet ligjore të vendeve tjera të BE-së, mund të ngre pikëpyetje nëse Sllovakia po vendos masa të mjaftueshme ndëshkuese për keqpërdorim të fondeve të BE-së, ka thënë ajo.

Opozita ka paralajmëruar për kërcënim të sundimit të ligjit dhe e ka akuzuar Qeverinë se po tenton t’i fshehë rastet e korrupsionit në nivel të lartë, të qeverive parapake, të udhëhequra nga partia e Ficos, deri më 2020.

Çaputova ka thënë se nëse parlamenti do t’i miratojë planet e Qeverisë, ajo do ta përdorë veton me efekt pezullues.

Në mbrëmjen e së enjtes, mijëra njerëz kanë protestuar para zyrave qeveritare në Bratislavë.

Protesta, e cila është organizuar prej partive opozitare, ka qenë kundër planeve për shpërbërje të zyrës së Prokurorit Special.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG