Ndërlidhjet

Presidenti i Kinës viziton Rusinë javën e ardhshme


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe presidenti i Kinës, Xi Jinping.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe presidenti i Kinës, Xi Jinping.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, do të vizitojë Moskën më 20 mars, ku pritet të tregojë mbështetje për presidentin rus, Vladimir Putin, teksa edhe tenton të shtyjë përpara një plan për paqe që synon t’i japë fund luftës në Ukrainë.

"Gjatë bisedimeve do të diskutohen çështje aktuale të zhvillimit të mëtejshëm të partneritetit gjithëpërfshirës dhe bashkëpunimit strategjik midis Rusisë dhe Kinës”, tha Kremlini në një njoftim të datës 17 mars.

“Është planifikuar, gjithashtu, një shkëmbim pikëpamjesh në kuadrin e thellimit të bashkëpunimit ruso-kinez në arenën ndërkombëtare”, thuhet ndër tjerash në këtë njoftim.

Kremlini njoftoi se Putini dhe Xi do të takohen kokë-më-kokë më 20 mars, dhe do të zhvillojnë bisedime tjera më 21 mars.

Ministria e Jashtme e Kinës konfirmoi vizitën, e cila do të zhvillohet pas ftesës së Putinit drejtuar liderit kinez.

Muajin e kaluar, Kina ka propozuar një plan për paqe në Ukrainë.

Dokumenti i saj 12-pikësh mbi "zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë" thekson nevojën që të dyja palët të de-përshkallëzojnë gradualisht konfliktin, duke çuar në një armëpushim gjithëpërfshirës.

Plani kërkon mbrojtjen e civilëve dhe respektimin e sovranitetit të të gjitha vendeve. Megjithatë, Kina nuk e ka dënuar pushtimin e Rusisë.

Perëndimi e shikoi planin me skepticizëm, ndërsa Rusia e përshëndeti.

Ukraina, e cila thotë se do të marrë parasysh planet e paqes vetëm pasi trupat ruse të largohen nga territori i saj, nuk u pajtua me këtë plan pasi në të nuk nënvizohet se Rusia duhet të tërhiqet nga kufijtë e vendosur të vendit që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.

Megjithatë, vendi më vonë tha se mund të pajtohet me “disa pjesë të tij”.

Shtetet e Bashkuara thanë se Kina, pasi e ka prezantuar veten publikisht si neutrale, po pasqyron "narrativën e rreme" të Rusisë për luftën.

NATO, në anën tjetër, tha se Kina nuk kishte shumë besueshmëri si ndërmjetëse për Ukrainën.

Pak para fillimit të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia, Xi dhe Putin lëshuan një deklaratë të përbashkët në Pekin. Në deklaratë, të dy liderët thanë se "miqësia mes dy shteteve nuk ka kufij dhe nuk ka fusha 'të ndaluara' të bashkëpunimit".

Që atëherë Kina ka refuzuar të dënojë luftën e Rusisë në Ukrainë dhe ka kritikuar sanksionet e vendosura nga Perëndimi ndaj Moskës.

Aleatët perëndimorë e kanë akuzuar Kinën se po mendon të furnizojë me armë Rusinë dhe e kanë paralajmëruar Pekinin që të mos e bëjë një gjë të tillë.

Vizita e fundit e presidentit kinez në Moskë u zhvillua në vitin 2019. Putin dhe Xi u takuan për herë të fundit në shtator në një konferencë rajonale të sigurisë në Uzbekistan, në vitin 2022.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG