Ndërlidhjet

Shri Lanka shpall gjendje të jashtëzakonshme pas arratisjes së presidentit


Demonstruesit mblidhen jashtë zyrës së kryeministrit të Shri Lankës, Ranil Wickremesinghe, në mes të krizës ekonomike të vendit, në Colombo, Shri Lanka, 13 korrik 2022.
Demonstruesit mblidhen jashtë zyrës së kryeministrit të Shri Lankës, Ranil Wickremesinghe, në mes të krizës ekonomike të vendit, në Colombo, Shri Lanka, 13 korrik 2022.

Shri Lanka shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të mërkurën pasi presidenti u largua jashtë shtetit për t'i shpëtuar protestave antiqeveritare, pasi mijëra njerëz dolën në rrugë, përsëri të zemëruar që ai ende nuk ishte dorëzuar.

Presidenti i Shri Lankës, Gotabaya Rajapaksa, ka ikur në Maldive herët të mërkurën, pas protestave të gjera kundër krizës më të keqe ekonomike në vend në disa dekada.

Disa orë më vonë, pa asnjë njoftim zyrtar se ai do të tërhiqej, mijëra protestues sulmuan zyrën e kryeministrit Ranil Wickremesinghe, të cilin Rajapaksa e emëroi si president në detyrë gjatë mungesës së tij.

Ata kërkuan që të dy zyrtarët të largoheshin. “Shko në shtëpi Ranil, shko në shtëpi Gota”, bërtitën ata.

Protestuesit antiqeveritar të Shri Lankës kanë hyrë edhe në stacionin kryesor televiziv shtetëror të mërkurën dhe për pak kohë morën përsipër transmetimin.

Një burrë i paidentifikuar hyri në studion e rrjetit Rupavahini gjatë një programi live dhe urdhëroi që të transmetoheshin vetëm lajme të lidhura me protestën.

Transmetimi u ndërpre dhe u zëvendësua me një program të regjistruar.

Protestuesit në Shri Lankë, gjatë fundjavës kanë hyrë edhe brenda pallatit presidencial.

Presidenti i Shri Lankës, Gotabaya Rajapaksa, i cili iku në Maldive të mërkurën, i telefonoi kryetares të parlamentit dhe i tha se letra e tij e dorëheqjes do të dërgohet më vonë gjatë ditës.

“Presidenti ra në kontakt me mua përmes telefonit dhe tha se ai do të sigurojë që letra e tij e dorëheqjes do të merret nga unë sot”, tha kryetarja Mahinda Yapa Abeywardena në një deklaratë me video.

"I bëj thirrje publikut që të ketë besim në procesin parlamentar për të emëruar një president të ri në datën 20 dhe të [i kërkoj] të jetë paqësor".

Rajapaksa gëzon imunitet nga arrestimi dhe besohet se ai donte të largohej para se të jepte dorëheqje, në mënyrë që mos të mund ta ndalonin kur të mbetej pa pushtet.

Ai, gruaja e tij dhe dy truprojat ishin katër pasagjerët në bordin e një avioni ushtarak Antonov-32 që u ngrit nga aeroporti kryesor ndërkombëtar i Shri Lankës, thanë burimet e imigracionit për AFP-në.

Me të mbërritur në Maldive, ata u çuan në një vend të pazbuluar, nën shoqërimin e policisë, tha një zyrtar i aeroportit në kryeqytetin Male.

Protestuesit në Shri Lankë, që gjatë fundjavës hynë në pallatin presidencial dhe dogjën shtëpinë e kryeministrit, kanë kërkuar dorëheqjen e presidentit dhe kryeministrit, për shkak të krizës ekonomike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG